Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Dropull?
Duke ju falënderuar për intervistën do të thosha se tre arritjet kryesore të bashkisë së re të Dropullit janë si më poshtë:
Organizimi i bashkisë në bazë të ish-komunave ekzistuese, unifikimi i 3 njësive administrative dhe koordinimi i punës për krijimin e strukturës së bashkisë, të cilat janë bërë me dije dhe vullnet të një niveli të lartë. Struktura e re ka në përbërje të saj 98 punonjës, përfshirë të gjitha agjencitë dhe sektorët e bashkisë. Duke e krahasuar me ish-komunat është rritur niveli i punësimit dhe i organizimit në bashki, e cila ka një popullsi prej 23.000 banorësh.
Ulja e taksave është arritja e dytë e bashkisë për vitin e parë. Taksa e ujit të pijshëm në njësinë administrative të Dropullit të Poshtëm është ulur në masën 50 % duke çliruar kështu një pjesë të madhe të popullsisë nga një taksë e tepërt. Është duke u shqyrtuar çështja e unifikimit të sistemit tatimor për tërësinë e bashkisë, gjë që do të çojë në uljen e mëtejshme të tatimit të qytetarëve të bashkisë.
Pastrimi i shesheve të qendrave të banuara të bashkisë për t’i bërë sa më njerëzore dhe më të afrueshme për qytetarët. Bashkia e Dropullit ka 41 fshatra dhe është për tu adhuruar puna e bërë nga bashkia në fushën e pastrimit, gjë që pasqyrohet edhe në jetën e qytetarëve të bashkisë. Kjo gjë është më e theksuar në fshatrat e mëdha të bashkisë si Jergucat, Derviçan, Goranxi, Bularat, Bodrishtë, etj.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Në plan të parë të punës sonë është gjithnjë shërbimi sa më i mirë i popullsisë. Për këtë qëllim kam lënë takim dy herë në javë me qytetarët në bashki si dhe mbledhjet e Këshillit Bashkiak bëhen gjithnjë të hapura për qytetarët, çdo vendim i Këshillit Bashkiak ose urdhër publikohet qoftë në internet, qoftë në çdo njësi administrative dhe fshat. Ndërkohë, takimet e shpeshta në çdo fshat, lagje fshati, konsultat e njëpasnjëshme janë bërë pjesë e pandarë e veprimtarisë së bashkisë duke njohur kështu nga afër çdo problem që shqetëson qytetarët.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Sfidat kryesore që duhet të përballet bashkia brenda këtij mandati 4-vjeçar janë:
-Organizimi dhe depozitimi i mbetjeve urbane. Shpresoj që deri vitin tjetër të sigurojmë një numër të kënaqshëm të koshave të plehrave dhe makinave grumbulluese. Deri tani është miratuar vend-depozitimi i mbetjeve urbane të bashkisë nga Prefekti i Qarkut dhe Ministria e Mjedisit.
-Sigurimi i ujit të pijshëm në vazhdimësi për të gjitha fshatrat e bashkisë. Ky problem është më alarmues në fshatrat e Dropullit të Poshtëm ku ka fshatra që janë me ditë të tëra pa ujë. Miratimi i investimit të burimit të Peshkëpisë do ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë sigurimin me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët e Bashkisë.
-Shtrimi me beton ose asfalt i rrugëve rurale. Njësia administrative e Pogonit malor me natyrë të gjallë dhe bukuri natyrore të rrallë është lënë pas dore për më shumë se 7 dekada. Është mëse i ngutshëm rikonstruksioni i rrugës ekzistuese të Pogonit (atje mund të shkohet vetëm me automjet të tipit 4×4). Bashkia nuk disponon grantin e nevojshëm financiar për ndërtimin e kësaj rruge e cila në aksin ndërbashkiak ka rreth 18 km rrugë (Suhe – Poliçan ) si dhe 25 km të tjera brenda bashkisë (Poliçan – Sopik dhe Poliçan – Çatistë ).
Si një përfaqësues i opozitës si e vlerësoni ecurinë e reformës së re territoriale?
Si përfaqësues i opozitës, por edhe si pjesëtar i minoritetit etnik grek, reformën e re territoriale nuk e konsideroj të plotë. Për sa i përket bashkisë që unë drejtoj, reforma territoriale duhet të shoqërohet me fondet përkatëse financiare, kjo për faktin që bashkia është e re dhe largësitë ndërmjet qendrave të banuara janë mjaft të mëdha (largësia midis fshatrave Koshovicë – Çatistë është 75 km).
A keni gjetur mbështetje të njëjtë si bashkitë e mazhorancës në dhënien e grantit nga qeveria dhe financimet për investime?
Vështirësitë në dhënien e grantit nga Ministria janë të dukshme. Fakti që jemi bashki opozitare si dhe fakti tjetër që banorët në pjesën dërrmuese, mbi 95 %, janë grekë minoritarë përbëjnë dy pretekste, sipas mendimit tim, për aneksimin e bashkisë nga granti i Ministrisë ose për uljen e dukshme të tij. Për sa i përket financimeve për investime, ato në rastin e bashkisë sonë nuk ekzistojnë aspak. Vetëm ky fakt tregon “interesimin” e Qeverisë për një bashki opozitare si e kjo e jona. Duke parë financimin për investime në bashkitë fqinje dhe shumë më të vogla se ne, dalim në konkluzionin që qeveria mban dy qëndrime krejtësisht të kundërta për bashkitë e mazhorancës dhe të opozitës. Pre e kësaj politike është edhe bashkia jonë.
Cilat janë marrëdhëniet me Këshillin e Bashkisë dhe sa ka ndikuar bashkëveprimi politik në ecurinë e bashkisë në harkun e një viti?
Marrëdheniet me kryetarin dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak janë mëse miqësore dhe të sinqerta, gjë që ka çuar edhe në zgjidhjen e shpejtë të problematikës së Këshillit. Vlen të theksoj se deri më sot vendimet e Këshillit Bashkiak janë marrë në unanimitet të plotë. Besoj se dhe në të ardhmen ky bashkëpunim do të zgjerohet më tej pavarësisht se në Këshillin Bashkiak, koalicioni që unë përfaqësoj përbën opozitën dhe jo mazhorancën.
A keni hedhur hapa këtë vit në zhvillimin e sektorit turistik dhe nxitjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në zonën e Dropullit?
Gjatë këtij viti, kemi hedhur hapat e para në zhvillimin e turizmit dhe nxitjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në zonën e Dropullit, duke qenë se ky sektor ka qenë krejtësisht i pazhvilluar. Hapi i parë që kemi bërë është hartimi i strategjisë së turizmit në zonën e Dropullit. Fillimisht kemi studiuar imtësisht mundësitë dhe llojet e turizmit që mund të zhvillohen në zonën tonë. Duke pasur parasysh prirjen e njeriut modern për largimin nga qytetet dhe rutina e përditshme, turizmi në përgjithësi dhe, në veçanti turizmi natyror, kulturor, fetar, gastronomik e agroturizmi duken si llojet më të mundshme të turizmit në Dropull. Zona e Dropullit është një zonë e konsiderueshme ekologjike, por me një mjedis të pashfrytëzuar. Ajo disponon bukuri natyrore vërtetë të mahnitshme. Turizmi kulturor mund të zhvillohet shkëlqyeshëm sepse Dropulli është i pasur me vende arkeologjike, monumente kulturore, historike, kulte bizantine e pasbizantine të cilat formojnë një itinerar të veçantë me përmbajtje historike, kulturore dhe fetare që do të dëshironte çdo udhëtar. Gjithashtu, shkëlqyeshëm mund të zhvillohet dhe turizmi gastronomik sepse zona jonë garanton standarde të larta sigurie, pastërtie, gatime të bazuara në cilësi të lartë të produkteve dhe në kuzhinën tradicionale të zonës.