Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Devoll?
- Rikualifikimi urban i qendrës së qytetit. (Pedonale)
- Rehabilitimi i kanalit ujitës Bitincke-Tren-Vranish-Cangonj me vlerë 40 milion lekë. Ky rehabilitim do të zgjidhë problemin e ujitjes për të gjithë këto fshatra nëpër të cilat kalon.
- Pastrimi i kanaleve vaditëse të betonuara. Në këto kanale nuk kishte ndërhyrje prej vitesh.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes së qytetarëve (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Për të gjitha mbledhjet e këshillit të bashkisë shpallen njoftime për ditën e mbledhjes dhe rendi i ditës që do të diskutohet në të. Mbledhjet janë të hapura për publikun dhe vendimet që merren afishohen në këndin e publikimeve të bashkisë.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
1.Pastrimi i kanaleve kulluese dhe sistemimi i kanaleve vaditëse. Kjo do të fillojë menjëherë pasi të na jepet mjeti i duhur për këtë punë nga qeveria.
2.Ndërhyrje në sistemimin dhe shtrimin me çakull të rrugëve të arave për të bërë të mundur uljen e kostove për fermerët për prodhimet bujqësore. Për këtë problem jemi në proces tenderimi për sasinë e çakullit që nevojitet dhe njëkohësisht jemi në proces tenderimi për një kamion, i cili do të përdoret për sistemimin dhe shtrimin me çakull të këtyre rrugëve.
3.Ndërtimi i ujësjellësit rajonal, i cili do të përfshijë furnizimin me ujë për fshatrat Menkulas, Dobranj, Poncare, Koshnice, Sul, Bracanj, Zicisht, Gjyres. Ky ujësjellës do të zgjidhë problemin për ujë të pijshëm për këto fshatra.
A ofron bashkia aktualisht shërbim të heqjes së mbetjeve urbane në të gjithë territorin e saj? Nëse po, a mund të na thoni diçka mbi numrin e mjeteve dhe njerëzve si dhe volumin mesatar të mbetjeve ditore të hequra?
Bashkia ofron shërbimin e pastrimit për të gjithë territorin e saj. Aktualisht, janë 22 punonjës që punojnë pranë bashkisë për këtë shërbim. Gjithashtu kemi dhe 8 automjete (kamionçina, kamion teknologjik) që shërbejnë për pastrimin e territorit të bashkisë. Çdo ditë krijohen, mblidhen dhe transportohen një volum prej 40 ton mbetjesh urbane në ditë.
Për dekada me radhë banorët e zonës kanë prerë masivisht pyjet. A ka pasur mbjellje të fidanëve të rinj për rigjenerimin dhe a është punuar për sigurimin e burimeve alternative të ngrohjes?
Nuk ekzistojnë mundësitë financiare për mbjelljen e fidanëve të rinj apo rigjenerimin e pyjeve. Kjo për shkak se shpenzimet që duhen për këtë proces janë shumë herë më të larta sesa mundësitë që ka bashkia me fondet e saj apo dhe transferta specifike që janë bërë për këtë sektor. Mjafton të përmendim faktin se transferta specifike e bërë nga qeveria për pyjet është vetëm 1,800,000 lekë nga të cilat vetëm 206,000 janë për shpenzime operative dhe pjesa tjetër për paga. Ne si bashki kemi akorduar 3,900,000 nga buxheti i bashkisë për të mbuluar pagat dhe sigurimet shoqërore për punonjësit shtesë që na detyronte ligji për pyjet. Siç e shihni, mundësitë financiare për të kryer këtë proces nuk ekzistojnë. Megjithatë, bashkia për të bërë të mundur mbjelljen e fidanëve apo rigjenerimin e pyjeve ka aplikuar për të përfituar fonde për këtë qëllim me projektin IADSA.
Për sa u takon tregtimit të prodhimeve të cilat shpesh mbeten stok ose shiten nën kosto, a ka ofruar bashkia politika orientuese, strategji të tjera tregtimi dhe mbështetje për rritjen e kapaciteteve frigoriferike?
Bashkia është duke punuar dhe duke ofruar asistencën e saj nëpërmjet specialisteve të bujqësisë në orientimin e fermerëve për kulturat bujqësore që ata duhet të kultivojnë, në asistencë teknike për uljen e kostos së produkteve bujqësore. Por problem për këtë fushë mbetet gjetja e tregjeve dhe standardizimi i produkteve të prodhuara. Në lidhje me kapacitetet frigoriferike, bashkia është duke punuar me fermerët që duan të ndërtojnë dhomat frigoriferike duke i ndihmuar ata me asistencë teknike në të gjitha fazat e ndërtimit të këtyre objekteve, por edhe duke reduktuar në maksimum barrierat burokratike që lindin gjatë rrugës për ndërtimin e këtyre objekteve.
Sa ka ndërhyrë bashkia me hapa konkrete në fushat e kulturës dhe arsimit dhe sa efikase kanë qenë ato?
Bashkia ka planifikuar dhe mbështetur me fondet e veta arsimin, kulturën dhe sportin. Në fushën e kulturës vlen të përmendet financimi me fondet e bashkisë për botimin dhe publikimin e librit “Antologjia poetike e Devollit”, libër në të cilin evokohet tradita kulturore dhe arsimore e zonës së Devollit. Jemi duke organizuar me fondet tona edhe “Maratonën e këngës popullore” me këngëtarët më të mirë nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Po mirëmbajmë të gjitha godinat e shkollave ku zhvillohet mësimi.
A ka një plan promovimi të fshatrave me kushte të favorshme për zhvillimin e turizmit?
Në lidhje me këtë pyetje duhet thënë se kushtet dhe mundësitë që disa fshatra të zonës tonë me resurse turistike mund të kthehen në destinacione turistike, por problem mbetet infrastruktura brenda këtyre fshatrave dhe infrastruktura që lidh këto fshatra me zonën tjetër të bashkisë. Investimet që duhen për sistemimin, asfaltimin, kanalizimin dhe ujin e pijshëm janë shumë herë më të mëdha sesa mundësi që ka bashkia për t’i mbështetur me fondet e saj. Kështu që po përpiqemi të gjejmë donatorë për të realizuar këto investime të cilat do t’i kthejnë këto fshatra në atraksione turistike.