Problemi më i madh për Bashkinë Fushë-Arrëz është varfëria e skajshme si shkak i papunësisë. Çfarë keni bërë ju gjatë një viti në krye të Bashkisë së Fushë-Arrëzit për zbutjen e kësaj varfërie?
Hapja e projektit, “Gratë” një nismë 3-vjeçare (2016-2018) e nxitur nga RTM-Volontari nel Mondo (Reggio Emilia, Itali), PFD-Partnerët për Zhvillim (Tiranë) dhe QGHL-Qendra e Grave “Hapat e Lehtë” (Shkodër), në bashkëpunim me Bashkinë Fushë-Arrëz Projekti “Gratë” financohet nga BE- Bashkimi Europian. Ky projekt ka për qëllim nxitjen e biznesit dhe hapjen e ndërmarrjeve të reja, Hapja e thirrjeve për “projekt-propozimet ka filluar më 27 qershor 2016 deri më datë 23 shtator 2016. Tre grupet fituese (minimumi 5 gra-40 gra) të këtij projekti do financohen për materializimin dhe mbarëvajtjen e nismës së ndërmarrjeve të reja potenciale. Janë bërë kërkime të vazhdueshme dhe kontaktuar vazhdimisht biznese të ndryshme nga stafi përkatës bashkiak për hapjen e një fasonerie. Deri tani, edhe pse diskutuar me biznesmen të ndryshëm (call center, fabrike këpucësh etj) përpjekjet tona të deritanishme nuk kanë rezultuar të suksesshme, por ne kemi synim që të këmbëngulim deri sa të arrijmë objektivin e hapjes të një biznesi për punësimin e komunitetit. Jemi në pritje të miratimit për restaurimin e pesë pallateve pranë bashkisë së Fushë-Arrëzit. Miratimi i këtij projekti nënkupton edhe hapjen e vendeve të punës për komunitetit. Në kuadër të rritjes së eficencës së energjisë dhe uljes së konsumit të lëndëve djegëse për ngrohje jemi në fazën përmbyllëse të punimeve për një projekt pilot në një pallat në bashkëpronësi. Siç u përmend më lart terreni zhvillimor është vështirësuar si pasojë e rënies ekonomike. Gjithashtu, rënia ekonomike në këtë zonë është theksuar më tepër nga mbyllja e fabrikës (shpresojmë përkohësisht) të bakrit. Mbetemi me shpresën që pengesat e kursit të ulët të mineralit si edhe çdo pengesë tjetër të zhvendosen për normalitetin e mjaftueshëm ekonomik. Tashmë është miratuar buxheti për restaurimin e dy shkollave 9-vjeçare, njëra prej tyre është në qytetin Fushë-Arrëz, dhe investimi tjetër bëhet në shkollën e fshatit Iballë. Projekt tjetër i miratuar është restaurimi i rrugës dytësore të qytetit pranë shkollës mesme. Tashmë është miratuar projekti për rikonstruksione në vepra vaditëse pranë Njësisë Administrative Blerim, Njësisë Administrative Fierzë dhe Njësisë Administrative Iballë, që ju vjen në ndihmë disa banorëve të këtyre Njësive e kontribuon në eficensën për përmirësimin e veprave vaditëse.
Bashkia Fushë-Arrëz është fituar nga socialistët, ndërsa më parë qeverisej nga demokratët. Cilat kanë qenë kriteret për emërimin e administratorëve, por edhe të administratës së bashkisë Fushë-Arrëz? A ka pasur emërime militantësh, apo funksionarë partie, emërime klienteliste apo nepotike?
Kriteret për emërimin e administratorëve si edhe të administratës të bashkisë Fushe-Arrëz kanë qenë konform ligjeve dhe rregullave. Emërimet janë bërë sipas profesionalizmit dhe nuk “ka pasur emërime militantësh, apo funksionarë partie, emërime klienteliste apo nepotike.”
Edhe bashkia e Fushë-Arrëzit, ashtu si shumë bashki të tjera në veri të Shqipërisë vuan mungesën e ujit të pijshëm, megjithëse e pasur me burime ujore. Çfarë është bërë nga ana juaj për përmirësimin e furnizimit me ujë të Fushë-Arrëzit dhe të fshatrave?
Verën e kaluar janë bërë prerje të lidhjeve të paligjshme të tubacioneve, dhe e njëjta strategji po ndiqet edhe këtë verë. Marrja e masave për ndalimin e përdorimit të paligjshëm të ujit të pijshëm do rezultojë pozitivisht për arritjen a ujit në destinacionin e duhur. Megjithëse kjo zonë e pasur me burime ujore, në periudhën e verës ka më pak ujë sesa në stinë e tjera për shkak të motit të thatë që është në këtë stinë. Gjithsesi, prioritet ynë është rikonstruksioni i rrjetit të brendshëm dhe zhvendosja e rrjetit të amortizuar të ujësjellësit që do rezultojë në rritjen e mbledhjes së ujit të pijshëm në rezervuarët respektiv. Po punohet gradualisht që ndërmarrja ujësjellës kanalizimeve të bashkisë të shtrije aktivitetin e saj në të gjithë territorin e bashkisë.
Ndërtimi i Rrugës së Kombit ka falimentuar shumë biznese përgjatë rrugës së vjetër Pukë-Fushë-Arrëz-Kukës. Disa prej tyre janë transformuar, madje duke punësuar edhe njerëz siç është stabilimenti i ujit në Qafë-Mali dhe Qendra e Rritjes së Troftës në Lajthizë. Çfarë është bërë për lehtësimin e këtyre bizneseve, pasi këto të fundit ankohen për taksa të larta të vendosura nga shteti nisur nga kushtet në të cilat ato punojnë dhe shpenzimet e kryera për transformimin e biznesit si pasojë e devijimit të rrugës?
Duke parë gjendjen social-ekonomike ne si bashki kemi implementuar nivelin më të ulët të taksave (në 25 vitet e fundit) mundësisht, pa frikë mund të themi që bashkia e Fushë-Arrëzit sot ka nivelin më të ulët të taksave/tarifave në shkallë republike. Marrë shkak nga pyetja e mësipërme, sot bashkia jonë në bashkëpunim me këshillin bashkiak kemi bërë një ulje prej 30 % të taksës së tokës bujqësore. Gjithashtu, bashkë me këshillin bashkiak po punojmë për të realizuar lehtësira të ndryshme të bazuara në legjislacionin në fuqi për bizneset të reja që investojnë në territorin tonë që kanë si synim hapjen dhe stimulimin e sa më shumë vendeve të reja të punës, këto masa vijnë duke parë edhe nevojat emergjente të banorëve të kësaj zone për tu punësuar, si edhe duke pasur parasysh pezullimin e aktivitetit të shoqërisë BerAlb, kompani e cila punësonte rreth 200 familje të bashkisë Fushë-Arrëzit. Edhe për kompaninë Lajthiza Invest si edhe qendrën e rritjes së troftës ne kemi aplikuar taksat sipas legjislacionit në fuqi edhe tarifat më të ulëta me qëllim stimulimin dhe ndihmën nga ana e bashkisë që këto biznese të zhvillohen dhe të kenë sukses në bizneset e tyre.
Zona ku ju drejtoni si kryetar i Bashkisë është e pasur me pyje që gjatë viteve të tranzicionit janë dëmtuar së tepërmi. Tani me ndryshimin e ligjit për pyjet dhe marrjen e tyre në administrim, a ka ndonjë plan nga ana e Bashkisë për përmirësimin dhe shtimin e tyre?
Është e vërtetë se pyjet e territorit të bashkisë tonë gjatë këtyre viteve të tranzicionit janë dëmtuar në mënyre ekstreme sidomos nga zjarret, por edhe nga shfrytëzimi pa kriter. Tani jemi në kushtet e zbatimit të moratoriumit në pyje të vendosur nga qeveria shqiptare. Në lidhje me pyetjen e radhës për përmirësimin dhe shtimin e pyjeve janë bërë një sërë projektesh për pastrimin e druve të vjetra dhe mbjelljen e fidanëve të rinj, ku këto projekte janë paraqitur tek shoqata të ndryshme, por akoma nuk kemi marrë përgjigje. Sipërfaqja pyjore e kaluar në pronësi të bashkisë Fushë-Arrëz është 48843 hektarë me pyje të degraduara që e bëjnë emergjente investimin në pyje. Në kuadrin e kësaj emergjence, janë dërguar 27 projekte Fondit të Zhvillimit Rajonal dhe Ministrisë së Mjedisit. Janë planifikuar (nga këto 27 projekte) pyllëzime rreth 400 ha, shtimi i gështenjës, arrës, akacies dhe pishës së zezë, akoma jemi në pritje të përgjigjes nga dikasteret përkatëse ndaj këtyre projekteve. Jemi në fillim të punës për zbatimin e vendimeve të Këshillit të Ministrave, të Ministrisë së Mjedisit për administrimin e pyjeve dhe për plotësimin e nevojave të komunitetit me prodhimet e ndryshme të pyllit. Jemi në pritje për daljen e ligjit për drutë e vjetra për përdorimin e tyre për dru zjarri. Së fundmi, kemi aktivizuar kryepleqtë për informimin dhe shuarjen e zjarreve dhe ezaurimin e mundësive në organizata apo donacione të huaja për posedimin e një zjarrfikëseje.