Interviste9 Sep 2016

Arben Malo: Po tërheqim financime për qendrat e qyteteve, prioritet bujqësia dhe blegtoria

Një vit pas marrjes së mandatit në krye të bashkisë së Kolonjës, BIRN Albania intervistoi kryetarin e bashkisë Z. Malo lidhur me përmbushjen e premtimeve elektorale, bazuar mbi shqetësimet e ngritura nga vetë banorët e kësaj zone.

Autor: Dhorjela Cule BIRN Kolonjë
Printo

Arben Malo

Arben Malo

Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Kolonjë?

Premtimet e mia si kryetar bashkie janë të shumta, por me konkretet dhe ku ne jemi fokusuar për t’i realizuar janë:

– Kemi premtuar një bashki më të pastër dhe ky është një premtim i mbajtur megjithëse kemi shumë për të bërë në këtë drejtim. Bashkia jonë sot ofron një shërbim të pastrim-gjelbërimit më efikas, jo vetëm për një mjedis më të pastër, por edhe për më shumë gjelbërim.

– Vazhdimësia e projekteve për vitalizimin e qendrës së qytetit të Ersekës (fasada, pedonale dhe gjelbërim), si dhe futja në rrugën e zgjidhjes për thithjen e investimin për rehabilitimin e hyrjes së qytetit të Leskovikut.

– Investime në të gjithë ujësjellësat e qendrave të banuara, si investimi në rrjetin e brendshëm të ujësjellësit Ersekë, zgjidhja emergjente e ujësjellësit të qytetit Leskovik, ujësjellësi i fshatrave Mollas Qafzës, këto projekte një pjesë të financuara dhe pjesa tjetër në rrugën e zgjidhjes.

– Promovimi i turizmit në përgjithësi, turizmin malor, historik dhe atë kulturor.

Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?

Një nga përgjegjësitë e mia kryesore për qeverisjen e bashkisë Kolonjë është transparenca me publikun, ku kjo është realizuar nëpërmjet takimeve me grupet e interesit për shumë projekte që po zbatohen në Kolonjë dhe të tjera që janë në rrugën e zgjidhjes si në drejtim të infrastruktures, turizmit, bujqësisë, mjedisit etj. Kemi krijuar portalin ueb të bashkisë Kolonjë: kolonja.gov.al për të mbajtur gjithmonë të informuar qytetaret.

Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?

Për të pasur një bashki model në drejtim dhe shërbimet që ofrojmë në bashkëpunim të ngushte me qeverinë shqiptare dhe donatorë të huaj, po mundësohet përthithja e fondeve për të ndërhyrë në këto drejtime:

– Për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm në qytetet Ersekë, Leskovik dhe në disa njësi administrative. Janë mbyllur projektet, pritet financimi dhe fillimi i punimeve.

– Përmirësimin e infrastrukturës (rrugë rurale, ndriçim, etj)

– Për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm malor, kulturor dhe historik.

– Menaxhimin e mbetjeve urbane dhe gjelbërimit.

Sa prej fshatrave kanë arritur të furnizohen plotësisht me ujë të pijshëm dhe të kenë rrugë të reja gjatë këtij viti të parë të drejtimit?

Bashkia Kolonjë përbehet nga 7 njësi administrative dhe shtrihet në një territor me sipërfaqe të madhe, me fshatra të vegjël dhe të shpërndarë. Në vitin e parë të qeverisjes jemi kujdesur që të mirëmbajme të gjithë ujësjellësat ekzistues dhe të mos mungojë uji i pijshëm. Njëkohësisht jemi duke studiuar dhe projektuar disa ujësjellësa të rinj në bashkëpunim me disa donatorë, së shpejti do të fillojë investimi në ujësjellësin Leskovik për të rritur sasinë e ujit si dhe zgjidhja përfundimtare me projekt të ri të ujësjellësit Mollas Qafzës.

Infrastruktura rrugore rurale po përmirësohet çdo ditë në mirëmbajtjen e rrugëve ekzistuese. Është ndërtuar një rruge e re në shërbim të fermerëve të Leskovikut (Leskovik Vreshta), një premtim i joni ky, por që në të ardhmen do të shtrihet në të gjithë zonën e vreshtave të Leskovikut.

Zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë, cili ka qenë plani i masave për mbështetjen e këtyre dy sektorëve dhe a ka sjellë rritje konkrete të shifrave të punësimit krahasuar me një vit më parë?

Zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë është një prioritet i imi. Kolonja ka një shtrirje territoriale me kullota dhe pyje të shumtë, gjë që favorizon shtimin e blegtorisë, ku pikësynimi ynë është përmirësimi racor në kushtet klimaterike dhe mjedisore të bashkisë sonë. Por njëkohësisht po punohet dhe për zhvillimin e bujqësisë dhe kryesisht në kultivimin e arroreve (arrave, gështenjave, lajthive etj).

Zona spikat për relievin malor, sa është zhvilluar turizmi si një paketë ku ndërthuret aspekti i turizmit malor, historik dhe kulturor? A është punuar për orientimin e banorëve të zonës për ta parë këtë si një perspektivë zhvillimi?

Po hartohet një paketë e plotë për zhvillimin e turizmit, kemi bërë fushatë promovimi lidhur me turizmin në përgjithësi, si atë malor, historik e kulturor.

Sa ka arritur bashkia të mbështetë të rinjtë për t’u ofruar atyre formimin profesional? A janë ngritur qendra të formimit profesional,po pika të informacionit turistik ku mund të punësohen të rinjtë?

Bashkia Kolonjë mundohet që të jetë gjithëpërfshirës për të rinjtë e bashkisë duke synuar angazhimin e tyre në shumë fusha, sidomos atë të turizmit për krijimin e guidave turistike në gjuhë të ndryshme të ofruara prej tyre në mbështetje të zhvillimit të këtij sektori. Gjithashtu dhe krijimi i një qendre rinore, kjo në fazën e krijimit dhe thithjen e donatoreve.

Cilat hapa janë ndërmarrë lidhur me mbrojtjen dhe rigjenerimin e pyjeve të zonës?

Kolonja ka sipërfaqe pyjore model, ku shtrihet pothuajse në gjysmën e territorit të bashkisë. Janë ngritur të gjitha strukturat për mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve dhe kullotave, rezultatet janë të menjëhershme, po punohet për realizimin e disa projekteve për pyllëzime të reja.