Votuesit e Bashkisë së Dibrës do të duhet të votojnë për të zgjedhur një kryebashkiak të ri më 11 shtator pasi kryebashkiaku i mëparshëm, Shukri Xhelili, u arrestua i akuzuar për abuzim me pushtetin në maj.
Xhelili u shkarkua nga Këshilli i Ministrave pasi një punonjëse e re e bashkisë e filmoi atë në mënyrë të fshehtë duke kërkuar favore seksuale në shkëmbim të një rritjeje në pagë. Pas publikimit të videos, Prokuroria ndërhyri duke e arrestuar Xhelilin, i cili gjendet aktualisht në burg në pritje të gjykimit për akuzën e abuzimit me pushtetin dhe korrupsionit pasiv.
Presidenti i Republikës Bujar Nishani dekretoi datën e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme pasi një ankesë e Xhelilit në Gjykatën Kushtetuese ku kërkonte rrëzimin e vendimit të shkarkimit nga ana e Këshillit të Ministrave, nuk u pranua.
Bashkia e Dibrës ka 79 mijë banorë të regjistruar dhe 56 mijë zgjedhës. Në zgjedhjet e vitit 2015 morën pjesë afro 31 mijë votues ndërsa Xhelili, kandidat i Partisë Socialiste, fitoi me pak vota diferencë përballë Ilir Krosit të Partisë Demokratike, i cili qe kryebashkiak i Peshkopisë që nga viti 2003.
Zgjedhjet për Bashkinë Dibër në shtator pritet të shërbejnë edhe si test për ballafaqimin e forcave dhe koalicioneve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Në zgjedhjet e vitit 2013, koalicioni i majtë Aleanca për Shqipërinë Europiane arriti të marrë 51 për qind të votave për anëtarë të këshilleve bashkiake dhe 17 nga 31 anëtarët e Këshillit Bashkiak.
Fituesi i zgjedhjeve të parakohshme do të përfundojë mandatin katërvjeçar të ndërprerë nga Xhelili.
Xhelili nuk është kryebashkiaku i vetëm me probleme me drejtësinë. Kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi u arrestua në qershor të këtij viti dhe aktualisht është zyrtarisht në arrest shtëpiak për shkak se nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit dënime penale të marra në Itali dhe Zvicër në të shkuarën. Por në rastin e Rroshit, nuk ka pasur vendim shkarkimi nga Këshilli i Ministrave dhe ai zyrtarisht vijon të mbetet kryebashkiak.
Sipas ligjit, Këshilli i Ministrave mund ta shkarkojë një kryebashkiak vetëm në rastet e shkeljeve të rënda ligjore.
Ndërkohë, sipas formularëve të vetëdeklarimit të të shkuarës penale, pesë kryetarë bashkish kanë pranuar se kanë pasur probleme me drejtësinë në të shkuarën.