Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Poliçani kufizohet në veri dhe në perëndim me bashkinë Berat, në lindje me bashkinë Skrapar, ndërsa në jug dhe jug-lindje me bashkinë Memaliaj. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Poliçanit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 numëron 10,953 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 18,341 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 272.02 km2 me një densitet prej 67.42 banorë/km2 sipas regjistrit civil dhe 40 banorë/km2 sipas censusit.
Kjo bashki përbëhet nga 3 njësi administrative, të cilat janë: Poliçan, Tërpan dhe Vërtop. Nga këto, Poliçani është aktualisht pjesë e rrethit Skrapar ndërsa dy njësitë e tjera janë pjesë e rrethit Berat. Të gjitha njësitë janë pjesë e qarkut Berat. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 26 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e re e Poliçanit përbëhet nga qyteza ish-industriale e Poliçanit dhe dy komuna të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me qytezën pasi kanë qenë më parë pjesë e rrethit Berat. Nga këto, komuna Tërpan, e cila shtrihet në një terren të thyer malor është më problematike për shkak se është ngushtësisht e lidhur me Beratin dhe jo me qendrën e re administrative.
Qyteti i Poliçanit ka qenë një qendër e rëndësishme e industrisë ushtarake dhe e industrisë së materialeve të ndërtimit për shkak të burimeve të mëdha të gurit. Poliçani ka qenë më herët një fshat në varësi të Beratit, i cili u shpall qytet në vitin 1967.
Industria mekanike pushoi së ekzistuari pas viteve 1990 dhe u kufizua në disa raste vetëm në procesin e demontimit të municioneve, gjë që solli papunësi shumë të lartë në qytezë, e cila filloi të depopullohej nga të rinjtë. Shfrytëzimi i rezervave të gurit vijon sot në mënyrë private. Industria e nxjerrjes së gurit dekorativ është në ditët e sotme një resurs i konsiderueshëm ekonomik për zonën.
Poliçani konsiderohet edhe si një qendër e rëndësishme e Bektashizmit në Shqipëri dhe ka në territorin e saj një pjesë të konsiderueshme të parkut kombëtar të Tomorit. Për rrjedhojë, turizmi fetar dhe ai malor mund të kthehen në një element të rëndësishëm të bashkisë së re.
Të ardhurat në zonat rurale vijnë kryesisht nga kultivimi i ullirit dhe rrushit, por edhe drurëve të tjerë frutorë si gështenjat, arrat dhe fiqtë.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Ndërtimi i një njësie administrative në shërbim të të gjithë popullsisë së bashkisë së re, duke marrë parasysh largësinë rrugore me komunën Tërpan, pritet të jetë sfida kryesore e kryebashkiakut të ardhshëm, veçanërisht nëse merret parasysh terreni i thyer malor dhe burimet shumë të pakta bujqësore.
Disiplinimi i shfrytëzimit të rezervave të gurit, si dhe transferimi i rentës minerare nga qeveria qendrore për këtë bashki, mund të krijojnë një bazë për zhvillim ekonomik. Në të njëjtën kohë bashkia e re do të ketë për detyrë të mbrojë parkun kombëtar të Tomorit nga prerjet e paligjshme të pyjeve si dhe do të duhet të kujdeset për infrastrukturën e komunës Tërpan, e cila shpesh gjatë dimrit bllokohet nga dëbora.
Qyteti i Poliçanit vuan aktualisht nga furnizimi me ujë për shkak të vjetërsimit të rrjetit të shpërndarjes, pavarësisht se burimet ujore të zonës janë të pafundme. Bazuar në këto resurse, bashkia e re identifikohet se duhet të hartojë politika nxitëse për ngritjen e ndërmarrjeve për shfrytëzimin dhe paketimin e ujit, çka do të mundësonte dhe hapjen e vendeve të reja të punës për banorët e zonës.
Ofrimi i shërbimeve të pastrimit në të gjithë territorin e bashkisë së re pritet të jetë gjithashtu sfiduese për shkak të mungesës së rrugëve të drejtpërdrejta të lidhjes së qytetit me komunat përbërëse.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Poliçanit kishin të drejtën e votës 13,925 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 7,000 votues, 50.27% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Adriatik Zotkaj të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 72.46% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Poliçan (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
5448 |
81,24% |
13 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
841 |
12,54% |
2 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
125 |
1,86% |
0 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut |
292 |
4,35% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Adriatik Zotkaj, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)