Interviste14 Oct 2016

Agron Kapllanaj: Kemi investuar në infrastrukturë, pavarësisht bllokimit nga qeveria

Një vit pas marrjes së mandatit në krye të bashkisë së Mallakastër, BIRN Albania intervistoi kryetarin e bashkisë Z. Kapllanaj lidhur me përmbushjen e premtimeve elektorale, bazuar mbi shqetësimet e ngritura nga vetë banorët e kësaj zone.

Autor: Arben Velo BIRN Mallakastër
Printo

Agron Kapllanaj

Agron Kapllanaj

Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Mallakastër?

Natyrshëm që  nuk mund të arrish gjithçka qysh në vitin e parë të qeverisjes, por nëse ekziston dëshira për të punuar dhe mbështetja e administratës gjithçka arrihet. Një nga arritjet e drejtimit tim të Bashkisë Mallakastër është vënia në eficensë e administratës, kthimi i saj në shërbim real ndaj qytetarëve.

Ndërsa arritje tjetër është pastrimi i gjithë hapësirës territoriale të Bashkisë Mallakastër nga mbetjet. Dihet që kjo bashki ka një shtrirje të gjerë kryesisht kodrinore dhe paraqiste vështirësi në pastrim të territorit saj punës dhe bashkëpunimit me qytetarët, me njësitë e administrimit vendor dhe me drejtuesit e ndërmarrjes së pastrimit pranë bashkisë  si dhe kontraktuesit, arritëm të kemi të pastruar nga mbetjet urbane  dhe të mbajmë nën kontroll të plotë këtë hapësirë. Arritje mund të përmend këtu është dhe  rikthimi i hapësirave publike për qytetarët. Shumë sipërfaqe toke, trojesh etj ishte e zaptuar jo ligjërisht nga individë apo grupe individësh. Ne arritëm që vetëm me një vit qeverisje të rikthejmë këto hapësira në pronësi  publike.

Ndërsa arritje të tretë mund të quaj vënien  e infrastrukturës në shërbim të qytetarëve, pavarësisht rrugës tërësisht bllokuese të bashkëpunimit me qeverinë qendrore, brenda një viti kemi arritur të investojmë në infrastrukturë rrugore në qytet dhe në zona rurale, duke e bërë të ndjeshme këtë investim dhe rehabilitim të infrastrukturës me paratë e taksapagueseve mallakastriotë.

Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?

Bashkia Mallakastër ka kryer mjaft takime konsultative me qytetarët. Kjo sidomos për thithjen e mendimit të qytetarëve në zërat e buxhetit të  vitit, përpara hartimit dhe kalimit të tij në këshillin bashkiak. Po kështu takimet konsultative kanë vijuar edhe  për investimet, shpenzimet e të ardhurave duke marrë mendimin qytetar për këto zëra të rëndësishëm të buxhetit bashkiak. Ky ka qenë edhe një nga premtimet e kryetarit të bashkisë gjatë fushatës elektorale. Pjesëmarrja e gjerë e qytetarëve për hartimin e politikave investuese dhe drejtues të bashkisë. Këtë e kam realizuar dhe do ta realizoj përherë. Me anë të takimeve të tilla kam arritur që së bashku me administratën që drejtoj të ulim taksën në nivelin 30% dhe ky një tjetër premtim i mbajtur i kryetarit të bashkisë.

Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?

Në punën e një kryebashkiaku ka mjaft sfida që i dalin përpara dhe që kërkojnë vullnet dëshirë dhe punë për t’i kapërcyer. Një nga sfidat kryesore është infrastruktura rrugore. Ne kemi bërë shumë projekte për përmirësimin e kësaj infrastrukture në Mallakastër,pra për gjithë zonën. Projektet  janë hartuar duke patur parasysh edhe përvojën e viteve të mëparshme sidomos në infrastrukturë për ish Komunën Qendër. Kështu ndër projektet mund të përmend atë të shëtitores në qendër të qytetit,  rrugët në lagje të Ballshit, rehabilitimin e sheshit kryesor të qytetit, etj Kjo është edhe sfida  kryesore. Po e quaj kryesore pasi infrastruktura në Bashkinë Mallakastër është e shkatërruar. Sfida e dytë është ajo sociale. Këtu përfshihet sidomos plaga e thellë e që dhemb për mallakastriotët,-punësimi. Pas mbylljes së UPTHN  për shkak të politikave abuzuese  e korruptive në drejtimin e saj dhe heshtjes totale të shtetit, pa punë dhe pa marrë rrogën prej një viti kanë mbetur më shumë se një mijë punëtorë dhe familjet e tyre. Kjo është sfidë mjaft e vështirë duke patur parasysh edhe kompetencat e Bashkisë në politikat e punësimit.

Sfida e tretë ka të bëjë me fermerët, me frutikulturën dhe blegtorinë. Mallakastra ka si pasuri të saj këtë fushë, vreshtaria, pemëtaria dhe blegtoria tashmë po vuajnë pasojat e keqqeverisjes dhe mungesës së subvencionimeve reale dhe jo në letra në këto drejtime. Sfida e ujit të pijshëm ngelet një sfidë e vështirë. Deri tani rreth 30% e  banorëve nuk furnizohen me ujë të pijshëm administratori i ri i ndërmarrjes së ujësjellësit  po punon shumë mirë për furnizimin me ujë të popullatës.  Kjo në bashkëpunim me titullarin e bashkisë, administratën dhe natyrshëm edhe me bashkëpunimin e policisë bashkiake. Po kështu  është vënë në eficensë të plotë ujësjellësi aktual duke u shtuar oraret e furnizimit rritur cilësia e sasia e ujit në shtëpitë e banorëve etj. Janë ndërtuar katër ujësjellës të rinj.

Mallakastra është një zonë kodrinore me blegtori, pemëtari dhe vreshtari. Si po ecet në drejtim të nxitjes së tregtimit dhe promovimit të produkteve të blegtorisë, pemëtarisë, veçanërisht ullirit dhe vajit të ullirit?

Pas 25 viteve  kemi vënë në eficensë dhe në shërbim të fermerëve ujëmbledhësin e Kutë-Corrushit brenda këtij muaji  do të kenë mundësi të vaditjes së fushës në Kutë për qindra fermerë. Kjo u arrit pas punës së Bordit të Kullimit të ngritur pranë bashkisë tonë. Në fakt politikat e promovimit dhe të mbështetjes së fermerëve kryhen nga ana e qeverisë nëpërmjet politikave të saj qendrore. Por ajo që dua të them është minimizimi në skaj i subvencioneve, fermerët tashmë e ndiejnë vetën të braktisur. Ne si bashki  kemi krijuar hapësira që të ndihmojmë këta fermerë nëpërmjet pastrimit dhe thellimit të kanaleve në zonat ku kryhen vaditje nëpërmjet tyre si në fushën e Kutës si dhe në krijimin e lehtësirave për tregjet e fruta perimeve dhe gjësë së gjallë.

Cilat janë ndërhyrjet që keni ndërmarrë gjatë këtij viti të ushtrimit të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore, apo shëndetësore në bashkinë Mallakastër?

Bashkia Mallakastër ka nisur të punoj në këto momente që flasim për  përmirësimin e infrastrukturës në lagjen “Gllavenica” investimi këtu është total, në rrugë, kanalizime, ndriçim, gjelbërim etj. Fondet janë të taksapaguesve mallakastriotë, pra të Bashkisë Mallakastër. Sakaq po punojmë për mirëmbajtjen e  rrugëve rurale, por nuk kemi marrë mbështetje nga pushtetit qendror, duke u parë me syrin e njerkës. Qeveria shqiptare ka dhënë zero lekë për bashkinë tonë ndërsa po punojmë për rikonstruksionin e pjesshëm të godinave shkollore më të ardhurat tona po kështu edhe në mirëmbajtjen e qendrave shëndetësore.

Çfarë është realizuar lidhur me përmirësimin e mjedisit, mbrojtjen nga ndotja duke qenë se në Ballsh ushtron veprimtarinë e vet UPTHN si dhe një zonë naftëmbajtëse?

Mjedisi është një nga prioritetet tona  . Si pikënisje të gjithçkaje kemi patur uljen e nivelit të ndotjes në rajon. Kjo për shkak edhe të operimit në zonë të kompanive naftën-nxjerrëse por edhe naftë-përpunuese. Kemi bërë përpjekje që këto kompani mbetjet e tyre , përfshi edhe ujin ta injektojnë sërish nëpërmjet metodave të tyre nën nëntokë. Kërkesa e jonë legjitime është,; asnjë pikë ujë i ndotur dhe me hidrokarbure të mos shkarkohet në  natyrë.”! Kemi marrë premtime prej tyre Natyrshëm që ka disa përmirësime Por duhet ende punë për ta evituar këtë rrezik. Ne nga ana e jonë veç  këtyre kemi  deklaruar se nëse derdhen mbetje prej nafte do të ndërhyjmë me kompetencën që na jep ligji për të shkuar deri në bllokim të aktivitetit të tyre.

A keni shërbim të heqjes së mbeturinave në të gjithë territorin e bashkisë Mallakastër?

Në bashkinë tonë operohet për heqjen e mbetjeve nëpërmjet një kontraktori për zonat rurale dhe drejtorisë së pastrimit në bashki për zonën e qytetit. Mallakastra e sipërme pastrohet prej kontraktorit. Deri tani shërbimi është i mirë dhe pastrimi kryhet pa probleme. Po kështu edhe në qytet. Në të gjithë territorin kryhen kontrolle të njëpasnjëshme për të parë pastrimin dhe heqjen e mbetjeve.