Reportazh19 May 2016

Autostrada e re rrënon bizneset e rrugës së ‘vjetër’ të kombit

Pesë vjet pas hapjes së autostradës që lidh Shqipërinë me Kosovën, dhjetra banorë dhe biznese të ndërtuara përgjatë rrugës së vjetër po përballen me falimentimin dhe izolimin, ndërsa pak prej tyre ia kanë dalë të gjejnë burime të reja për mbijetesë.

Autor: Bashkim Shala BIRN Fushë Arrëz
Printo

Fushë-Dukagjin. Aty ku ndan rruga e vjetër me autostradën. Foto: Bashkim Shala

Fushë-Dukagjin. Aty ku ndan rruga e vjetër me autostradën. Foto: Bashkim Shala

Për pesë dekada me radhë, Lekë Preçi priti mijëra udhëtarë me aromën e kafesë të sapopjekur turke, të cilën e bluante me një mulli të vjetër Stambolli në lokalin e tij në anë të rrugës që lidh fshatin Lajthizë të Kukësit me qytezën e varfër të Fushë-Arrëzit.

Prej mesit të viteve ’70 në Shqipërinë komuniste, kafja e Lekës shërbeu si një stacion i rëndësishëm për banorët e zonës dhe kamionët e tonazhit të rëndë, të cilët transportonin dru, çimento apo mallra të tjerë drejt veriut të vendit. Ndërsa sot, ndërtesa dy-katëshe me xhama të thyer është e kyçur dhe e braktisur.

“Leka nuk del më, rri në shtëpinë e tij, ndërsa dy djemtë e tij kanë shkuar në Gjermani si azilantë,” i tha BIRN një banor i zonës.

Lekë Preçi u kthye në “një monument” të gjallë të Shqipërisë së Veriut, bashkë me Marijen në Milot dhe Iliaz Brinë në Shëmri të Kukësit. Që prej përfundimit të rrugës së Kombit, pranverën e vitit 2009, rëndësia e tre lokaleve të njohur përgjatë rrugës së vjetër u zbeh, ndërsa pronarët e tyre po përballen me braktisjen pa kthim të zonës.

Rruga e vjetër që lidh Shkodrën me Kukësin u ndërtua mes viteve 1939-1944, falë një kredie prej 50 milionë frangash ari, të dhëna nga qeveria fashiste e Benito Musolinit për Shqipërinë. Bashkë me aksin tjetër verior të Dibrës, dy rrugët simbolizonin interesin strategjik të italianëve për një korridor që lidhte Shqipërinë me pjesën tjetër të Ballkanit.

Prej vitit 2009, rruga e vjetër doli në “pension”, pasi u zëvendësua me autostradën Shqipëri-Kosovë, duke përmirësuar cilësinë dhe shkurtuar kohën e udhëtimit. Megjithatë, infrastruktura e re ka shkaktuar edhe dëme anësore; dhjetra biznese përgjatë rrugës së vjetër Shkodër-Pukë, Fushë Arrëz-Kukës janë mpakur ose kanë falimentuar.

Përgjatë dy dekadave të fundit, arteria e vjetër shërbeu si burim të ardhurash për banorët e zonës së varfër të Kukësit dhe Fushë-Arrëzit, të cilët investuan paratë e pakëta për ndërtimin e lokaleve dhe restoranteve buzë rrugës. Autostrada e re nxorri një pjesë prej tyre jashtë funksionit, ndërsa shumë të tjerë u detyruan të kërkonin rrugë të reja për mbijetesë.

Tranzicioni i vështirë

Dy kilometra larg kafenesë së braktisur të Lekës Preçit, në drejtim të Fushë-Arrëzit, edhe hotel “Bora” ka mbyllur prej vitesh dyert. Gjon Nikolli, pronar i ndërtesës i tha BIRN se kishte harxhuar mbi 200 mijë euro për ndërtimin e tij, pa e ditur se cilat ishin planet e qeverisë për zonën.

Hotel “Bora” ishte ndërtuar përgjatë viteve 1994-1996, ndërsa kulmi i aktivitetit të saj ishte gjatë ardhjes së kosovarëve në vitin 1999.  Me përfundimin e plotë të autostradës, Nikolli  u detyrua t’i vinte kyçin hotelit si shumë banorë të tjerë në zonës përgjatë rrugës Pukë-Kukës.

“Pas hapjes së rrugës së Kombit e mbajta edhe dy muaj të tjerë hapur sa për nostalgji dhe më pas e mbylla, pasi askush nuk hynte brenda,” i tha Nikolli BIRN.

Nikolli thotë se nevoja për të mbijetuar e shtyu drejt një rruge të re, duke e fokusuar biznesin tek ndërtimi i një stabilimenti për prodhimin e ujit. Ai shton se mori një kredi 300 mijë euroshe në bankë për investimin e ri dhe sot ka të punësuar 15 punëtorë nga zona. Prej gjashtë vitesh, ai është përballur me sfida të shumta, megjithatë dëshira për të mos e braktisur vendlindjen ka qenë më e fortë.

“Transformimi i biznesit erdhi nga dëshira për të mos e braktisur vendlindjen. Edhe këtu do të jetojnë njerëz, ndërsa të parët tanë kanë jetuar në kushte shumë më të vështira se ne,” thotë Nikolli.

Ardit Pashku, pronar lokali në fshatin Lajthizë të Kukësit ka shkelur në gjurmët e Nikollit për gjetjen e një rruge të re për mbijetesë që prej rrallimit të klientëve. Në kilometrin 40 të rrugës së vjetër, vaskat e mëdha prej betoni që dikur shërbenin për ftohjen e pijeve freskuese, sot janë të mbushur me peshq troftë.

“Pas mbylljes së rrugës në vitin 2010, investuam në ndërtimin e rezervuarve për rritjen e peshkut. Sot kemi 9 rezervuarë dhe furnizojmë me peshk gjithë zonën e Pukës, Tropojës dhe restorantet e peshkut në Kukës,” i tha Pashku BIRN.

Në rezervuarët e Pashkut, uji ruan një temperaturë konstante prej 8 gradësh si në dimër, ashtu edhe në verë-një habitat i nevojshëm për troftat cilësore. Në vit, Pashku prodhon 10 ton peshk, ndërsa ambiciet e tij shkojnë tek trefishimi i prodhimit në të ardhmen.

Megjithëse në moshë të re, Ardit Pashku zotëron shtëpi në Fushë-Arrëz dhe Tiranë, por nuk dëshiron të braktisë fshatin e tij, Lajthizën. Ai ka mjaft ide për rigjallërimin e turizmit malor në zonë, por ankohet se nuk gjen asnjë mbështetje nga shteti. Kreditë me interes të ulët mungojnë, ndërsa për zgjerimin e biznesit ai ka gjithashtu vështirësi në sigurimin e lejes së ndërtimit.

”Megjithëse e ka për detyrë, shteti nuk na krijon asnjë lehtësi apo subvencionim të prodhimit të peshkut. Po të kisha mundësinë e një kredie të butë do të kisha hapur edhe laboratorin për prodhimin e rasatit, që kushton 21 mijë euro,” thotë Pashku.

Thellimi i varfërisë

Industria e drurit e shkaëerruar në Fushë-Arrës. Foto: Bashkim Shala

Industria e drurit e shkaëerruar në Fushë-Arrës. Foto: Bashkim Shala

Në fshatin Shëmri të Kukësit, bar-kafetë e shumta janë ende të hapura, megjithëse fitimet kanë rënë ndjeshëm. Një grup banorësh të papunë, të mbledhur në një kafene thonë se ndërtimi i autostradës ka sjellë anashkalimin e zonës si dhe probleme të shumta në shërbimet e transportit.

Bajram Çoti, ish-kryetar i komunës Malzi nënvizon se zona po përballet me problemet e transportit, të cilat ndikojnë negativisht edhe në arsim. Dikur, lëvizjet e shpeshta të automjeteve krijonin lehtësi për banorët, ndërsa tani ata humbasin më shumë kohë.

“Problem është niveli i mësimdhenies në shkollën e fshatit, pasi mësuesit e kanë të veshtirë për të ardhur,” thotë Çoti, i cili aktualisht punon si mësues në shkollën e mesme.

E izoluar dhe e anashkaluar nga rruga e re ka mbetur edhe qyteza e Fushë-Arrëzit, bashkia e së cilës ka nën juridiksion 36 fshatra rreth e qark. Qyteza e vogël u ndërtua gjatë komunizmit, si një qendër kryesore për përpunimin e drurit dhe mineraleve, industri e cila ka shërbyer për të mbajtur gjallë shumicën e familjeve në zonë.

Fabrika e pasurimit të bakrit, e dhënë me konçesion tek një kompani turke së bashku me dy minierat e Lak Roshit dhe Munellës punësonin mbi 350 banorë të zonës, por prej një viti, aktiviteti i saj është ndërprerë.

Paralelisht me industrinë e bakrit, bizneset e vendosura përgjatë rrugës së vjetër ishin ndër burimet e pakëta për të ardhurat e familjeve në Fushë-Arrëz. Që prej ndërtimit të rrugës së Kombit, edhe ky burim ka shteruar.

Marian Doda, inspektor i Bashkisë së Fushë-Arrëzit i tha BIRN se shumë biznese në këtë zonë, të tilla si lokale apo servise automjetesh kanë falimentuar si pasojë e devijimit të transportit përgjatë rrugës së Kombit. Ai shtoi se bashkia numëron 18-20 biznese të mbyllura që prej vitit 2010.

“Këto falimentime kanë shtuar papunësinë. Janë rreth 150 persona që kanë mbetur pa punë, nga falimentimi i këtyre bizneseve,” tha Doda.

Bashkë me industrinë e bakrit, Fushë-Arrëzi zotëronte edhe stabilimentin më të madh të përpunimit të drurit gjatë regjimit komunist, por kjo industri ka mbetur prej vitesh në duart e pak njerëzve me pushtet, pa mundur të sigurojë të ardhura për banorët e thjeshtë.

Bashkia e Fushë-Arrëzit i ka varur shpresat te rihapja e fabrikës së bakrit apo tek interesi i ndonjë kompanie fasonësh për zhvillimin e zonës. Marian Doda i tha BIRN se bashkia ka bërë përpjekje për zhvillimin e fasonerisë ose të ndonjë biznesi “call center”, të cilat nuk kanë ende asnjë rezultat.

Në pritje të ndonjë mundësie, bashkia në bashkëpunim me drejtorinë lëvizëse të Edukimit Profesional ka organizuar kurse rrobaqepësie ose parukerie për gratë dhe vajzat e zonës, të cilat pas trajnimeve, nuk kanë gjetur ende ndonjë punë.