Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Belsh?
Kemi siguruar fondin për projektin e qendrës “Ansambli Rilindja Belsh”. Kemi arritur të krijojmë një mjedis më të pastër duke bërë të mundur vendosjen e konteniereve në 29 fshatra të Bashkisë Belsh. Kemi berë të mundur përmirësimin e sistemit të ujitjes me rrjedhje të lirë në fshatrat Trojas, Rrenas, Grekan, Cestije, Dragot, Marinëz. Në këto fshatra me burime ujore kryesisht liqenet, kemi pastruar dhe rikonstruktuar sistemin e kanaleve ujitëse dhe veprat e artit duke bërë të mundur rritjen e sipërfaqes së vënë nën ujë dhe rritjen e normës së ujit të disponueshme për njësi sipërfaqeje.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Aplikuam për herë të parë praktikën e hartimit të buxhetit të Bashkisë për vitin 2016 me pjesëmarrjen e komunitetit në Njësitë Vendore Kajan dhe Grekan. Kemi vëne në dispozicion portalin “Përmirëso Qytetin”, ku qytetarët mund te shprehin problematikat e tyre të ndryshme. Kemi krijuar një faqe zyrtare të bashkisë në facebook ku qytetarët mund të kontaktojnë me Bashkinë për çdo informacion që kërkojnë.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Sfida e parë e Bashkisë Belsh mbetet sigurimi i ujit të pijshën me normat dhe standartet teknike për të gjithë fshatrat e territorit të saj. Krijimi i kushteve për grumbullimin dhe shitjen e produkteve bujqësore të fermerëve të territorit tonë. Vënien në funskion të sistemit të vaditjes në të gjithë territorin e Bashkisë Belsh.
Çfarë është bërë në vitin e parë të mandatit në drejtim të furnizimit me ujë të pijshëm dhe të vaditjes?
Në në këtë kuadër aktualisht jemi në aksion në prerjen e lidhjeve të paligjshme dhe në rritjen e normës së ujit për banor. Në vazhdim jemi duke kryer procedurat e kalimit të ujësjellësit në administrim të Bashkisë Belsh.
Çfarë është bërë në lidhje me mbështetjen e kultivuesve të duhanit dhe shoqatës, nënshkrimit të një kontrate kolektive, ndërtimin e tregut dhe dhomave frigoriferike për produktet bujqësore të zonës?
Kemi insistuar vazhdimisht për mbështetjen e fermerëve në takimet e zhvilluara me përfaqësuesit e firmës së duhanit dhe Agjencinë e Duhan-Cigareve. Po lobojmë dhe po punojmë për miratimin e ligjit të ri për duhanin ku rritet ndjeshëm mbrojtja e prodhuesit nga abuzimet dhe mosrespektimi i kontratës. Bashkia Belsh nëpërmjet vënies në dispozicion të objekteve të saj dhe investimeve private është në proces të ngritjes së pikave të grumbullimit dhe dhomave frigoriferike.
Çfarë hapash keni ndërmarrë për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe ujërave të ndotur të liqeneve të Belshit?
Kemi arritur të bejmë pastrimin total të 5 venddepozitimeve ekzistuese të mbetjeve si dhe organizimin dhe funksionimin e një vendgrumbullimi të vetëm për të gjithë territorin e Bashkisë Belsh. Kemi marrë masa për ndalimin e ndotjes se ujërave të liqeneve. Kemi gati projektin e depuratorit dhe jemi në kërkim të investitorëve. Kemi kërkuar dhe po këmbëngulim pranë instancave kompetente dhe ligjvënëse për ndryshime në organizimin dhe menaxhimin e burimeve ujore (liqeneve) që ndodhen në territorin tonë.