Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Maliq?
Sistemim-Asfaltim rrugët e brendshme të fshatit Maliq (në zbatim), fillimi i pastrimit të kanalizimeve të ujitjes dhe kullimit në Fushën e Maliqit, ndërtimi i shkollës së re të fshatit Rambec (periudhë prokurimi), sistemim-asfaltim i rrugës Petrushë-Vreshtas 5.5 Km e gjatë (në fazë prokurimi).
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultim publike,etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Në prag të hartimit të buxhetit të vitit 2016 kemi realizuar takime publike me qytetarët në shumicën e fshatrave të bashkisë. Të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me buxhetin shpallen për publikun në stendën e bashkisë.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Shërbimi ndaj qytetarëve, duke ngritur sportele pranë bashkisë për një shërbim sa më të shpejtë e pa sorollatje për të gjitha problematikat që ata kanë; përfundimi i pastrimit të të gjitha kanaleve kullues e vaditës të fushës së Maliqit; Sistemim –Asfaltim i dy segmenteve kryesore, ai Maliq-Libonik dhe Orman Terovë. Përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm.
Sa të pranishëm kanë qenë banorët e zonave të thella në takimet dhe konsultimet publike dhe mbi çfarë baze janë vendosur prioritetet për investime?
Banorët kanë qenë të pranishëm në takimet e realizuara nga ana jonë. Vetëm gjatë vitit 2016 kemi realizuar dy takime me banorët e zonës Maoglicë mbi problematikat e lindura nga ngritja e hidrocentraleve mbi lumin Devoll, por jo vetëm. Radha e investimeve është vendosur duke thithur mendimet e komuniteteve dhe duke i rakorduar edhe me atë çfarë vetë bashkia ka vendosur në planet zhvillimore afat shkurtër apo afat mesëm.
A ka hartuar Bashkia Maliq një strategji të zhvillimit dhe mbështetjes të sektorit të bujqësisë? Sa është punuar me krijimin e infrastrukturës së nevojshme për vaditjen dhe kullimin në fushën e Maliqit?
Ne kemi një strategji të shkruar në fushën e bujqësisë që jemi duke e zbatuar me masat më emergjente. Ka rreth 3 muaj që punohet me 4 mjete ekskavatorë në pastrimin e kanaleve kullues e vaditës dhe volumet e punës janë të konsiderueshme. Deri në këtë moment kemi pastruar mbi 13 mijë m3 gërmime.
Izolimi në zonat e thella ka qenë problem disa vjeçar, a ka pasur ndërhyrje?
Ka patur disa ndërhyrje dhe vazhdojmë në përmirësimin e infrastrukturës, por nuk jemi atje ku duhet me këtë problem.
Bashkia e re ka reflektuar një zgjerim të konsiderueshëm në shtrirje, si është punuar në përcaktimin e prioriteteve në investime dhe rikonstruksionin e institucioneve?
Është marrë mendimi i komuniteteve, është rakorduar edhe me rëndësinë që ka çdo investim dhe komunitetet që përfitojnë dhe kemi filluar apo jemi në proces me rikonstruksionin e institucioneve veçanërisht ai i bashkisë etj. Në lidhje me punësimin jemi munduar të rakordojmë veprimet me veprat e mëdha që po realizohen në bashkinë tonë si: HEC mbi lumin Devoll, landfilli i Maliqit apo edhe investimet që ne vetë po kryejmë për të bërë të mundur punësimin e sa më shumë njerëzve.