Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë Vorë dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?
Mund të themi pa hezitim se problemi më i madh i Bashkisë Vore është punësimi. Kjo është arsyeja qe punësimi është motoja e programit tim qeverisës 2015-2019. Punësimi është problem me themelor edhe se infrastruktura rrugore apo ujësjellësit. Bashkia e re do të rrisë punësimin ne Administratë, në drejtoritë e ujësjellësit dhe të shërbimeve publike. Do të ngrihet departamenti i punësimit të rinisë i cili do të merret me punësimin e të rinjve si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
Gjithashtu bashkia e re do të hartojë Masterplanin dhe Planin Rregullues të saj duke krijuar mundësinë e përthithjes se investimeve vendase dhe të huaja duke ulur në maksimum papunësinë dhe do të jetë një epoke e re për të gjeneruar vende të lira pune. E dimë mirë që sektori privat është gjeneratori kryesor i punësimit. Ne projektin tim 2015-2019 është një projekt me taksa të ulëta dhe do të punohet intensivisht për krijimin e kushteve lehtësuese për biznesin e vogël dhe të madh.
Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë Vorë?
Rikonstruktimi dhe asfaltimi i të gjithë rrugëve dytësore dhe tretësore në qytetin e Vorës, lagje e re Vorë, Kodër –Vorë, Marikaj, Lagje Dunga, Marqinet 1 dhe Marqinet 2, Shargë, Mucaj, Gjokaj, Picar –Dedej dhe Kuc, duke përmirësuar rrënjësisht cilësinë e jetës dhe shërbimit të qytetarëve.
Do të përfundojmë rikonstruksionin e të gjithë rrugëve të mbetura pa asfaltuar ne fshatin Domje Preze-Kala, Palaq, Gjec-Koder, Gjec-Fushë e Ahmetaq.
Një epokë e re ndryshimi do të jetë Bërxulli duke asfaltuar akset Ura e Limuthit – Qendër Bërxull, rruga Kodër Bërxull, unaza lidhëse Bërxull – Gjec Fushë dhe shumë blloqe të tjera në Bërxull Fushë, Brukë, për ta shndërruar Bërxullin në një kantier të madh për të ndryshuar cilësinë e jetës dhe shërbimit për të gjithë qytetarët e bashkisë tonë.
A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Vorë dhe cilat janë ato?
Përveç kritereve ligjore, të cilat nuk janë të diskutueshme, për emërimin e administratoreve do të ishin profesionalizmi, përgjegjshmëria dhe përkushtimi në shërbim të qytetareve, ndërsa për shkarkimin e tyre neglizhenca në kryerjen e detyrave dhe performanca e ulët.
Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?
Transparenca është një tipar themelor i bashkisë së sotme Vore të cilin do ta zbatojmë edhe në njësinë e re administrative të bashkisë Vorë. Vendimmarrja e bashkisë do të shoqërohet gjithmonë me pjesëmarrjen sa më të gjerë të publikut. Në momentin e planifikimit të buxhetit, planit urbanistik, apo ndërhyrjet në infrastrukturë, përpara se të merret një vendim do të zhvillohet një konsulte e gjërë publike me banorët dhe palët e interesuara. Të gjitha konsultat do të jenë të hapura për publikun dhe do të jenë të njoftuara në vende publike, nëpërmjet email-it dhe televizoneve apo mediave lokale.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për zgjidhjen e problemit i furnizimit me ujë të pijshëm në fshatrat përbërëse të Bashkisë Vorë?
Në kuadër të bashkisë së re në Vorë do të bëhen investime të mëdha si, në rrjetin e ujësjellësit, ndërtimin e puseve të reja si dhe të depove të mëdha të ujit në Vorë, Bërxull dhe Prezë.
Brenda çfarë afatesh qytetarët e bashkisë tuaj do të mund të kenë planin e zhvillimit urban gjithëpërfshirës për të gjitha njësitë përbërëse?
Është një çështje shumë e rëndësishme e mandatit qeverisës 2015 – 2019. Vora dhe Bërxulli e kanë të miratuar planin e tyre te përgjithshëm vendor dhe do të jetë i zbatueshëm nga dita e parë e mandatit qeverisës 2015 – 2019. Për pjesën tjetër të territorit, Plani i Zhvillimit Urban do të jetë gati për qytetarët e bashkisë Vorë brenda vitit të parë të mandatit tonë qeverisës.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për nxitjen e blegtorisë dhe bujqësisë në bashkinë Vorë?
Në masterplanin do të evidentohen të gjitha hapësirat e mundshme për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Do këtë një lehtësim të konsiderueshëm procedurash për dhënien e lejeve të serave, stallave apo ndërtesave te tjera që janë në funksion të zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë. Do të ketë një përkujdesje të vazhdueshme të infrastrukturës përkatëse. Do të nxiten dhe orientohen fermerët të kultivojnë dhe rritin llojet vendase.