Interviste19 Oct 2016

Edmond Themelko: Parku i Prespës, shpresa kryesore e bashkisë. Sfidë hapja e vendeve të punës

Një vit pas marrjes së mandatit në krye të bashkisë së Pustecit, BIRN Albania intervistoi kryetarin e bashkisë Z. Themelko lidhur me përmbushjen e premtimeve elektorale, bazuar mbi shqetësimet e ngritura nga vetë banorët e kësaj zone.

Autor: Dhorjela Cule BIRN Pustec
Printo

Edmond Temelko

Edmond Temelko

Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë në drejtim të bashkisë Pustec?

Gjatë fushatës parazgjedhore, i kisha vënë detyrë vetes që të parashikoja në program dhe t’i shtroja para zgjedhësve problemet kryesore me të cilat ballafaqohej popullsia e zonës së Prespës, e cila është zonë e populluar me minoritare maqedonas. Me këtë program u fituan zgjedhjet lokale dhe që në vitin e parë të punës së bashkisë, midis të tjerave u realizuan edhe këto detyra kryesore:

  1. U ndërtua dhe u sistemua në mënyrë të mrekullueshme qendra e fshatit Pustec, e cila njëkohësisht është edhe qendra e bashkisë. Kjo vepër u përballua tërësisht nga buxheti i shtetit nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
  2. Nëpërmjet programit IPA të Bashkimit Europian u vu në përdorim motobarka me energji diellore “Green Boat”, e cila do t’i japë mundësi turistëve të bëjnë shëtitje nëpër ujërat e Liqenit të Prespës.
  3. Me buxhetin e vogël të bashkisë morëm një mjet fadromë, i cili nevojitet për të përballuar nevojat e bashkisë për punimet në infrastrukturën rrugore, si dhe në mirëmbajtjen e lumenjve dhe të kanaleve kulluese dhe vaditëse në zonën e Prespës.
  4. U punua dhe u aplikua për dixhitalizimin e infrastrukturës së rrugëve dhe shesheve me adresat dhe emërtimet e reja.

Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?

Bashkia Pustec, në praktiken e saj të punës, vë në zbatim parimin e takimeve dhe konsultimeve me banorët e zonës për problemet kryesore që preokupojnë popullsinë, si dhe parashikimin e mënyrave për zgjidhjen e tyre. Gjithashtu, bashkia paraqet në vende të caktuara, dhe publikon të gjitha aktet e saj, vendimet e Këshillit të Bashkisë, si dhe ekspozimin e të dhënave kryesore në tenderimet, si dhe në aplikimet e tyre, për zbatimin e projekteve të ndryshme.

Në bazë të përmbajtjes së problemeve, bashkia organizon takime dhe konsultime të veçanta, me banorë të fshatrave të cilëve u përket problemi, si dhe me grupe banorësh në sferën e arsimit, të fesë, të kulturës, të shëndetësisë, etj.

Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?

Tre sfidat kryesore me te cilat përballet bashkia e Pustecit në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të standardit të jetës në zonë janë:

-Zhvillimi i mëtejshëm i turizmit në zonën e Prespës, si zonë turistike pjesë përbërëse e Parkut të Prespë,s si dhe të Rezervatit ndërkufitar të biosferës Ohër-Prespë, duke punuar në drejtim të zhvillimit të turizmit familjar, të turizmit liqenor dhe kulturor, si degë kryesore të mundshme për t’u zhvilluar.

-Hapja e fronteve të reja të punës me qellim të mbajtjes së popullsisë aktive në zonë, duke i krijuar mundësi të reja pune. Për këtë, krahas të tjerave kemi mundësuar që të investojë në Prespë një firmë fasonesh, e cila hapi një punishte rrobaqepësie ku janë punësuar disa dhjetëra gra e vajza të reja nga zona.

-Zhvillimi i mëtejshëm i bujqësisë dhe blegtorisë në zonë, me qellim që të arrihet në kapacitetet e dikurshme, duke pasur parasysh se bujqësia dhe blegtoria në zonë janë hallkat kryesore të ekzistencës dhe të zhvillimit të jetës.

Vizioni ynë është që bashkia e Pustecit të jetë model i zhvillimit të qëndrueshëm, që siguron standarde të kënaqshme jetese të komunitetit të vet, duke ndërtuar një marrëdhënie harmonike me natyrën, duke respektuar statusin ligjor të parkut kombëtar, duke zhvilluar me përparësi turizmin, të shoqëruar me një infrastrukturë bashkëkohore.

Sa ka ndryshuar situata e furnizimit me ujë të pijshëm dhe rrjetit të kanalizimeve në fshatra gjatë këtij viti?

Një nga problemet primare në bashkinë e Pustecit është edhe problem i furnizimit të popullsisë me ujë të pijshëm. Edhe gjatë vitit në fjalë janë planifikuar shumë projekte në këtë drejtim, por fatkeqësisht për mungesë fondesh nuk kemi arritur t’i realizojmë. Me buxhetin e bashkisë arritëm të ndërtojmë dhe të vëmë në funksionim një depo uji të dytë, në fshatin Pustec, si dhe kryem riparim të linjave të ujit në rrjetin e fshatrave Shulin dhe Tuminec. Pra, edhe për periudhën në vazhdim, për bashkinë e Pustecit mbeten probleme emergjente sigurimi i plotë me ujë të pijshëm në 7 fshatra të zonës, si dhe ndërtimi i rrjetit të ujërave të zeza edhe në 8 fshatra të zonës.

Cilat kanë qenë hapat konkrete të ndërmarra për promovimin e turizmit të zonës dhe a ka sjellë kjo ndryshim në shifrat e turistëve?

Siç theksuam edhe më lart, zhvillimi i turizmit në zonën e Prespës është problem primar për bashkinë tonë. Zhvillimi i turizmit është parë dhe trajtohet si një problem i cili do të mundësojë një nivel të mirë jetese për banorët e zonës. Për këtë arsye edhe bashkia e Pustecit ka punuar dhe punon në drejtim të zhvillimit të turizmit në zonë duke i mundësuar të gjitha alternativat për zhvillim dhe duke shfrytëzuar resurset natyrore dhe njerëzore në zonë.

Bashkia përkrah dhe ndihmon brenda mundësive, të gjitha familjet në zonë të cilat shfaqin interesin për zhvillimin e turizmit familjar. Gjithashtu bashkia, në bashkëpunim edhe me drejtuesit e Parkut të Prespës dhe me shoqatat që veprojnë në zonë mundohet të krijojë ekspozime të mundshme të zhvillimit të turizmit duke reklamuar dhe ndihmuar ndërtimet e kapaciteteve të reja turistike, duke reklamuar prodhimet bujqësore dhe blegtorale. Gjithashtu po përpiqemi të reklamojmë traditat e zonës në kulturë, folklor, në pasurinë e monumenteve natyrore, kulturore dhe fetare, etj. që ekzistojnë në zonë.

Sigurisht që kjo ka sjellë edhe rritjen e numrit të turisteve të vendit dhe të jashtëm, por jo në kuotën e planifikimeve tona, si dhe të mundësive reale që kemi.

A ka arritur bashkia të përthithë investitorë të huaj për të rritur nivelin e punësimit në zonë?

Bashkia e Pustecit gjithnjë i ka kushtuar vëmendje nivelit të punësimeve të reja edhe nëpërmjet hapjes së punishteve të reja nga investitorët vendas dhe të huaj. Por fatkeqësisht, nuk është arritur ndonjë shifër e konsiderueshme në investime, si dhe të punësimeve të reja.

Në këtë drejtim duhet të përmendet një punishte fasonesh e cila është e hapur nga një investitor i huaj në Pustec ku janë punësuar disa dhjetëra gra e vajza të zonës.

Sa pika grumbullimi të mbetjeve urbane janë në këtë bashki dhe si realizohet menaxhimi i tyre?

Në zonën e Prespës, e cila mbulohet nga bashkia e Pustecit, për nga vetë shtrirja gjeografike e saj janë ndërtuar dy pika grumbullimi të mbetjeve urbane. Në këto dy pika grumbullohen të gjitha mbetjet e zonës duke i grumbulluar dhe transportuar në destinacion nga punonjësit dhe nga dy mjete transporti. Bashkia e Pustecit ka aksione në shoqërinë e “Administrimit të Mbetjeve të Qarkut Korçë” që do menaxhojë landfillin e Maliqit.

Ka ofruar bashkia politika mbështetëse për zhvillimin e bujqësisë dhe të blegtorisë?

Bashkia jonë, duke qenë e bindur se me zhvillimin e bujqësisë dhe të blegtorisë në zonë, si hallka kryesore të zhvillimit të jetës dhe duke u mbështetur në eksperiencën dhe traditat e jetës së banoreve të zonës, gjithmonë i ka kushtuar vëmendje zhvillimit të bujqësisë dhe të blegtorisë në zonë, të paktën për të arritur në nivelet e realizimeve të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.

Për këtë arsye, mbi bazën e ndryshimeve shoqërore në bujqësi dhe blegtori, bashkia gjithnjë ka punuar në:

-Përhapjen e eksperiencës si dhe propagandimin e metodave të reja të zhvillimit të bujqësisë dhe të blegtorisë në zonë, si baza kryesore të zhvillimit të jetës.

-Forma pune dhe propagandime nga specialistet e bashkisë, specialistë të parkut të Prespës, si dhe të organizatave dhe shoqatave të ndryshme që veprojnë në fushën e bujqësisë, veçanërisht në drejtim të kultivimit të çajit të malit, të grumbullimit të bimëve mjekësore, në rritjen e prodhimeve bujqësore si dhe në rritjen e numrit të koshereve të bletëve, të numrit të krerëve të bagëtive të imta e të trasha, etj…

-Propagandimi i aplikimit për kredi nga shteti në drejtim të rritjes së numrit të krerëve në blegtori, etj.

-Hapja e punishteve dhe përpunimi i prodhimeve bujqësore dhe blegtorale në zonë, si pika për grumbullimin e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, punishte për përpunimin e fruta-perimeve, për përpunimin e qumështit, të peshkut mbetet prioriteti ynë.