Lajm25 Aug 2016

Bashkia e Tiranës thyen heshtjen për vdekjen e Arditit: Po mbështesim hetimin

E vendosur nën presion publik pas vdekjes së 17 vjeçarit në landfillin e Sharrës, Bashkia e Tiranës shmang përgjegjësitë nga vetja dhe ia transferon ato kompanisë së kontraktuar prej saj për shkeljen e rregullave-ndërsa  deklaron se po ofron ndihmë për një hetim të plotë të ngjarjes.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Erion Veliaj gjatë një vizite në impiantin e kompanisë “3R” në landfillin e Sharrës | Foto nga : Bashkia Tiranë

Erion Veliaj gjatë një vizite në impiantin e kompanisë “3R” në landfillin e Sharrës | Foto nga : Bashkia Tiranë

Tetëmbëdhjetë ditë pas vdekjes tragjike të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, Bashkia e Tiranës ka thyer heshtjen, ndërsa ia ka transferuar përgjegjësinë për vdekjen e tij kompanisë që ushtronte aktivitetin e seleksionimit dhe përpunimit të mbetjeve. Në një deklaratë për mediat- përgjigje ndaj denoncimeve publike të Partisë Demokratike, Bashkia e Tiranës tha se vdekja e 17 vjeçarit po hetohet nga institucionet përgjegjëse dhe se “shpreson që e vërteta e kësaj ngjarjeje të trishtë të zbardhet sa më shpejt”.

“Një qytet me 1 milion banorë si Tirana, ka mbi 100 kontraktorë të shpërndarë nëpër të gjithë territorin në rrugë, në ujësjellësa, ndërtesa, ura, mbikalime, infrastrukturë arsimore, grumbullim mbetjesh, pastrim e shërbim,” thuhet në deklaratën e Bashkisë.

“Teksa Bashkia vendos rregullat, çdo ofrues shërbimesh në qytet përgjigjet përpara ligjit për çdo shkelje të këtyre rregullave,” shton ajo.

Ardit Gjoklaj humbi jetën më 7 gusht, ndërsa punonte në turnin e natës në impiantin e seleksionimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës, të ndërtuar aty nga kompania “3R” shpk e Edurim Teqes. Sipas hetimeve të policisë, 17 vjeçari i punësuar në mënyrë të paligjshme nga kompania është goditur për vdekje nga një ekskavator, ndërsa seleksiononte shishe plastike në orët e natës dhe në një mot të keq.

Pas ngjarjes, policia arrestoi 4 punonjës të kompanisë “3R” shpk, ndërkohë që administratori i saj Teqja, i cili mbante edhe postin e kryetarit të PS në Peqin u shpall në kërkim, por nuk është ndaluar ende sot e kësaj dite.

Në dy investigime të mëparshme, BIRN zbuloi se kompania “3R” shpk kishte instaluar impiantin e saj në landfillin e Sharrës  në shkurt 2016 dhe punësoi mbi 200 persona, mes të cilëve edhe fëmijë. Sipas dëshmive të punonjësve, kompania i rekrutoi ata në të zezë, ndërsa nuk përmbushi kushtet minimale të sigurisë në punë.

“3R” shpk ishte partneri lokal i kompanisë publike të bashkisë së Veronës, AGMS, me të cilën kryebashkiaku Veliaj nënshkroi një kontratë për pastrimin e Tiranës. Për këtë qëllim u krijua një kompani e re, e quajtur Eco Tirana sh.a, ku bashkia e Tiranës zotëron 51 për qind të aksioneve.

Ndërsa projekti me kompaninë italiane ishte në fazat e para, kryebashkiaku Veliaj nisi një fushatë për ndalimin e seleksionimit të plehrave nëpër kazanë -aktivitet që u siguron jetesën dhjetra qytetarëve, pjesa më e madhe e të cilëve i përket komunitetit rom.

Veliaj e vizitoi dy herë impiantin e kompanisë “3R” në Sharrë. I shoqëruar nga administratori Teqja në vizitën e 16 marsit, ai u bëri thirrje mbledhësve individualë të hiqnin dorë nga puna e paligjshme në kazanët e Bashkisë dhe të punësoheshin në landfill-ku sipas tij do të paguheshin ligjërisht, me sigurime shoqërore.

Pavarësisht premtimeve, BIRN mësoi se punëtorët e “3R” shpk, mes të cilëve edhe dhjetra të mitur u punësuan në kundërshtim të ligjit, ndërsa e kryenin punën pa masa mbrojtëse dhe në kushte çnjerëzore. Disa punonjës të landfillit i thanë BIRN se kishin shkuar atje për të kërkuar punë pasi kishin dëgjuar deklaratën e Veliajt.

Partia Demokratike akuzoi kryebashkiakun Erion Veliaj si përgjegjës për vdekjen e Ardit Gjoklajt dhe i bëri thirrje Prokurorisë të niste një procedim kundër tij.

“Me këtë thirrje publike, Erjon Veliaj e çoi drejt vdekjes Arditin. Ai është padyshim përgjegjësi kryesor, jo vetëm se administron landfillin që është biznesi i tij, por sepse i garantoi publikisht njerëzit për ligjshmëri. Me fjalën e tij shkuan të punonin hallexhinjtë, që u kthyen në skllevër,” tha të mërkurën Grida Duma në një deklaratë për mediat.

Në përgjigje të këtyre denoncimeve, Bashkia e Tiranës e quajti Partinë Demokratike një “parti të fatkeqësive historike të qytetit”, që sipas saj po e shfrytëzon për kapital politik ngjarjen.

“Bashkia e Tiranës ka qenë dhe vazhdon të jetë në krah të institucioneve ligjzbatuese, duke ofruar të gjithë ndihmën për një hetim të plotë të kësaj ngjarjeje e vënë përpara përgjegjësisë cilindo kontraktor që nuk ka respektuar këto rregulla,” thuhet në deklaratën për mediat.

“Në përfundim të hetimit, Bashkia e Tiranës do të zbatojë çdo përfundim, kërkesë apo rekomandim të organeve përkatëse,” përfundoi ajo.