Mjeku 57 vjeçar Ilia Stefo fitoi zgjedhjet e parakohëshme në Bashkinë Kolonjë të zhvilluara të dielën, duke marrë 5,136 vota ose gati 63 për qind të totalit në krahasim me 3,055 vota ose 37 për qind që mori kandidati i Partisë Agrare Ambjentaliste Dritan Hajro, i cili garoi në emër të së djathtës. Lajmi bëhet i ditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili njoftoi gjithashtu se numërimi i votave në bashkinë e vogël dhe malore të Kolonjës përfundoi natën e kaluar. Duke folur për BIRN para zgjedhjeve, Stefo deklaroi se synon të zhvillojë bujqësinë në këtë zonë përmes sigurimit të investimeve për kanale vaditëse. [Link intervista]
Kandidati i të djathtës Dritan Hajro denoncoi një rast për të cilin tha se para zgjedhjeve janë ofruar para në këmbim të votave. Një video e publikuar prej tij në Facebook [link] tregon disa banorë duke i grindur ndërsa një grua thotë se në zonën e saj janë premtuar 25 euro për votë dhe përmend emrin e zëvendëskryeministrit Niko Peleshi si premtues ndërsa debati në video sugjeron se këto para nuk janë paguar. Autenticiteti i videos nuk është e mundur të verifikohet.
Kryeministri Edi Rama uroi kandidatin fitues dhe vuri theksin te fakti që koalicioni i majtë ka realizuar një fitore më të thellë se sa në zgjedhjet e vitit 2015. “Faleminderit Kolonja për besimin e madh. Urime Ilia Stefos!”, shkroi Rama në faqen e tij në Facebook.
Në zgjedhjet e djeshme në Kolonjë u hodhën 8,171 vota, nga 15,879 votues të regjistruar me pjesëmarrje prej rreth 50 për qind. Në zgjedhjet e vitit 2015, në të njëjtën bashki patën votuar 8,583 vetë nga afro 16 mijë votues të regjistruar. [Link profili i Bashkisë Kolonjë]. Në zgjedhjet e vitit 2015, kandidati i së majtës Arben Malo, ndarja nga jeta e të cilit shkaktoi zgjedhjet e parakohëshme, pati fituar rreth 4,600 vota ose 54 për qind ndërsa fitorja e Stefos është më e thellë nga ajo e Malos.
Stefo do të qeverisë Kolonjën deri në zgjedhjet e vitit 2019.