Çfarë politikash do të ndiqen për të harmonizuar dy zona të ndryshme si ajo e Kolonjës dhe Leskovikut?
Është përgjegjësi publike dhe kolektive të ndërmarrësh iniciativën për të drejtuar Bashkinë e re të Kolonjës, një territor i shtrirë tashmë në kufijtë administrativë të rrethit të Kolonjës.
Leskoviku është pjesë e Bashkisë së Kolonjës,Njësia e dytë Administrative më e rëndësishme dhe nuk është zonë ndryshe nga pjesa tjetër, por sigurisht që si Njësi Administrative ka specifikat e saj.
Projekti ynë i Strategjisë së Zhvillimit ka tre linja, akse apo politika primare zhvillimi:
- Menaxhimin e territorit në zonat urbane dhe ato rurale, ndërtimin dhe rikonsrtruksionin e ujësjellësave, sistemimin e rrjetit të kanaleve ujitës dhe kullues;
- Politika ekonomike zhvillimi, që konsistojnë në mbështetjen e Partneritetit Publik-Privat, mes krijimit të disa sipërmarrjeve të grumbullimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, si dhe tregtimit të produkteve me brand-in lokal. Krijimi i këtyre sipërmarrjeve sjell për pasojë, hapjen e më shumë se 100 vendeve të reja pune në Njësinë Administrative Leskovik dhe hapjen e 350 vendeve të reja pune në të gjithë Bashkinë e Kolonjës.
- Ndihmë sociale për shtresat në nevojë, rishikimi i skemës së ndihmës ekonomike, me përparësi familjet e varfëra që kanë fëmijë në sistemin parashkollor dhe ciklin e ulët, duke mbështetur shkollimin arsimimin e fëmijëve të tyre me mbështetje financiare.
Si do të kanalizohen problematikat e menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane?
Menaxhimi imbetjeve është një çështje që kërkon thjesht dhe vetëm struktura të organizuara grumbullimi për mbetjet, si dhe krijimin e vend-grumbullimeve të vogla në çdo Njësi Administrative.
Me përparësi gjatë vitit të dytë të mandatit në vijim do të shohim krijimin e dy qendrave për grumbullimin dhe selektimin e mbetjeve të riciklueshme në qytetet Ersekë dhe Leskovik, që do të mundësojnë gjenerim të ardhurash, për persona të shtresave në nevojë, duke i shmangur nga skema e ndihmës ekonomike dhe duke iu ofruar mundësi të ardhurash mujore. Në këtë mënyrë do të kemi hapur njëkohësisht vende të reja pune.
Do të investojmë në blerjen e disa automjeteve për mbledhjen dhe transportin e mbetjeve në vend-grumbullimet e Njësive Administrative,.
Si do të rikthehen banorët për të punuar tokat e tyre? Pra, çfarë politikash ekonomike do zgjedhë bashkia për të nxitur punimin e tokës?
Rikthimi i banorëve për të punuar tokat e tyre, për të vjelë prodhimin e kulturave bujqësore është përgjegjësi e qeverisë qëndrore kryesisht, dhe më pas angazhim i Pushtetit Vendor.
Në këtë mandat të mbetur qeverisës për Bashkinë e Kolonjës, ju bëj me dije se: do të investojmë në sistemimin e rrjetit vaditës dhe kullues; do të krijojmë Rrjetin e Fermerëve të Kolonjës; do të mbështesim fermerët ekzistues me subvensione të vogla, por të ndjeshme konsiderueshëm për fermerët; do të ofrojmë ndihmë teknike dhe profesionale tek fermerët, mes specialistëve dhe ekspertëve të Bashkisë, për të vjelë projekte dhe fonde nga donatorë vendas dhe të huaj, por edhe nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në mbështetje të tyre.
Partia Agrare Ambjentaliste është alternativa e duhur, e vetmja alternativë shpresëdhënëse dhe siguria absolute për vazhdimësinë, kryesisht për bujqërit dhe blegtorët e Kolonjës.
Dua të theksoj gjithashtu se do të investojmë në nxitjen dhe zhvillimin e nën-sektorit të kultivimit të Bimëve Medicinale, duke edhe shtuar sipërfaqet e mbjella me to, duke ditur se një përqindje e madhe e popullsisë angazhohet sezonalisht në grumbullimin dhe shitjen e Bimëve Medicinale dhe siguron të ardhura.
Në kuadër të Partneritetit Publik-Privat do të krijojmë dy qendra / depo për grumbullimin dhe tharrjen e Bimëve Medicinale, respektivisht në Ersekë dhe Leskovik.
Si do të shfrytëzohen më së miri karakteristikat e Kolonjës për turizëm?
Do i jepet vëmendje mbështetjes dhe zhvillimit të Agro-Turizmit dhe Turizmit Malor.
Do e mbështesim sektorin e Turizmit mes investimeve në infrastrukturën që është nën juridiksionin dhe kompetencat e Bashkisë, si dhe mes promocionit dhe marteting-ut të resurseve që mbart treva e Kolonjës, për të rritur prurjet e turistëve vendas dhe të huaj.
Do të fokusohemi për të alokuar sa më shumë fonde për turizmin nga programet ndër-kufitare dhe ndër-shtetërore IPA.
Si do të mbrohen dhe menaxhohen resurset pyjore?
Sot, po ju deklaroj vetëm këtë: pasi të inventarizojmë pasuritë pyjore në të gjithë territorin, për të patur bankën reale të të dhënave, situatën evidente, më pas do të hartojmë një Plan Strategjik për ndërhyrje në mjedis, me fokus rigjenerimin / ripyllëzimin.
A ka politika të posaçme që do të bënin të mundur përthithjen e investitorëve apo edhe donatorëve të huaj për t’u stacionuar në Kolonjë?
Politika e vetme është krijimi i kushteve optimale për instalimin dhe konsolidimin e Partneritetit Publik-Privat.
Bashkia do të mbështesë maksimalisht këtë marrëdhënie partneriteti, duke përpiluar gjithashtu edhe një sistem të favorshëm tatimesh dhe taksash për biznesin dhe për investitorët, përkrah përdorimit të frytshëm të aseteve publike.