Çfarë ka ndryshuar pozitivisht në Bashkinë e Hasit gjatë vitit të parë të drejtimit tuaj?
Për periudhën qershor 2015-qershor 2016 jemi në kushte më të favorshme që kur bëmë intervistën para një viti kur unë isha kandidat për Bashkinë e Hasit. Në intervistën si kandidat kam folur më lirshëm pasi kisha bindjen se objektivat që kisha marrë do t’i realizoja. Por ndryshe është të marrësh angazhime dhe ndryshe është zbatimi konkretisht i tyre sepse ndikojnë shumë faktorë. Por realisht, unë mendoj dhe kjo mund të shikohet edhe në terren dhe në opinionet e njerëzve që gjerat kanë filluar të lëvizin për mirë në Bashkinë e Hasit. Unë duke qenë drejtues i komunës Golaj për disa vite dhe duke e njohur mirë pushtetin vendor i kam ndarë problematikat sipas njësive vendore dhe territorit, sipas zonave të banimit qytet dhe fshat dhe po përpiqem që përmes këtyre ndarjeve që kam bërë të bëj të mundur një shërbim sa më cilësor të banorëve që jetojnë në këto zona sipas specifikave të tyre. Konkretisht për banorët e fshatit jam përpjekur që t’ju sigurojmë ujin për vaditje për periudhën e verës, proces i cili ka filluar që në dimër me mbushjen e rezervuarëve. Kemi bërë rihapjen e kanaleve ushqyese që kanë pas vite pa u vënë në punë, njëkohësisht dhe kanalet e dyta dhe treta. Besoj që po ecim goxha mirë në këtë drejtim. Kemi organizuar marrjen në dorëzim të objekteve që kanë kaluar në pronësi të bashkisë dhe punonjësit janë shumë të predispozuar për të realizuar detyrat. Me vendim të Këshillit Bashkisë çmimin e ujit për vaditje e kemi ulur dhe shërbimi është përmirësuar. Pra ky është një hap për fshatin. Ndërsa për qytetin nuk ka koment. Si po e shihni dhe vetë qyteti është kthyer në një kantier ndërtimi që po i ndryshon faqen qytetit të Krumës.
Për çfarë investimesh po bëni fjalë konkretisht ?
Për fatin tim, para se të merrja detyrën, pjesa e infrastrukturës rrugore ka qenë e përfunduar. Kam pasur një dëshirë në heshtje kohë më parë se nëse do bëhesha ndonjëherë kryetar bashkie do bëja atë që po bëj sot, pra rikonstruksionin e plotë të pallateve. Ndërtesat në Krumë janë të vjetra. Erozioni dhe temperaturat e ulëta kanë bërë punën e tyre duke i dëmtuar në masë. Duke parë që Kruma është një qytet ku banorët kanë një dëshirë për një jetë më të mirë kisha si objektiv që të ndërhynim në këto godina dhe t’i rehabilitonim ato dhe këtë po e bëjmë aktualisht. Me një investim nga Fondi i Zhvillimit Rajoneve po implementojmë me sukses rehabilitimin e plotë të pallateve, përfshi edhe mbulimin e tyre me çati dhe jo me soletë betoni siç kanë qenë më parë. Kemi edhe një investim tjetër në një pallat në kuadër të projektit për ruajtjen e eficensës së energjisë me investim të Ministrisë së Zhvillimit Urban. Pallati ku po investohet banohet me qytetarë të shtresave vulnerabël dhe aty është ndërhyrë në mënyrë drastike duke ndërruar dyer e dritare, suvatime, instalime hidraulike e elektrike. Njëkohësisht kam edhe një projekt me fondet e “Jaca” ndërmjet qeverisë shqiptare dhe italiane për të bërë rehabilitimin e qendrës së kulturës së Krumës si dhe ndërtimin e një palestre sportive për shkollën e mesme dhe një fushe kalceto në fshatin Golaj që ka qenë një premtim i fushatës elektorale. Njëkohësisht një punë të shkëlqyer falë edhe disa donacioneve të huaja kemi bërë edhe me sistemin e ndriçimit publik të qytetit duke bërë të mundur që me fondet e KE-së me shpenzim zero nga bashkia të bëjmë të gjithë ndryshimin e impiantit të ndriçimit publik në qytetin e Krumës duke ulur trefish shpenzimin e energjisë elektrike.
Gjatë fushatës elektorale që u pasua me zgjedhjen tuaj në krye të Bashkisë së Hasit keni deklaruar se problemi më i madh për Bashkinë e Hasit është varfëria dhe papunësia dhe se për zgjidhjen e këtyre problemeve keni premtuar se gjatë mandatit, sidomos në vitin e parë dhe të dytë të ngjallen të gjitha ato resurse që ka zona e Hasit. Cilat janë ato resurse që janë aktivizuar në vitin e parë të mandatit tuaj në krye të Bashkisë Has?
Në këtë pikë është bërë pak. Po ta marrësh në aspektin e përgjithshëm Hasi është një vend që në gjuhën e traditës thuhet së në verë në Has “Ditën të përvëlon dielli, natën të djeg hana”. Është një zonë e thatë dhe nuk kemi shumë resurse që t’i çlirojmë ato. Por edhe në ketë aspekt kemi lëvizur. Hapi i parë në këtë drejtim ka qenë aktiviteti që kemi bërë në muajin qershor siç ishte Panairi i Dhisë së Hasit, realizuar në bjeshkën e Krumës. Ndërsa me datën 4 gusht kemi promovimin e bukurive të malit të Pashtrikut përmes një pelegrinazhi që do të organizohet deri te Varri i Pashtrikut ku me ketë rast do të evidentohen edhe vlerat turistike të këtij mali. Gjithsesi në këtë pikë nuk kemi ecur mirë.
Një tjetër premtim i juaji, madje për ditët e para të mandatit, ka qenë ndërtimi i një selie të re për administratën e bashkisë së Hasit në qytetin Krumë, pasi administrata e kryen funksionin e saj në pallatin e Kulturës që ju vetë keni deklaruar se është i pushtuar nga Bashkia. Çfarë hapash janë marrë në këtë drejtim?
Kjo është përsëri një prioritet i imi. Por problem kemi më shumë me truallin se sa me financimin e ndërtimit të bashkisë së re. Kam një ide edhe për rikonstruksionin e ndërtesës ku jemi vendosur aktualisht duke rritur edhe një kat. Duhet parë nga specialistët ana strukturore dhe arkitektonike dhe besoj se kur të vini herën tjetër për intervistën e radhës, projekti të jetë realizuar.
Meqë jemi në sektorin e kulturës, do ju pyesja për muzeun e Hasit, veçanërisht për internatin “Kosova” me të cilin mburret Hasi si dhe mbarë Malësia e Gjakovës për bijtë e saj të shkolluar në dekadën e dytë të shekullit të kaluar në këtë internat. Muzeu aktualisht është në gjendje të mjerë dhe i degraduar deri në shkatërrim të plotë. Cila është përgjigjja juaj për këtë problem?
Edhe muzeu, i vendosur në ndërtesën e Internatit është një prioritet i imi. Kisha menduar që do ndërhynim përmes fondeve të qeverisë italiane, por objekti është Monument Kulture dhe nuk mund të ndërhyhej pa lejen e ministrisë Kulturës. Internati “Kosova” është një vlerë e jashtëzakonshme për historinë e arsimit në Has që realisht sot është një gjendje të mjerueshme. Duhet ndërhyrje esenciale pasi ndërtesa është e vitit 1920 dhe është amortizuar së tepërmi. Fondet tona janë shumë të kufizuara, gjithashtu edhe të ardhurat, kështu që ndërhyrja me fondet e bashkisë për momentin është e pamundur.
Një tjetër problem për banorët e Hasit është edhe dokumentacioni i munguar i tokës duke u bërë shkas që shumë sipërfaqe toke të ish-Ndërmarrjes Bujqësore të jenë pa pronarë duke u lënë djerrë. Çfarë po bëhet në këtë drejtim?
Edhe kjo është një barrë e shtuar mbi kryetarin e bashkisë dhe stafin e saj. Në vitin 1991 kur ka filluar të implementohet ligji i “famshëm” 7501 “Për tokën”, në zonat tona nuk është zbatuar ashtu siç duhet dhe më e keqja është se aty ku është zbatuar dokumentacioni është i dëmtuar, apo nuk ekziston fare. Të gjendur para këtij fakti ne kemi pasur disa probleme të herëpashershme shoqëruar me konflikte mes njerëzve, pasi ka shumë sipërfaqe toke të zaptuara. Por me ligjin e ri që ka dalë ka filluar puna në terren nga ana e specialistëve të bashkisë me një staf të shtuar ku po merren me rivlerësimin e matjet në zbatim të ligjit 7501 gjithsesi. Por vështirësitë janë të mëdha si kudo.
Cilat kanë qenë kriteret për emërimin e administratorëve, por edhe të administratës së bashkisë Has. A ka pasur emërime militantësh, apo funksionarë partie, emërime klienteliste apo nepotike?
Resurset njerëzore lënë për të dëshiruar. Shumë të rinj e të reja nga Hasi pasi mbarojnë shkollën nuk kthehen në Has. Ato vazhdojnë të rrinë në Tiranë, ose të emigrojnë, ndërsa vajzat martohen dhe objektivi i tyre është Anglia. Pra resurset njerëzore i kemi shumë të mangëta, jo në nivelin e kërkesave të sotme. Prirja ime ka qenë rekrutimi i njerëzve me moton që “punës t’i gjejmë njeriun, jo njeriut t’i gjejmë punë”.Pra kjo praktikë ka qenë dhe vazhdon të jetë tek unë. Militantit të paaftë mund edhe t’i gjesh një vend pune të cilin ai mund të kryejë, por kurrsesi në administratë, pasi ai të shkatërron çdo ditë. Megjithatë kemi mangësi sa të duash në rekrutimin e njerëzve. Nuk kam parë kritere politike dhe partiake në emërimin e administratorëve. Madje unë mund të jem ndoshta unikal ku kam emëruar administrator në Njësinë Administrative të Gjinajve një anëtar dhe funksionar vendor të Partisë Demokratike, kundërshtarë me partinë që unë përfaqësoj. Për mua nuk ka shumë rëndësi partia. E rëndësishme është që personi të jetë korrekt dhe punëtor dhe administratori i Gjinajve i plotëson këto kërkesa, plus që gëzon respekt në komunitetin ku ai jeton.