Lajm23 Mar 2017

Kushtetuesja publikon vendimin për Rroshin, i hap rrugën zgjedhjeve në Kavajë

Gjykata Kushtetuese shpalli rrëzimin e kërkesës së ish-kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi duke detyruar presidentin Nishani të shpallë datën e zgjedhjeve brenda 48 orësh. Zgjedhjet duhet të zhvillohen në fund të prillit ose në fillim të majit.

Autor: admin BIRN Tiranë
Printo

Edi Rama dhe Elvis Rroshi në një takim elektoral. Foto: Facebook

Edi Rama dhe Elvis Rroshi në një takim elektoral. Foto: Facebook

Gjykata Kushtetuese publikoi sot vendimin e saj për refuzimin e kërkesës së ish-kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi, i cili pati kërkuar rrëzimin e vendimit të shkarkimit të tij në bazë të ligjit të dekriminalizimit, gjë që i hap rrugën zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme në bashkinë Kavanë.

Gjykata e rrëzoi kërkesën e Rroshit dhe avokatëve të tij Theodhori Sollaku dhe Viktor Gumi me argumentin se shkarkimi i Rroshit me vendim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të gjykohet nga kjo gjykatë pasi si vendim administrativ, akti mund të sfidohet në gjykatat e zakonshme.

Rroshi u shkarkua në dhjetor 2016 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me kërkesë nga Prokuroria e Përgjithshme, me argumentin se nuk kishte deklaruar probleme që ka pasur me drejtësinë në Itali dhe Zvicër në formularin e vetëdeklarimit të plotësuar në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.

Pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës duhet të shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas kodit zgjedhor, presidenti ka 48 orë kohë për të shpallur datën e zgjedhjeve, datë që nuk mund të jetë më herët se 30 ditë dhe më vonë se 45 ditë nga data e marrjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Mbi këto kritere, zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë Kavajë pritet të zhvillohen në javën e fundit të prillit ose në javën e parë të majit, duke u kthyer në këtë mënyrë në një fushëbetejë pregatitore për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.

Rroshi, 42 vjeç, u bë një figurë simbol i bashkëpunimit të krimit me politikën kur arriti të fitojë bindshëm zgjedhjet në qytetin e Kavajës në vitin 2011 për Partinë Socialiste, qytet që deri në atë kohë njihej si një bastion i Partisë Demokratike. Që kur u zgjodh kryebashkiak, Rroshi u vu në shënjestër të Partisë Demokratike, e cila denoncoi të shkuarën e tij kriminale në trafikun e drogës. Rroshi i ka mohuar akuzat dhe thotë se problemet e tij me drejtësinë lidheshin me vështirësitë e një të riu emigrant për të fituar lejeqëndrim të rregullt. Por një investigim i BIRN i vitit 2015 zbuloi se Rroshi ka pasur probleme me drejtësinë në Zvicër, ndërsa Rroshi deklaroi në formularin e tij se ka qenë nën hetim në Mynih të Gjermanisë “para vitit 2002” për arsye që ai “nuk i mban mend”.

Vitin e kaluar, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se Rroshi ka edhe një dënim për përdhunim në grup në Itali në fillim të viteve ’90.

Bashkia e Kavajës pas reformës administrative dhe territoriale të kryer në vitin 2014 ka 40 mijë banorë sipas censusit të fundit dhe 79 mijë sipas regjistrit civil. Në zgjedhjet e vitit 2015 votuan 27 mijë vetë me pjesëmarrje 44 për qind. Rroshi fitoi 64 për qind të votave ndërsa koalicioni i majtë, Aleanca për Shqipërinë Europiane, fitoi 63 për qind të votave për këshillin bashkiak.