Banorët e pallatit 1038 diku afër Muzeut Arkeologjik në Durrës nuk e kanë lexuar ligjin “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit”, e megjithatë ia kanë dalë të krijojnë rregulla komunitare. Ndryshe nga hyrjet fqinje apo të ngjashmet në qytet, ata i kanë siguruar vetes një hyrje të pastër dhe të gjelbëruar, ndërsa banorët dhe të interesuarit i pret gjithnjë roja i turnit, që më shumë të le përshtypjen e një recepsionisti.
Linda Hoxha, që banon në të njëjtën lagje të Durrësit thotë për BIRN se i sheh me zili banorët e kësaj hyrjeje.
“E kanë bërë gjithçka vetë, duke arritur qetësinë e përbashkët dhe sigurinë e nevojshme,” thotë ajo.
Zbatimi i ligjit 10112 të 30 prillit 2009 që duhet të rregullojë këto marrëdhënie deri tani ka qenë i pamundur për t’u zbatuar në Durrës dhe në Tiranë, ku bashkia e risolli në vëmendje disa ditë më parë duke njoftuar një fushatë në mbarë qytetin me letra ndërgjegjësimi dhe takime. Megjithatë, është ende e paqartë se çfarë rezultati mund të ketë kjo nismë, kur ligji ekzistues nuk zbatohet prej 8 vjetësh.
Sfidat e administrimit
Hasan Çausholli, i sapodalë në pension dhe administrator i zgjedhur i pallatit 1038 në rrugën “Mbretëresha Teutë” di shumë pak për ligjet e miratuara për bashkëjetesën në pallate.
“Askush nga bashkia apo ndonjë institucion tjetër nuk ka ardhur të na pyesë për shqetësimet tona, apo të na thotë punë e mbarë. Të gjitha i kemi realizuar vetë, mbi bazën e sugjerimeve të banorëve,” thotë ai, duke treguar me dorë pemën e zbukuruar të Vitit të Ri në hyrjen e përbashkët.
Çausholli thotë për BIRN se është dashur kohë që mes familjarëve dhe administruesve të krijohej një besim i ndërsjelltë dhe palët e mbështesin njëra tjetrën rregullisht. Mirëmbajtja e ashensorëve, pastrimi i shkallëve, furnizimi me ujë të pijshëm apo ndriçimi i sipërfaqeve të përbashkëta me llampa që kursejnë energjinë, konsiderohen probleme të zgjidhura prej kohësh. Ndërsa pranë hyrjes së përbashkët, falë punës së administruesit është krijuar një oaz gjelbërimi.
Banorët e hyrjes së pallatit te rruga “Mbretëresha Teutë”, me ose pa bazë ligjore mbështetëse, jetojnë të qetë dhe kanë një komunikim shumë të mirë me administratorin dhe rojet që kujdesen për mjediset e përbashkëta 24 orë në ditë. Familjet paguajnë rregullisht kuotën mujore, kanë siguruar integritetin e banesës dhe kanë marrë edhe vendime të cilat dalin jashtë kornizës aktuale ligjore.
Përshembull, ata që mbajnë qen pengohen në pasionin e tyre, pasi kjo bie në kundërshtim me rregulloren e përbashkët, dhe po ashtu pengohen edhe ata që deri tani i kanë dhënë apartamentet me qira për studentët.
Shumë qytetarë të tjerë të kësaj lagjeje mendojnë se kjo ka qenë zgjidhja më e mirë, pasi zbatimi i ligjit 10112 të 30 prillit 2009 që duhet të rregullojë këto marrëdhënie deri tani ka qenë i pamundur.
Një nga ish-drejtuesit e njësive administrative kujton se disa vjet më parë, bashkia u bë pjesë e një projekti të financuar nga ndërkombëtarët, që parashikonte punësimin me kohë të pjesëshme të një “lajmëtari” për çdo lagje, i cili bëhej ndërmjetës i problematikave nga banorët e pallateve te Njësia Administrative dhe Bashkia.
“Ky projekt nuk zgjati më shumë se 6 muaj dhe përvoja e krijuar nuk i vlejti askujt,” shprehet ish-nëpunësi, i cili kërkoi të mos i përmendej emri.
Ndërkohë, edhe administratorët që janë zgjedhur nga banorët e pallateve, më të shumtën e rasteve nuk kanë krijuar dot një klimë bashkëpunimi.
Mbledhja e kuotave mujore mbetet një nga makthet e banorëve-administratorë që më të shumtën e rasteve merren vullnetarisht me problematikat e pallatit. Në 2012, një administrator i një pallati në Fier u vra me armë zjarri nga një tjetër banor, që pretendonte se po shqetësohej nga administratori i moshuar. Edhe pse shuma ditore për t’u paguar është në shumicën e rasteve më pak se sa 50 lekë në ditë, mbledhja nuk ka qenë asnjëherë e lehtë.
“Banorët kërkojnë katër gjëra kryesore,” thotë Agim Vocka-“funksionimin normal të ashensorit, furnizimin me ujë të pijshëm, ndriçimin dhe pastrimin e shkallëve. Të gjitha këto kanë një kosto dhe pagesat mujore janë themelore”.
Para disa vitesh, Vocka krijoi një firmë për administrimin e pallateve, por tashmë është shkëputur nga kjo punë.
“E kuptova që nuk ishte e lehtë,” thotë ai, duke shtuar se bashkëbisedimi me banorët ishte shumë i vështirë dhe po aq edhe grumbullimi i pagesave mujore.
Inxhinier elektrik për nga profesioni, Vocka punoi disa vjet në këtë sektor, që sipas tij ka 1001 probleme për të zgjidhur. Marrëdhënia mes firmës dhe grupit të banorëve rregullohet me një kontratë për zbatimin e së cilës në praktikë nuk ka asnjë garant. Trokitja në dyert e bashkisë për bashkëpunim dhe mbështetje nuk ka marrë përgjigje thuajse asnjëherë.
Mungesa e mirëmbatjes shkaktoi tragjedi
Që nga viti 1990, Durrësi e ka trefishuar popullsinë duke arritur në 210 mijë banorë. Qyteti jetonte kryesisht në shtëpi të ulëta, ose në pallate që nuk i kalonin të pesë katet. Aktualisht qytetarët përballen me pallate 2-5 herë më të larta dhe me problematika shumë herë më të mëdha. Në një pallat të ndërtuar mbi një truall prej 1600 metra katrorë sot banojnë deri në 160 familje. Jo vetëm kaq, por dy katet e para zakonisht janë dyqane shërbimesh nga më të ndryshmet, nga qendrat e vogla tregtare deri te kafenetë dhe lojrat e fatit.
Linda Hoxha thotë se dhjetra pallate në Durrës vazhdojnë të jenë të pahipotekuara duke filluar nga mesi i viteve 2000 dhe kjo përbën një pengesë reale për bashkëpronësinë dhe bashkëjetesën në sipërfaqet e përbashkëta.
“Kur u shpall ligji “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit” banorët e pallatit ku jetoj menduan se çdo gjë do të ishte e lehtë,” tregon Linda. “Salla në mbledhjet e asamblesë që krijuam menjëherë ishte plot. Por vetëm kaq. Gjithçka u shfry shumë shpejt”.
Një jurist u ka shpjeguar banorëve se asambleja e themeluar e atij pallati nuk mund të konstituohej ligjërisht dhe se nuk mund të regjistrohej në gjykatë, siç e kërkonte legjislacioni i ri.
“Pallati ynë vazhdon të jetë i pahipotekuar edhe sot, ne nuk konsiderohemi pronarë zyrtarisht dhe as ligji i ri nuk na ndihmonte dot. Për fat të mirë nuk na ka ndodhur ndonjë ngjarje e pazakontë,” thotë Linda. “Mos harroni që jetojmë 80 familje në një hyrje,” shton ajo.
Por nëse në rastin e pallatit ku jeton Linda Hoxha nuk ka ndodhur asgjë, mungesa e mirëmbajtjes shkaktoi tragjedi disa pallate më tutje. Ajo kujton me dhimbje rastin e ashensorit që tre vjet më parë mori jetën e një fëmije dhe plagosi rëndë kushëririn e tij, moshatar me të.
Rrema, një burrë që jeton në pallatin ku ndodhi ngjarja i tha BIRN se tragjedia i ndodhi një familjeje emigrantësh.
“Kishin ardhur me pushime së bashku me prindërit në apartamentin e tyre pranë Currilave,” kujton ai.