Sait Fishta, biznesmen dhe ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2013 në qarkun e Shkodrës u ndalua të dielën me urdhër të prokurorisë, pasi akuzohet se ka kryer veprën penale të “ndërtimit të paligjshëm”. Ai ishte në hetim në cilësinë e administratorit të kompanisë “Fishta sh.p.k”, që sipas prokurorisë së Shkodrës ka përfituar 50 leje ndërtimi të paligjshme në plazhin e Velipojës.
Në një njoftim të mëparshëm të tetorit 2015, Prokuroria deklaroi se lejet për 50 ndërtesa janë firmosur në 4 mbledhje të KRRT-së së komunës Velipojë, të mbajtura nga maji deri në dhjetor të vitit 2010. Prokuroria pretendon se këto leje ndërtimi janë të kundraligjshme, pasi lëshimi i tyre ishte jashtë kompetencës së KRRT-së së Velipojës. Sipas saj, ndërtimet në bregdet mund të bëhen vetëm me lejen e Këshillit Kombëtar të Territorit. (Kliko këtu për të lexuar njoftimin e Prokurorisë)
Në tetor 2015, prokuroria e Shkodrës urdhëroi arrestimin e ish-kryetarit të komunës Velipojë, Nikoll Marku, bashkë me tetë ish-anëtarë të KRRT-së me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Sipas Prokurorisë, nëntë ish-zyrtarët i kishin dhënë kompanisë “Fishta sh.p.k” të drejtën për të ndërtuar 50 ndërtesa 3, 4 dhe 5 kate, si pjesë e një kompleksi turistik në plazhin e Velipojës.
Por ndërsa nëntë ish-zyrtarët e komunës ndodheshin në proces gjyqësor për lejet e paligjshme, në kantierin e ndërtimit të kompanisë “Fishta” në Velipojë kanë vazhduar punimet. Prokuroria i ka komunikuar biznesmenit Fishta se lejet e ndërtimit ishin të paligjshme dhe i ka kërkuar atij të ndërpresë punimet, pas arrestimeve të tetorit 2015. Moszbatimi i këtij urdhri i ka kushtuar ndalimin biznesmenit shkodran.
Para arrestimit të Fishtës, Prokuroria siguroi në gjykatë edhe një urdhër sekuestrimi për nëntë pallatet në proces ndërtimi të kompleksit turistik. Dy prej ndërtesave 6-katëshe që u sekuestruan ishin të përfunduara, ndërsa shtatë të tjera në proces.
Sait Fishta është një emër i njohur në qytetin e Shkodrës, për shkak se kompania e tij e ndërtimit “Fishta sh.p.k”, e themeluar që prej vitit 1991 ka kryer me dhjetra ndërtime në qytet dhe në zonën e plazhit. Ai është angazhuar në politikë që në zgjedhjet e vitit 2009, kur kandidoi nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në vitin 2013, emri i tij ishte në listën e Partisë Socialiste për qarkun e Shkodrës, pa mundur të zgjidhet deputet.