Cilat janë 3 arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë?
Ka qenë një përpjekje e madhe për të venë në eficencë administratën, e cila linte shumë për të dëshiruar. Pas kësaj jemi përqendruar tek përgatitja e projekteve me qëllim përmirësimin e infrastrukturës. Kjo na ka sjell dhe mundësinë e investimeve të cilat po na ofrohen çdo ditë falë dhe këtyre projekteve që i kemi përgatitur me studio të ndryshme inxhinierie. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar asaj që kam premtuar që në krye të herës, bashkëqeverisjes të cilën po e arrijmë përmes konsultave dhe thithjes së mendimeve të qytetarëve, ashtu sikurse një vëmendje e veçantë po i kushtohet zhvillimit të turizmit, mbrojtjes se pyjeve dhe shfrytëzimit të resurseve të tjera natyrore që nuk i mungojnë Pukës, por që janë keq-menaxhuar për interesa të ngushta. Unë në krye të kësaj bashkie kam ardhur për të ndryshuar Pukën dhe shpresoj që kësaj po ja arrij dita- ditës, pasi kjo është dhe ëndrra ime që do e bëj realitet.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Për çdo vendim timin jam konsultuar me grupet e interesit dhe janë marrë mendimet e tyre. Po kështu edhe për Projekt-Buxhetin jemi konsultuar, ashtu si dhe për paketën fiskale. Gjithnjë deri tani kam gjetur bashkëpunimin në të mirën e përgjithshme dhe përgjithësisht kur ka pasur përputhje ligjore është marr për bazë mendimi i grupeve të interesit. Lidhur me transparencën që ka qenë dhe një premtim i imi krahas detyrimit ligjor bashkia ka ri-jetësuar websitin zyrtar, .bashkiapuke.gov.al ku publikohet i gjithë aktiviteti i bashkisë Pukë, vendimet, projektet, njoftimet etj. Po kështu është hapur dhe një profil në rrjetin social me emrin BashkiaPuke- faqja zyrtare ku sërish publikohen aktivitetet vendime, njoftime etj, ashtu sikurse këtë profil po e përdorim periodikisht për komunikimin me qytetarët ku për çdo pyetje ka një përgjigje në kohën më të shpejtë të mundshme. Pjesë e kësaj është dhe komunikimi im televiziv periodikisht një herë në tre muaj në një emision direkt në televizionin lokal. Bashkia Pukë tashmë ka dhe koordinatorin për informimin që ndjek çështjet e transparencës me publikun, dhe mendoj se Puka dhe pukjanët nuk kanë pasur ndonjëherë më parë këtë nivel transparence.
Cilat janë 3 sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Sfidat kryesore të bashkisë Pukë janë zhdukja e nepotizmit dhe rritja e përgjegjësisë ndaj punës në mënyrë që t’i afrojmë shërbimin më të shpejt qytetarëve, gjë të cilin e kam kërkuar dhe do të vazhdoj ta kërkoj gjithnjë. Përmirësimi i infrastrukturës në qytet dhe fshat për të cilën ka filluar puna dhe momentalisht po operojmë me katër projekte që jo vetëm sjellin përmirësimin e infrastrukturës, por zvogëlojnë dhe shkallën e papunësisë.
Një tjetër pikë është dhe rivitalizimi i shërbimit spitalor një shërbim jetik për qytetarët e Pukës. Ne mendojmë për përshtatjen e Spitalit të Pukës në një spital për kurimin e sëmundjeve të brendshme si një mundësi e mirë për të gjithë ata që vuajnë nga të tilla sëmundje nisur dhe nga klima kurative që ka qyteti i Pukës. E kemi adresuar tek qeveria këtë sfidë dhe shpresojmë tek mbështetja për realizimin e kësaj ëndrre jo vetëm për mua, por për të gjithë pukjanët. Ky spital planifikohet të shërbej në nivel kombëtar dhe ma besonin rezultatet e tij do të ishin të menjëhershme.
Bashkia juaj përfshin një territor malor dhe me probleme të trashëguara. Cilat kanë qenë ndërhyrjet që keni bërë në infrastrukturë në vitin e parë të mandatit tuaj?
Problemet infrastrukturore janë të shumta, dhe ndërhyrja bëhet gjithnjë e më e vështirë kur mendon borxhet e trashëguara. Aktualisht janë kryer të gjithë ndërhyrjet emergjente, ku sot nuk ka fshatra që vuajnë për ura, rrugë, mullinj bloje apo dhe kanale vaditëse, këtu flas kryesisht për fshatrat e thellë ku nuk ishte vënë dorë prej 25 vitesh. Po kështu një pjesë e fshatrave të Njësisë Administrative Qelëz që as që e ëndërronin rrugë tashmë po i gëzohen asaj. Bëhet fjale për fshatrat Buzhal, Levrushk etj.
Një ndër pasuritë kryesore të bashkisë suaj është ajo pyjore. Çfarë keni bërë gjatë këtij viti në drejtim të ruajtjes e pasurimit të pyjeve?
Menjëherë në përputhje me legjislacionin në fuqi është ngritur struktura për Mbrojtjen dhe Menaxhimin e Pyjeve dhe Kullotave ku në këtë sektor janë emëruar gjashtë inxhinierë pyjesh dhe katër teknikë. Rezultatet kanë qenë të menjëhershme sidomos në të ndalurit të shkatërrimit të pyjeve, ndërsa kemi përgatitur 20 projekte përmes të cilave synojmë mbjelljen e sipërfaqeve të reja pyjore, të cila prej 20 vitesh janë lënë në harresë edhe pse Puka ka sipërfaqen më të madhe të pyjeve në Shqipëri ndaj dhe jo më kot njihet ndryshe dhe si Kryeqyteti i Pyjeve. Në kuadër të këtyre masave po shikojmë mundësi e angazhimit të vëzhguesve kundër zjarreve në pyje ndërsa është bërë një plan i veçantë masash për mbrojtjen e tyre. Deri tani ja kemi arritur qëllimit pasi nuk kemi pasur asnjë rast zjarri në pyje përkundër temperaturave të larta të këtyre ditëve.
Si paraqitet furnizimi me ujë të pijshëm i banorëve të bashkisë suaj si dhe sistemi i kullimit e vaditjes?
Qyteti i Pukës këtë vit ndryshe nga vitet e mëparshme do të ketë furnizim me ujë 24 orë edhe gjatë stinës së verës. Kemi marr të gjithë masat dhe Ndërmarrja e Ujësjellësit do të jetë në gatishmëri deri në shtatorin e ardhshëm. Shumë nga qendrat e Njësive Administrative kanë furnizim me ujë, por kërkohen ndërhyrje drastike si pasojë e mungesës së investimeve në rrjet dhe veprat e marrjes. Problem shqetësues mbetet Njësia Administrative Luf Qerret ku kemi bërë një zgjidhje emergjente momentalisht, por kërkohen investime. Sa i përket rrjetit vaditës problem mbetet sërish sipërfaqja e tokave në Luf Qerret ku si pasojë e amortizimit të kanalit vaditës tek i cili duhet të ndërhynte Bordi i Kullimit deri tani nuk ka një ndërhyrje përkundër kërkesave të vazhdueshme nga ana jonë.
Keni trashëguar një borxh financiar nga paraardhësi. Çfarë ka ndodhur me këtë borxh dhe si ka vepruar administrata e bashkisë së re?
Borxhi që kam gjetur është në vlerën e 62 milion lekëve të reja, por kjo nuk na ka penguar që ne të vijojmë punën përkundër faktit se shpesh përballemi me urdhër- sekuestro nga ana e përmbarimit. Aktualisht për shifrën e këtij borxhi jemi në negociata me Ministrin e Financave dhe shpresojmë që me angazhimin dhe të vetë kryeministrit, z. Rama të arrijmë një zgjidhje që dhe Bashkia e Pukës të dal nga kjo situatë, pasojë e keq-menaxhimit disa vjeçar.
Një ndër premtimet tuaja ka qenë mbështetja e biznesit të bimëve medicinale, frutave të egra dhe përpunimit të prodhimeve blegtorale. Çfarë keni bërë konkretisht gjatë këtij viti në këtë drejtim?
Kjo pikë që ka të bëjë me shfrytëzimin e resurseve tona vijon të mbetet një objektiv që po realizohet dita ditës. Aktualisht ne kemi tërhequr disa investitorë të cilët operojnë në grumbullimin e bimëve medicinale. Shumë familje këtë vit krijuan të ardhura përmes mbledhjes së dredhëzave të egra, do të fillojnë fushata tjetër me manaferrat dhe bimë te tjera që po i marrin këto operator që i kemi tërhequr. Po punojmë dhe për nxitjen e ndërtimin të një qendre grumbulluese dhe përpunuese në territorin e Bashkisë së Pukës.
Çfarë ka bërë bashkia në drejtim të strehimit të të pastrehëve në objektet në pronësi të saj.
Kemi përgatitur projektet dhe përcaktuar zonat ku mund të ofrohet një mundësi për familjet e pastreha. Mendojmë se deri në fund të këtij muaji Bashkisë së Pukës i jepet një fond për adaptimin e disa mjediseve për strehimin e 12 familjeve më në nevojë.