Interviste31 Oct 2015

Elvis Roshi: Objektivat e mandatit të dytë

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 21 Qershor 2015, BIRN Albania intervistoi kryetarin e zgjedhur të bashkisë Kavajë lidhur me shqetësimet e ngritura nga banorët. Më poshtë janë regjistruar premtimet e Z. Roshi lidhur me mandatin e tij katërvjeçar.

Autor: Lindita Çela BIRN Kavajë
Printo

Elivs Roshi/ Foto: Gent Shkullaku LSA

Elivs Roshi/ Foto: Gent Shkullaku LSA

Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë Kavajë dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

Problemet janë komunat e keqqeverisura deri më tani. Mungon sistemimi i ujërave të zeza dhe ai i ujërave të bardha. Ndriçimi dhe pastrimi janë në gjendje emergjence.

Duhet të kuptoni se para katër vjetësh, kur ndryshuam qeverisjen e këtij qyteti drejtuar prej dy dekadash nga Partia Demokratike, u hasëm me shumë probleme. Kavaja, nuk ishte një qytet dhe nuk kishte as pamjen si të tillë. Emergjente atë kohë ishte të merreshim me gjerat më bazike, siç ishin koshat e plehrave, rregullimi i trotuareve, vendosja e rregullit në territor, shtrimi apo asfaltimi i rrugëve të brendshme në qytet, ndriçimi, gjelbërimi dhe mjaft punë të tjera komunitare.

Ujësjellësi vazhdonte të mbetej nën drejtimin e administratorëve të zgjedhur nga PD deri në vitin 2013. Kur morëm në dorëzim ujësjellësin, aty vumë re abuzimet e shumta që nga mungesa e njerëzve profesionistë në institucion dhe deri tek abuzimi me ujin e pijshëm. Aksioni i ndërprerjeve të lidhjeve të paligjshme nga rrjeti i ujësjellësit doli si detyrë prioritare, duke u bërë shpeshherë në objekt edhe mediatik për shkak të ndërprerjes së ujit të pijshëm për shumë nga VIP-at që kishin shtëpitë e tyre në zonat turistike. Falë ndërhyrjeve emergjente u rritën arkëtimet për ujësjellësin dhe buxhetin e shtetit, por edhe kjo nuk e zgjidhi emergjencën për ujin e pijshëm në Kavajë.

Sot flas me bindje se brenda këtij mandati, qytetarët e Kavajës do të kenë ujë 24 orë në ditë. Është tenderuar dhe ka filluar nga zbatimi projekti i ujësjellësit tëri të qytetit. Në muajin korrik fillojmë ndërtimin e ujësjellësit tëri për Golemin dhe Qerretin, ndërsa deri në fund të vitit fillojmë ndërtimin e një rrjeti të ri për Kavajën, i cili arrin vlerën e investimit total prej 4.5 miliard lekë.

Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë Kavajë?

Dalja nga emergjenca e komunave që i shtohen Kavajës, pastrimi i zonës së plazheve, pastrimi i përrenjve dhe kanaleve kullues do të jenë ndërhyrjet e para që në vitin e parë të mandatit.

A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Kavajë dhe cilat janë ato?

Nuk kam për zakon të shkarkoj njerëz nga puna, por sigurisht ka një listë kriteresh, si: shkollimi, CV të pasur me eksperiencë pune, si dhe njerëz që t’i dojë dhe respektojë zona ku ata do të shërbejnë.

Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?

Për Bashkinë e Kavajës kjo nuk është diçka e re. Kur flasim për mekanizma që duhet të ndërtohen, më lejoni t’ju them se këto mekanizma janë ngritur dhe funksionojnë prej kohësh në bashkinë e Kavajës. Kjo do të thotë që në katër vitet e kaluara, pjesa më e madhe e punëve dhe projekteve nuk janë bërë vetëm me idetë dhe projektet që ka nxjerrë stafi i bashkisë, por me një punë të palodhur të inxhinierëve, arkitektëve, intelektualëve, bazuar në propozimet e komunitetit apo me dëgjesat e tyre. Jo më kot mund të keni vërejtur faktin se shumë shpesh projektet e Kavajës kanë nxitur edhe debate e dëgjesa edhe në nivel kombëtar, jo thjesht dhe vetëm në atë lokal.

Kështu, mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Kavajës janë mbledhje që brenda tyre kanë ekspertizën dhe vëmendjen jo vetëm të ekspertëve dhe stafit të bashkisë, por edhe më gjerë. Përveç debateve që zhvillojnë e kryejnë në këto mbledhje anëtarët e Këshillit Bashkiak, të zgjedhur me votë nga komuniteti,më lejoni të them se pjesa e projekteve të mëdha, siç është bashkia e re, rikonstruksioni i sheshit, rruga hyrëse e Kavajës, rregullimi i rrugës së Kishës siç e njohim në Kavajë, apo edhe rikonstruksioni që po bëhet rreth kullës së sahatit apo te xhamia e pazari i vjetër, janë projekte që kanë marrë viston dhe miratimin e komunitetit kavajas, qoftë nëpërmjet dëgjesave, ashtu edhe nëpërmjet shpalljeve publike e debateve televizive.

Kjo praktikë e mirë që kemi nisur katër vitet e kaluara, do të vazhdojë dhe duket se do të jetë një proces i pakthyeshëm. Vendimet që shqyrtohen në mbledhjen e këshillit të bashkisë, shpallen në këndin e informacionit që vendoset në katin e parë të bashkisë, dhe qytetarët kanë mundësi të konsultohen me idetë dhe projektet kryesore që shqyrtohen në Bashki.

Ndërkohë, mendoj se mund të pasurohet më shumë ky lloj organizimi. Duke qenë se me ndarjen e re administrative bashkia Kavajë zgjerohet edhe më shumë, do të jetë e domosdoshme marrja e masave për të krijuar dëgjesa me komunitetin edhe në zonat e reja, të cilat janë më larg qendrës së Kavajës. Është një mundësi më e mirë për një kontakt direkt me qytetarët.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për përmirësimin e shërbimeve të pastrimit, furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në komunat bregdetare?

Do të ndiqet modeli i qytetit dhe në fshat ku do të pastrohet, fshihet dhe laget çdo rrugë e asfaltuar.

Ne muajin korrik fillojmë ndërtimin e ujësjellësit tëri për Golemin dhe Qerretin, ndërsa deri në fund të vitit fillojmë ndërtimin e një rrjeti të ri për Kavajën, i cili arrin vlerën e investimit total 4.5 miliard lekë.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj në ndihmë të sektorit bujqësor të bashkisë Kavajë, si për zonat fushore ashtu edhe për zonën kodrinore?

  • Do të mirëmenaxhojmë bordin e kullimit, i cili deri më tani është përdorur për qokat politike;
  • Do të ndërtojmë rrugët që lidhin zonat urbane me ato rurale;
  • Do të mundësojmë transportin publik ndërmjet zonave urbane-rurale dhe anasjelltas;
  • Do të shtrojmë rrugët lidhëse ndërmjet tokave dhe fshatrave;
  • Do të nxisim krijimin e magazinave frigoriferike grumbulluese me standarde, që bëjnë të mundur mbledhjen e produkteve bujqësore pranë çdo komune;
  • Do të mbështesim dhe do bëjmë të mundur, bashkë me qeverisjen qendrore, pastrimin dhe ndërtimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse;
  • Do të vendosim stacione të pompave të kullimit;
  • Do të ndërtojmë argjinatura për të evituar përmbytjet përgjatë përrenjve dhe rrjedhave të tjera ujore;
  • Do të nxisim krijimin e fermave biologjike dhe produkteve tipike të zonës.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për rehabilitim e kinemasë së Golemit?

Më duhet të pranoj se në gjendjen në të cilën ndodhet nuk mund ta quajmë më një kinema. Është një objekt i pabanueshëm,jo në aspektin se ndokush duhet të qëndrojë e të banojë aty, por si një objekt i shkatërruar, pa çati, pa dyer e dritare.

I tillë nuk duhet të ishte, por të gjithë e dimë se ndonjëherë fondet e buxhetit dhe fondet lokale shkojnë në prioritetet më emergjente për qytetarët.
Por, Golemi do të jetë një pjesë e rëndësishme e bashkisë së re të Kavajës. Në këndvështrimin tonë do të jetë një miniqytezë e re turistike që do të afrojë gjithmonë e më shumë turistë, jo vetëm vendas, por nga gjithë rrethet e vendit dhe pse jo edhe nga jashtë Shqipërisë, nëpërmjet programeve dhe projekteve që ne si bashki kemi detajuar për turizmin.
Parë në këtë këndvështrim, kinemaja e re e qytetit (dhe të tillë do të duhet ta konsiderojmë atë godinë të braktisur) do të ketë funksionet e saj dimërore, pra e mbuluar, dhe meqë jemi në një zonë turistike, do të ketë funksionin edhe të një kinemaje verore. Si fazë e parë e ndërhyrjes është rikonstruksioni i saj në gjërat bazike për ta kthyer në një objekt që të mos degradojë më tej.

Drejtoria e kulturës e Bashkisë po punon për bërjen e një projekti që do të kërkojë ndërhyrje rrënjësore për idenë që ne kemi për ta kthyer edhe në kinema verore. Ky projekt, do të kalojë për miratim te Ministria e Kulturës për të marrë fondet e nevojshme nga buxheti i shtetit dhe për ta kthyer në një objekt multifunksional, jo thjesht kinema, por edhe për aktivitete të tjera.

Jemi të sigurt se projekti ynë do të marrë mbështetjen nga Ministria e Kulturës dhe Qeveria Shqiptare, duke qenë se do të jetë një godinë që i vjen më së miri në ndihmë komunitetit dhe zhvillimit të zonës turistike.

Çfarë hapash konkretë do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për nxitjen e qëndrueshme të turizmit në Bashkinë Kavajë?

Kavaja është një qytet që do të ofrojë direkt në sezonin e ardhshëm një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Në Kavajë nuk vihet vetëm për të ngrënë peshk të mirë. Vija bregdetare e bashkisë do ta kthejë Kavajën në një qytet turistik, që do të konkurrojë, pse jo, edhe Durrësin apo qytetet e tjera bregdetare në vend.

Në bashki do të ketë një zyrë që do të merret me turizmin për shkak të gjeografisë së re të zonës. Do të ketë organizime të pikave “info” që do të japin informacion të bollshëm për këdo që kërkon të qëndrojë në Kavajë me pushime. Në programin tim në këtë mandat të dytë, në plan parësor qëndron lidhja dhe vendosja e kontakteve me operatorë të rëndësishëm turistikë, brenda dhe jashtë vendit, të cilët do të garantojnë lidhjen e kontratave të qëndrueshme turistike. Para se të shkojmë në këtë pjesë, kjo zyrë e turizmit në bashki, do të bëjë një evidentim të qartë të kapaciteteve që ka zona turistike e Kavajës, flas në aspektin e shtretërve apo organizimin e hotelerisë. Pas evidentimit të gjendjes aktuale dhe kërkesës për kushte sa më të mira, do të fillojë projekti i lidhjes së operatorëve turistikë me operatorët që operojnë në zonë, apo edhe në lidhje direkte.

Do të arrijmë që të fusim standardet dhe normat e BE-së, ku operatorët turistikë dhe hoteleritë të jenë transparentë, si me çmimet, ashtu edhe me cilësinë. Për të arritur këtë na duhet patjetër një personel i kualifikuar. E për këtë na vjen në ndihmë edhe shkolla profesionale e turizmit, aty ku do të aftësohen menaxherët e rinj të turizmit dhe të gjithë ata që do të punësohen në këtë sektor, që nga ndihmësit, kamarierët, guzhinierët e deri tek ndihma kryesore që do të japë bashkia me vendosjen e linjave të transportit të ri urban, duke lidhur zonat brenda Kavajës dhe më gjerë.

E gjithë kjo punë voluminoze do të bëhet në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe Agjencinë e Bregdetit duke synuar jo vetëm mirëmbajtjen e plazheve dhe vijës sonë bregdetare, por edhe projekte pilot të cilat do të na mundësojnë fonde për të sjellë shembujt e mirë të menaxhimit të turizmit.

Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për ndalimin e ndërtimeve shumëkatëshe në vijën bregdetare?

Nuk jemi akoma të qartë se kush do i ketë këto kompetenca.