Interviste9 Sep 2016

Besnik Dushaj: Kemi përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve, sfidë turizmi dhe menaxhimi i ujit

Një vit pas marrjes së mandatit në krye të bashkisë së Tropojës, BIRN Albania intervistoi kryetarin e bashkisë Z. Dushaj lidhur me përmbushjen e premtimeve elektorale, bazuar mbi shqetësimet e ngritura nga vetë banorët e kësaj zone.

Autor: Bashkim Shala BIRN Bajram Curr
Printo

Besnik Dushaj

Besnik Dushaj

Gjatë fushatës elektorale që u pasua me zgjedhjen tuaj në krye të bashkisë Tropojë keni deklaruar që për Tropojën, problemi më i madh është varfëria dhe papunësia, ndaj prioriteti kryesor do jetë ulja e papunësisë dhe ulja e varfërisë në Tropojë. Gjatë një viti në krye të bashkisë së Tropojës, çfarë keni bërë për të luftuar papunësinë dhe varfërinë?

Ne e kishim pjesë të programit elektoral uljen e taksave. Sapo kam filluar punë në mbledhjet e para të Këshillit Bashkiak, kam propozuar uljen e taksave dhe kjo në një farë mase i ka dhënë frymëmarrje biznesit. Me këto investimet që kemi realizuar në Tropojë në këtë periudhë pothuajse një vjeçare kanë filluar disa investime. Investimin kryesor dhe madhor që do e quaja është rruga e Bjeshkës që fillon nga Tropoja Vjetër në Bjeshkët e Sulbicës, të cilën e inauguruam me 29 korrik. Kjo rrugë do i japë impakt zhvillimit të krejt zonës falë edhe bjeshkëve. Njerëzit po lëvizin, po rregullojnë stanet, po rrisin numrin e bagëtive, njerëzit po vijnë edhe nga Tirana, ato familje që janë larguar si në Tiranë dhe në zona të tjera dhe po dalin në bjeshkë, po mbledhin boronica dhe bimë të tjera mjekësore. Pra, i ka dhënë frymëmarrje zonës. Dhe kjo është një punë që kemi bërë për uljen e papunësisë. Po punohet në qytet në disa projekte si në unazën e qytetit e financuar me fondet e bashkisë. Por investime po bëhen edhe me promovimin e turizmit në Tropojë. Me aktivitetet që kemi zhvilluar dhe këtë e them me bindje e krenari, numri i turistëve në Valbonë është rritur. Pra, çdo ditë po frekuentohet Valbona e Tropoja. Po a jemi të kënaqur ne me këtë numër turistësh? Natyrisht që jo. A jemi të kënaqur me një turizëm që shfrytëzohet vetëm në kohen e verës? Natyrisht që jo. Ndaj ne po synojmë dhe insistojmë dhe po bëjmë ç’është e mundur që turizmi të jetë edhe në dimër, edhe në vjeshtë edhe në pranverë.

Cili është qëndrimi juaj si qytetar i parë i Tropojës për HEC-et në lumin Valbona (dhe ato në lumin e Currajt) që janë përfshirë në një debat të gjerë aktualisht?

Unë nuk kam ndonjë qëndrim për ato që pyesni ju. Kjo për faktin se unë si individ apo qytetar i parë i Tropojës që ju thoni në pyetjen tuaj, por edhe bashkia aktuale si institucion, ajo paraardhëse dhe komunat nuk janë të përfshira në dhënien e lejeve për konçensionet, si në Valbonë dhe në Curraj. Pra, Bashkia as nuk jep leje konçensionare dhe as nuk i anulon ato. Kjo është një kompetencë ekskluzive e qeverisë. Por sa për informacion, nga komunikimi që kam me ministrinë e energjetikës, kjo e fundit bën fjalë për tre hidrocentrale në Grykën e Valbonës, ku dy janë përgjatë lumit Valbona që kanë ekzistuar që në periudhën e komunizmit dhe një tjetër në Qerem që nuk ka lidhje me Valbonën. Në njërin prej tyre, pikërisht në atë të Dragobisë punimet thuajse kanë përfunduar. Kanë mbetur pa u instaluar vetëm turbinat, mesa di unë për mungesë financimi. Edhe HEC-et në Curraj nuk kanë filluar për mungesë financimi, pra konçensionarët nuk kanë mundur të marrin kredi nga bankat. Ndërkohë që koncensionari që ka marrë përsiper të ndërtojë hidrocentralin e Qeremit ka marrë përsipër edhe ndërtimin e rrugës që të çon në këtë fshat si dhe furnizimin me energji elektrike të fshatit i cili pas braktisjes totale nga banoret ka qenë në errësirë dhe pa linjë, apo burim të furnizimit me energji elektrike. Meraku që unë kam si kryetar i Bashkisë Tropojës është zbatimi me përpikmëri i projekteve. Me këtë rast dua t’ju siguroj ju dhe gjithë opinionin publik në Shqipëri e më gjerë: Valbona do të vazhdojë të jetë e bukur, ashtu siç ka qenë ndër shekuj dhe e ka krijuar Zoti. Njëherësh dua të them dhe për këtë besoj shumë se asnjë njeri normal në këtë vend nuk ka dëshirë të shkatërrojë Valbonën, ngado që të jetë ai gjeografikisht,politikisht, në qeveri,në opozitë apo në pushtetin vendor.

Liqeni i Komanit, një ndër atraksionet turistike të reja në Tropojë, gjatë këtij sezoni është ndotur si kurrë më parë. Nëse në Kukës për ndotjet në liqenin e Fierzës përgjegjësitë i “shesin” në Kosovë, për ndotjet në Koman e kujt është përgjegjësia?

E mira e Tropojës është që lidhet me rrethet tjera dhe me kryeqytetin e vendit me disa rrugë tokësore dhe liqenore siç është lidhja përmes liqenit të Komanit me traget. E keqja e madhe e kësaj linje nuk janë papastërtitë në liqen. Kjo është më shumë një problem i mediave. E kam verifikuar vetë në vend dhe ka rezultuar që ka hedhje mbetjesh vetëm në një vend që nuk është në territorin e bashkisë së Tropojës, megjithatë ky fakt nuk ka rëndësi. Por e keqja e kësaj linje është rruga Koman-Vau i Dejës. Kjo rrugë është shumë e dëmtuar. Kjo rrugë dëmton kryesisht Tropojën, pasi përveç tropojanëve në këtë rrugë lëvizin vetëm punonjësit e hidrocentralit të Komanit dhe banorët e një fshati të vogël që është Komani. Megjithatë në këtë kuadër është punuar shumë për pastrimin e mbeturinave si në qytet dhe në zonën turistike të Valbonës.

Më parë ju folët për një fluks të madh turistësh në Valbonë, po shërbimi a i përgjigjet këtij fluksi?

Në një farë mase mund të themi se është përmirësuar shërbimi, duke e krahasuar me atë të para pesë vjetëve. Dhe këtu flas për gastronominë, hotelerinë. Them që kemi ndryshuar shumë, por nuk kemi arritur në perfeksion. Duhet shumë punë për të bërë në shërbim dhe gatim. Por vërej se  njerëzit atje e kanë kuptuar që shërbimi është ai që, ose të afron, ose të largon turistët. Shërbimi në Valbonë ka ndryshuar për të mirë dhe këtë e them me kënaqësi. Në çdo takim që unë kam bërë me biznesmenët e turizmit atje, iu kam kërkuar që të dërgojnë dhe të specializojnë, trajnojnë, t’i dërgojnë në shkolla për turizëm njerëzit e familjeve të tyre.

Tashmë Tropoja është si një atraksion turistik i njohur edhe ndërkombëtarisht. A ka ardhur koha për ngritjen e një shkolle të mesme profesionale që do i shërbejë turizmit në Tropojë?

Unë këtë e kam kërkuar nga Bashkimi Europian, nga qeveria dhe e shoh si domosdoshmëri. Edhe kur filluam sezonin turistik e kam kërkuar publikisht ngritjen e një shkolle profesionale për turizmin në Tropojë, por edhe për profesione të tjera.

Ashtu si Kukësi, edhe Tropoja e rrethuar nga ujërat vuan mungesën e ujit të pijshëm, megjithëse nga qeveria e mëparshme është investuar në këtë sektor. Çfarë është bërë nga ana juaj për përmirësimin e furnizimit me ujë të Bajram Currit dhe fshatrave?

Problem thuajse kryesor në qytet, përveçse infrastrukturës kemi pasur edhe furnizimin me ujë të pijshëm sidomos në periudhën e verës, sepse burimi që marrim në Valbonë po zvogëlohet shumë gjatë kësaj periudhë. Një nga arsyet, përveç zvogëlimit të burimit në veprën e marrjes, është edhe shpërdorimi i ujit, sepse në të gjithë qytetin e Bajram Currit nuk ka asnjë matës. Kemi bërë një marrëveshje me Fondin e Zhvillimit Shqiptar që me bashkëfinancim të fillojmë zbatimin e projektit për instalimin e 2 mijë matësve të ujit në qytetin e Bajram Currit, në mënyrë që ai ujë që vjen, të paguhet, pasi shpërdorimi i ujit ka sjellë edhe mungesën e tij. Ujin nuk mund ta ruajë as polici, as bashkia, as prokurori, por e ruan matësi.

Çfarë ka ndryshuar në bashkinë e Tropojës gjatë vitit të parë të drejtimit tuaj?

Natyrisht që për një vit nuk kemi bërë mrekulli, por me thënë të drejtën në çdo drejtori e sektor, çdo njësi administrative, shërbimi është përmirësuar ndjeshëm. Po punohet me investime anembanë Tropojës si nga bizneset private, donatorët, fondet e bashkisë. Ndërkohë kemi përfituar edhe nga qeveria dy projekte për këtë vit që janë shumë të rëndësishme, siç është pedonalja, pra shëtitorja e qytetit që do i japë jetë e gjallëri qytetit dhe do zhvillojë turizmin. Kemi përfituar rrugën Cërnicë – Bajram Curr që është lidhur kontrata dhe pritet fillimi i punës këto ditë. Kjo rrugë do të shkurtojë lidhjen me Kosovën për 5 km. Po ndërtojmë zyrat e reja të bashkisë. Këto zyra nuk po bëhen për luks, se zyrat nuk janë të kryetarit të bashkisë, por të qytetarëve. Me rikonstruksionin e bashkisë do të fillojë dhe shërbimi “One Stop Shop”, pra me një sportel. Të gjitha shërbimet qytetarët do t’i gjejnë në një vend si për ndihmën ekonomike, shërbimet sociale, taksat e biznesit, gjendja civile, urbanistika. Do të jetë një shërbim shumë cilësor.

Cilat kanë qenë kriteret për emërimin e administratorëve, por edhe të administratës së bashkisë Tropojë. A ka pasur emërime militantësh, apo funksionarë partie, emërime klienteliste apo nepotike?

Një pjesë e administratorëve apo pjesa më e madhe e tyre janë ish-kryetarët e komunave. Një pjesë e vogël e tyre janë përzgjedhur në bazë të meritave që kanë, vlerësimit që kanë, shërbimit që mund t’i ofrojnë komunitetit, pra njerëzit që kanë një komunikim të mirë me qytetarin. Të them të drejtën jam i kënaqur për këtë periudhë që unë punoj me ta.