Bashkitë në Shqipëri respektojnë më pak se gjysmën e detyrimeve ligjore në lidhje me transparencën ndaj publikut, detyrime që rrjedhin nga ligjet për të drejtën e informimit, për njoftimin dhe konsultimin publik si dhe ligji për për vetëqeverisjen vendore, bëri të ditur BIRN Albania të premten, kur prezantoi raportin kombëtar të monitorimit të transparencës së bashkive të reja.
Hartuesit e raportit identifikuan 50 detyrime që bashkive [link indikatorët] u rrjedhin nga tre ligje dhe dërgoi 12 gazetarë në secilën nga 61 bashkitë e vendit për të parë se sa prej këtyre detyrimeve aktualisht respektohen.
Monitorimi u krye paralelisht në terren dhe në internet për të krijuar një njësi matëse mbi nivelin e transparencës dhe njëkohësisht për të identifikuar ato pjesë të ligjeve që vijojnë të mos respektohen, me synimin final që bashkitë të detyrohen t’i zbatojnë këto ligje të rëndësishme për demokracinë.
Ligji “Për të Drejtën e Informimit”, i miratuar në vitin 2014 nga Kuvendi i Shqipërisë, i detyron institucionet publike dhe korporatat nën pronësi publike të publikojnë një numër dokumentesh pranë zyrave të tyre dhe në faqen përkatëse të internetit, si dhe t’i përgjigjen kërkesave të qytetarëve për të vënë në dispozicion dokumente shtesë, publikimi i të cilave nuk përfshihet në gamën e dokumenteve që duhet të jenë publike në çdo kohë.
Ligji “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik” detyron institucionet publike që të kryejnë njoftime dhe konsultime publike mbi vendimet që marrin apo mbi aktivitetet që kryejnë në bazë të rregullave të mirëpërcaktuara, të tilla si njoftime paraprake të datës, temës dhe vendit ky kryhen konsultimet publike dhe mbajtjen e procesverbaleve mbi diskutimet në këto konsultime, me synimin që procesi i konsultimit publik të jetë real dhe jo i karakterit propagandistik.
Ligji “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i cili u miratua në vitin 2015, thekson më tej detyrimin e bashkive për të publikuar dokumentet e tyre bazë si dhe për të kryer një aktivitet të gjerë të informimit dhe konsultimit publik mbi veprimtarinë e tyre, detyrime këto që i mundësojnë qytetarëve të kenë dijeni në çdo kohë se çfarë po bën bashkia e tyre dhe rrjedhimisht, të kenë mundësi t’i kërkojnë llogari kryebashkiakëve dhe këshilleve bashkiake.
BIRN i analizoi të tri ligjet për të identifikuar 50 detyrime që bashkive u rrjedhin nga këto ligje për të bërë publike në çdo kohë ligje, vendime, rregullore, dokumente, adresa personash kontakti, etj. dhe pas kësaj grupi i gazetarëve vizituan bashkitë një për një për të parë nëse këto dokumente qenë të disponueshme në stendat e bashkive apo qenë të disponueshme menjëherë pas kërkesave të kryera pranë koordinatorëve për të drejtë informimi të secilës bashki.
Detyrat ligjore të bashkive variojnë nga publikimi i dokumenteve të rëndësishme si ligjet, vendimet e këshilleve bashkiake, buxheteve dhe buxheteve faktike, te publikimi i emrit të koordinatorit për të drejtë informimi dhe koordinatorit për njoftim dhe konsultim publik, te publikimi i procesverbaleve të konsultimeve publike të kryera apo te njoftimet për datën, vendin dhe temën e konsultimit publik të planifikuar.
Nga monitorimi në terren rezultoi se asnjë bashki nuk i ka respektuar kërkesat e ligjeve të mësipërme, por Bashkia e Gramshit ka respektuar rreth 63 për qind të këtyre detyrimeve pranë ambienteve të bashkisë ndërsa bashkia Selenicë ka respektuar vetëm 18 për qind të kërkesave.
Figura
Nga rezultati i monitorimit vërehet se mungesa e transparencës nuk është një problem që i përket thjesht bashkive të vogla apo të largëta, pasi ka shumë bashki të vogla që kanë realizuar një pjesë më të madhe të detyrimeve të ligjeve për transparencën, ndërkohë që ka bashki të mëdha të cilat renditen në fund të listës. [Për të lexuar raportin e plotë dhe renditjen e 61 bashkive të vendit, kliko këtu:]
Mosdashje dhe mosdije
Raporti i monitorimit u prezantua para një grupi ekspertësh të pushtetit vendor dhe të drejtës për informim nga qeveria, organizatat e shoqërisë civile dhe institucioneve ndërkombëtare të premten më 28 nëntor.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale Besnik Dervishi, institucioni që ka për detyrë të mbikëqyrë zbatimin e ligjit për të drejtë informimi dhe të detyrojë institucionet publike t’i binden këtij ligji, theksoi rëndësinë e transparencës për institucionet e pushtetit vendor. “Transparenca e pushtetit vendor është më e domosdoshme për shkak të rolit që luajnë këto institucione në shoqëri si institucione që janë më pranë qytetarëve,” tha Dervishi.
Ai shtoi se zyra e tij ka hasur dy lloje problemesh në zbatimin e ligjit në terren, mungesë dëshire nga administrata publike nga njëra anë dhe mosnjohje të ligjit nga ana tjetër.
“Në administratë kemi mungesë të profesionalizmit,” tha Dervishi. “Por edhe kur e njohim ligjin, ka mungesë dëshire për të qenë transparentë”.
Ligji për të drejtë informimi konsiderohet si një ligj që kërkon ndryshimin tërësor të mentalitetit të administratës publike, e cila duket se ka trashëguar nga koha e komunizmit praktikën e të qenit institucione të mbyllura.
“Administrata ka mentalitetin që çdo dokument zyrtar duhet të jetë i mbyllur për publikun. Tani kjo duhet të ndryshojë, pasi dokumentet zyrtare, pikërisht pse janë zyrtare, duhet të jenë të hapura për publikun,” tha Dervishi.
Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Reformës Territoriale Artan Shkëmbi, theksoi në takim se me të vërtetë, “të gjitha bashkitë janë në shkelje të ligjit”, por argumentoi se nga ana tjetër, fakti që tashmë kemi 61 njësi të pushtetit vendor dhe jo 384 që ishin para reformës, e bën të mundur në vetvete monitorimin e nivelit të zbatimit të ligjit dhe rrjedhimisht, ushtrimit të presionit mbi bashkitë që këto të fundit të respektojnë detyrimet ligjore.
Debora Kern, përfaqësuese e Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, ambasadë që ka një portofol të madh të ndihmës së huaj për pushtetin vendor, theksoi se i takon organizatave të shoqërisë civile që të shtyjnë përpara zbatimin e ligjit.
“Bashkitë e reja kanë shumë sfida, por pavarësisht këtyre sfidave, është detyrë e tyre që të jenë transparente,” tha ajo.
Valbona Kuko, drejtoreshë e LëvizAlbania, projekt i cili mbështeti dhe realizimin e këtij monitorimi të kryer nga BIRN, theksoi se “gjetjet do të jenë të rëndësishme për vetë pushtetin vendor pasi do t’i ndihmojë të kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë që të përmirësohen.”
Jo transparente në tenda, më pak transparente në internet
Monitorimi i BIRN u krye përgjatë periudhës 25 maj – 12 qershor 2016 përmes inspektimit të drejtpërdrejtë të një gazetari në stendat e bashkive. Pas identifikimit të dokumenteve të publikuara në stenda, gazetarët kontaktuan një zyrtar të quajtur Koordinatori për të Drejtë Informimi, i cili ka për detyrë të koordinojë procesin e publikimit të dokumenteve të kërkuara nga ligjet mbi transparencën si dhe t’i përgjigjet qytetarëve kur këta të fundit bëjnë kërkesa për të drejtë informimi, në të cilat kërkojnë dokumente, publikimi i të cilave nuk është detyrim i institucioneve publike.
Disa nga gazetarët raportuan se në shumë raste, koordinatorët i përgjigjeshin me habi pyetjeve se a mund të ofronin një kopje të një dokumenti të caktuar dhe thonin se deri në këtë pikë, nuk kishin dijeni për ekzistencën e këtij detyrimi ligjor.
Por në disa raste, koordinatorët përgjigjeshin me ironi përballë kërkesave për transparencë nëpër stendat e bashkive, duke argumentuar se dokumentet e kërkuara “gjenden në internet” dhe se koha e stendave ka kaluar tashmë, pavarësisht detyrimeve ligjore në këtë drejtim.
Por pa dijeninë e bashkive, BIRN kreu paralelisht një analizim të përmbajtjeve të faqeve të internetit të atyre bashkive, për të parë se sa nga kërkesat e ligjeve në fjalë për publikime dokumentesh në internet janë respektuar nga ana e bashkive. Në qershor, megjithëse ka kaluar një vit nga ngritja dhe funksionimi i hartës së re administrativo territoriale me 61 njësi, vetëm 23 bashki zotëronin faqe interneti, shumë prej të cilave jo krejtësisht funksionale.
Rezultati i monitorimit të faqeve të internetit ekzistuese dha një panoramë edhe më negative nga ajo në terren lidhur me nivelin e transparencës. Mesatarisht, bashkitë rezultuan se kishin zbatuar vetëm 21 për qind të detyrimeve ligjore, ku Bashkia Vlorë kishte zbatuar 44 për qind të detyrimeve ndërsa bashkia Skrapar kishte vetëm 4 për qind të detyrimeve (link). Pikët më të dobëta qenë te transparenca financiare. Si në stendat e njoftimeve, ashtu edhe në internet, bashkive dukshëm nuk u pëlqen të publikojnë të dhënat për buxhetet apo për investimet publike.
BIRN theksoi se monitorimi i transparencës do të shërbejë paralelisht për të informuar bashkitë mbi dokumentet që ato duhet të jenë publike pa kërkesë si dhe për të ushtruar presion mbi bashkitë që t’i respektojnë këto detyrime.
“Të gjitha bashkitë do të marrin nga një kopje të raportit të monitorimit si dhe njoftimin se pas disa muajsh, një monitorim i dytë do të kryhet për të parë se sa prej bashkive kanë reflektuar duke plotësuar detyrimet për transparencë,” tha Kristina Voko në emër të BIRN.
Të premten, pak orë pas publikimit të raportit, Bashkia e Tiranës, e cila rezultoi një nga bashkitë më pak transparente, reagoi për televizionin Top Channel ku theksoi se që nga muaji qershor, kur u krye monitorimi, ka reflektuar duke punuar për plotësimin e detyrimeve të ligjeve.
“Nga muaji qershor, periudhë të cilës i referohet ky raport, e deri në muajin tetor ku jemi, bashkia e Tiranës e ka përmirësuar ndjeshëm programin e transparencës, sa i takon të drejtës së informimit, transparencës financiare, konsultimeve publike apo legjislacionit. Aktualisht që flasim jemi mbi 70 përqind të plotësimit të saj,” tha Bashkia sipas Top Channel.
Llogaridhënia financiare, pika e dobët
Ligjet aktualisht i kërkojnë bashkive të kenë të publikuara në këndet e njoftimeve të tyre dhe në internet një gamë të gjerë dokumentesh dhe të dhënash, të cilat, i mundësojnë qytetarëve që të dinë se çfarë po ndodh në bashkitë e tyre dhe rrjedhimisht, të kenë mundësi të ngrenë pyetje apo të kërkojnë llogari për probleme të ndryshme.
Për shembull, kërkohet që mbledhjet e këshilleve bashkiake të njoftohen para se të zhvillohen bashkë me projektvendimet që pritet të diskutohen në këto këshille. Vendimet e këshilleve bashkiake duhet të jenë gjithashtu publike, me qëllim që qytetarët të dinë se çfarë po bën bashkia e tyre.
Në drejtim të transparencës financiare, kërkohet që buxheti i bashkisë të jetë publik, bashkë me planin e shpenzimeve të vitit aktual, raportin e shpenzimeve të vitit të mëparshëm, raportin e auditimit të këtyre shpenzimeve, listën e kontratave të prokurimeve publike aktualisht në zbatim, etj.
Të pajisur me informacione të tilla, qytetarët duhet të jenë në gjendje të dinë se çfarë burimesh ekonomike ka në dispozicion bashkia e tyre dhe çfarë po bën me këto burime. Qytetarët duhet të jenë në gjendje të dinë se çfarë investimi po kryen bashkia, kur ka nisur ky investim dhe kur pritet të përfundojë sipas kontratës.
Por pikërisht transparenca financiare rezulton pika e dobët si në informacionin e ofruar nëpër stendat e bashkive apo në zyrat e koordinatorëve të informimit publik, ashtu edhe në faqet e internetit të këtyre bashkive. Rrjeti i gazetarëve të BIRN gjeti të plotësuara nëpër stenda apo nga takimet me koordinatorët për të drejtë informimi vetëm 36 për qind të detyrimeve për transparencë financiare të bashkive. Nga ana tjetër, në faqet e internetit qenë të plotësuara vetëm 7 për qind të këtyre detyrimeve.
Bashkive rrallëherë u pëlqen që të publikojnë të dhënat e tyre mbi të ardhurat dhe mbi shpenzimet e aq më pak, që të publikojnë listën me kontratat që kanë me kompanitë private për shërbime të ndryshme, nga shërbimet e pastrimit te investimet publike.