Qindra aktivistë të nismës PërPubliken dhe qytetarë të Tiranës marshuan të shtunën nga Bashkia e Tiranës drejt Parkut të Liqenit për të kërkuar ndalim të punimeve dhe transparencë të procedurave, në një protestë që shkoi përtej çështjes së këndit të lojërave temë e debatit pasi protestuesit hodhën parulla kundër qeverisë, kundër koncesioneve dhe kundër partive politike në përgjithësi.
Protestuesit mbanin në duar pankarta si “Kundër betonizimit”, “Pa gjelbërim s’ka jetë”, “ndërtim i paligjshëm dhe arbitrar”; dhe kënduan këngë kundër kryebashkiakut Veliaj.
Prej tre ditësh aktivistët mjedisorë kanë organizuar një rezistencë “sit-in” në zonën ku po ndërtohet parku polemik i lodrave. Që prej një muaji nga fillimi i papritur i punimeve në zonën e liqenit, aktivistët kanë kundërshtuar me vendosmëri punimet dhe kanë kërkuar transparencë.
Ndërsa kalonin para Pallatit të Kongreseve, ku Partia Socialiste zhvilloi sot me dyer të mbyllura kongresin e saj të parë në shumë vite, protestuesit bërtitën “qeveri fashiste” dhe shanë disa masa të saj në drejtim të dhënies me koncesion të shërbimeve të ndryshme publike dhe ligjit kundër Arsimit të Lartë.
“Ne kërkojmë transparencë të projektit dhe dëgjesa reale me shoqërinë civile. I kemi dërguar bashkisë kërkesat tona që prej një jave,” tha në protestë Ervin Goci, aktivist.
“Këto protesta po e vënë përpara testeve pushtetin dhe vetëm sa tregojnë se kryetari i bashkisë Erion Veliaj nuk po administron qytetin, por po mbron krimin mjedisor,” shtoi ai.
Situata u tensionua kur qindra qytetarët protestues u vunë përballë me policinë bashkiake që po mbronte gardhin metalik dhe kërkuan të lejoheshin të hynin në kantierin e ndërtimit. Atyre iu mohua kjo kërkesë dhe atëherë protestuesit zgjodhën mënyrë alternative të protestimit.
Ata i erdhën disa herë vërdallë kantierit të ndërtimit të parkut dhe kënduan këngë për të shprehur revoltimin e tyre me sjelljen jotransparente të bashkisë së Tiranës.
“Ne besojmë se betonizimi i parkut do të vazhdojë zinxhir dhe ky institucion bashkiak e ka shkatërruar dialogun me qytetarët,” thanë protestuesit.
Përgjatë marshimit të tyre protestuesit hodhën lule të zeza ndaj Kryeministrisë dhe i bënë thirrje publikut të mbrojë interesat e publikut.
Ata dënuan gjithashtu dhunën mbi ambientalistët nga policia bashkiake dhe tre ditë më parë nga pronarët e skelave Kassel ndaj disa aktivistëve.
“I bëjmë thirrje kryebashkiakut të ndalë punimet, kryeministrit Rama të sigurojë zbatimin e ligjit, kryeparlamentarit Meta të rishqyrtojë procedurat, Këshillit Bashkiak të mbikëqyrë procedurat e Bashkisë, si dhe prokurorisë të ndalojë menjëherë punimet”, u shpreh në protestë aktivistja Rezearta Çaushaj.
“Ne qytetarëve po na përjashtojnë nga qyteti, nga parku, nga universiteti dhe nga të drejtat tona themelore. Ne nuk duam të jemi qytetarë vetëm në ditën e votimit, por sa herë e ndjejmë të nevojshme,” tha aktivisti Jani Marka.
Aktivistët propozuan ndërtimin e parqeve të lodrave për fëmijë në zona të ndryshme të qytetit, pa pasur nevojën e grumbullimit të të gjithë fëmijëve në një vend.
“Ky park nuk do të jetë falas për fëmijët, sepse shërbimet me të do të ofrohen përkundrejt pagesës ndaj pronarë privatë që dhunojnë protestuesit,” u shprehën aktivistët.
“Politika duhet të ndahet nga fitimet e biznesit. Kryebashkiaku është marrë peng nga sponsorizuesit e fushatës së tij dhe po na merr të gjithëve peng që të shlyej borxhet e tij përmes parkut si justifikim,” akuzuan protestuesit.
Aktivistët mjedisorë paralajmëruan vazhdimin e protestave dhe kërkuan transparencë totale ndaj projektit.
Të shtunën mediat raportuan shqetësimin e ngritur te Ministria e Mjedisit nga Rrjeti Global Virutal i Shkollave për Zhvillimin e Qëndrueshëm përmes një letre ku kërkohej respektimi i Konventës së Arhusit.
Më herët aktivistët shqiptarë i dërguan letër Ministrisë së Mjedisit dhe Këshillit Bashkiak të verifikojnë lejen mjedisore për projektin dhe shprehën vendosmërinë të çonin përpara projektin.
Vizito www.facebook.com/reporteralbania për më shumë foto dhe video