Çfarë politikash do të ndiqen për të harmonizuar dy zona të ndryshme si ajo e Kolonjës dhe Leskovikut?
Erseka, zona e Kolonjës dhe Leskoviku janë komplementare të njëra- tjetrës, pjesë e një bashkie të cilat nuk janë të lidhura me njëra- tjetrën vetëm administrativisht, por edhe nga një traditë e hershme. Ndërkohë që Erseka është qendra administrative e Bashkisë sonë, me një potencial shumë të madh për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit. E nxitur kjo edhe nga lidhja më e shpejtë tashmë me Korçën dhe pjesën tjetër të Shqipërisë. Leskoviku është një zonë kufitare, e shkelur edhe nga fluksi i turistëve që vizitojnë Konicën dhe pjesën veriore të Greqisë, me një traditë të hershme për verën dhe rakinë do të jenë plotësuese për njëra – tjetrën për krijimin e një pakete turistike sa më të plotë.
Si do të kanalizohen problematikat e menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane?
Bashkia e re do të garantojë grumbullimin e mbetjeve jo vetëm në dy qytetet, Ersekë dhe Leskovik por edhe për të gjitha fshatrat e kësaj bashkie. Shumë shpejt do të fillojë puna, në bashkëpunim me KFË për ndërtimin e pikës së transferimit të mbetjeve në zonën e Mollasit. Kjo pikë do të shërbejë si tranzit për mbetjet të cilat kanë si destinacion final Landfillin e Maliqit. Bashkia e Kolonjës është aksionere e shoqërisë së krijuar për ndërtimin e Landfillit të Maliqit. Ndërkohë pika aktuale e grumbullimit, në afërsi të zonës së gurores në Ersekë do të mbyllet dhe do të rehabilitohet për t’u kthyer në një zonë të gjelbër.
Si do të rikthehen banorët për të punuar tokat e tyre? Pra, çfarë politikash ekonomike do zgjedhë bashkia për të nxitur punimin e tokës?
Ne kemi një program të qartë për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë. Bashkia e Kolonjës renditet ndër bashkitë me shtrirje të gjerë dhe territor më te madh në vend. Zonat pyjore, arrore janë një potencial i madh për të sjellë mirëqenie për banorët e kësaj zone. Ndërhyrja jonë në nxitjen e këtij sektori dhe për kthimin e vëmendjes të banorëve tek bujqësia dhe blegtoria do të arrihet duke garantuar ujitje dhe kullim për çdo parcelë dhe sipërfaqe toke. Ngritja e tregut të produkteve lokale dhe mbështetjes së një shoqate për marketimin e tyre do të kthehet në një realitet të prekshëm për çdo banor të Kolonjës. Në bashkëpunim me qeverinë shqiptare do ti japim zgjidhje përfundimtare problemit të pronësisë së tokës, duke pajisur çdo fermer me titull pronësie.
Si do të shfrytëzohen më së miri karakteristikat e Kolonjës për turizëm?
Kjo zonë me resurset e saj natyrore, pyjet dhe kullotat me produktet qe ofron natyra krijojnë mundësi të mira punësimi. Duke organizuar mënyrën si shfrytëzohen këto burime mund të jenë në dobi të banorëve dhe subjekteve që operojnë në këto sektorë duke sjellë maksimizimin e vlerës që kanë, druri, bimët medicinale, apo produkte të tjera natyrore të zhvilluara në gjendje bio. Ne do të krijojmë një rrjet të mirëorganizuar të promovimit dhe informacionit turistik, do të mbështesim ngritjen e një sërë bujtinash tradicionale duke ofruar grante dhe lehtësi fiskale. Do të ndërtojmë kompleksin e shërbimit në banjat termale të Leskovikut dhe do të lidhim me infrastrukturë rrugore të gjitha zonat turistike në këtë Bashki.
Vëmendje të veçantë do të kenë edhe aktivitetet e ndryshme që do të organizohen nga Bashkia për promovimin e kësaj zone dhe nxitjen e fluksit turistik. Do të rikthejmë traditën e hershme të panairit tradicional “Pazaropulli”, “Festën e Verës” në Leskovik si dhe aktivitete të tjera kulturore dhe artistike.
Si do të mbrohen dhe menaxhohen resurset pyjore?
Riorganizimi i punëve në bashki do të prekë edhe një sektor të posaçëm për menaxhimin e pyjeve i cili jo vetëm do të koordinojë shfrytëzimin e limituar të tyre vetëm për nevojat e ngrohjes, por do të punojë për pyllëzimin e të gjitha sipërfaqeve pyjore të bashkisë. Për rrjedhojë do të minimizojmë hendekun e krijuar përgjatë këtyre viteve si pasojë e prerjes së pyjeve nga njëra anë dhe mungesës së mbjelljes së fidanëve të rinj nga ana tjetër. Në bashkëpunim me qeverinë Sllovene do të ngremë parkun e gjelbëruar të qytetit të Ersekës, si një zonë sportive dhe rekreative.
A ka politika të posaçme që do të bënin të mundur përthithjen e investitorëve apo edhe donatorëve të huaj për t’u stacionuar në Kolonjë?
Programi im prej 13 shtyllash, synon të shtojë efikasitetin e shërbimit të bashkisë, investime në rrugët lidhëse të dy qyteteve dhe të gjithë fshatrave, garantimin e ujit të pijshëm 24 orë për të gjithë banorët, rivitalizimin e qendrave dhe hyrjes së Ersekës dhe Leskovikut, si dhe investimet e tjera në fushën e turizmit dhe bujqësisë. Të gjitha këto investime krijojnë një klimë të përshtatshme për thithjen e investitorëve vendas dhe të huaj, duke shërbyer si një garanci për ecurinë e biznesit.