Rrëzimi i kërkesës për referendum lokal nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për ndërtimin e një këndi lojërash brenda parkut të Liqenit në Tiranë është kundërshtuar nga juristët, të cilët e konsiderojnë vendimin të kundraligjshëm.
Kërkesa për referendum u dorëzua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, KQZ nga Partia Demokratike, e cila tentoi t’i hapte rrugën pyetjes së qytetarëve të Tiranës për tre çështje të debatueshme; ndërtimin e këndit të lojërave, dhënien me koncesion të një parkimi nëntokësor te parku Rinia dhe ndërtimin e disa objekteve në krah të Korpusit të Universitetit Politeknik.
Më 23 mars, KQZ i rrëzoi të tre kërkesat, duke përdorur si argument nenin 151, pika 2 të Kushtetutës. Në njoftimin zyrtar, KQZ nuk jep shpjegime të zgjeruara mbi arsyet që i shtynë katër anëtarët e saj të votojnë kundër kërkesës për referendum. Por Denar Biba, njëri prej anëtarëve la të kuptohej se vota e tij kundër lidhej me objektin e kërkesës.
“Është normë Kushtetuese që i ndalon referendumet në lidhje me aspektet e financave të shtetit”- tha Biba.
Projekti i Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e një këndi lojërash brenda parkut të vetëm të Tiranës ka hasur në kundërshtimin e ashpër të aktivistëve mjedisorë dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike, të cilët janë përplasur në mënyrë të vazhdueshme me policinë.
Kundërshti të forta ka pasur gjithashtu edhe për një vendim të Këshillit Bashkiak për dhënien me koncesion të parkut Rinia për ndërtimin e një parkingu nëntokësor. Qëndrimet e kundërta mes bashkisë dhe protestuesve shtynë Partinë Demokratike drejt një nisme që do t’u jepte mundësinë qytetarëve të Tiranës të shpreheshin për këto çështje, por legjislacioni shqiptar është veçanërisht armiqësor me referendumet.
Argumentet e KQZ-së për rrëzimin e kërkesës së PD janë kundërshtuar nga ekspertë të ligjit, të cilët i thanë BIRN se vendimarrja e 23 marsit ishte e kundraligjshme. Sipas juristëve të njohur, KQZ nuk ka tagrin për të vendosur mbi objektin e referendumit. Ai ka kompetencë vetëm për shqyrtimin e kritereve formale që duhet të përmbushë një kërkesë për referendum.
Vendimi “i paligjshëm”
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas legjislacionit ka për kompetencë vetëm shqyrtimin formal të një kërkese për referendum në kriteret e përcaktuara, por nuk mund të gjykojë objektin e një kërkese të tillë. Referenca tek neni 151/2 i Kushtetutës për rastin e mësipërm i ka irrituar ekspertët ligjorë.
Neni 151, pika 2 e Kushtetutrës thotë se “ Çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, me buxhetin, taksat dhe detyrimet financiare të shtetit….nuk mund të shtrohen në asnjë referendum”.
Vjollca Mecaj, kryetare e Komitetit Shqiptar të Helsinkit i tha BIRN se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka të drejtën e vlerësimit të rëndësisë së çështjes për të cilën kërkohet referendum. Arsyeja pse KQZ përfshihet në proces, sipas saj është se formulari përmes së cilit mblidhen firmat disponohet vetëm nga ky institucion.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është kompetent për të bërë vlerësimin e rëndësisë së çështjes. Sipas Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, atë e ka populli, nëpërmjet 50 mijë firmëtarëve që i drejtohen Presidentit të Republikës,” tha Meçaj.
Çlirim Gjata, ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bie dakord me Meçajn, ndërsa e cilëson vendimin më të fundit të KQZ ose si lapsus, ose si lajthitje.
“Neni 151/2 nuk ka lidhje me referendumin vendor, por në mënyrë taksative përcakton se kur nuk lejohet referendumi. Kërkesat e nismëtarëve për referendum vendor nuk kanë të bëjnë me asnjë nga përcaktimet e këtij neni,” thotë Gjata.
Ish-kryetari i KQZ shpjegon se Kushtetuta për referendumin vendor flet në nenin 108 pika 4, ku citohet: “Vetëqeverisja në njësitë vendore ushtrohet nëpërmjet organeve të tyre përfaqësuese dhe referendumeve vendore”. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit vendor parashikohen me ligj në përputhje edhe me nenin 151 paragrafi 2.
Sipas Gjatës, kërkesat e paraqitura nga PD nuk kanë të bëjnë në asnjë rast me ndalimet që përcakton Kushtetuta.
Përveç vendimit të KQZ, Meçaj gjen anomali edhe në kërkesën për referendum të bërë nga Partia Demokratike, ku objekti “nuk është i mirëpërcaktuar”. Megjithatë, ajo thotë se KQZ duhej të caktonte një afat tjetër për riformulimin e kërkesës, pa e rrëzuar atë.
Ekspertët shqetësohen megjithatë për faktin se legjislacioni shqiptar e bën thuajse të pamundur organizimin e referendumeve në Shqipëri, në nivel lokal apo qendror. Procedurat ligjore që duhet të ndiqen dhe kushtëzimet që sanksionohen, bëjnë që çdo nismë për referendum të jetë e dështuar, qoftë edhe nëse KQZ do të tregonte vullnet të mirë.
“Edhe nëse nuk do e kishte penguar KQZ, ky referendum do të ishte sërish i pamundur, pasi ligji e pengon atë,” thotë Meçaj.
Kodi Zgjedhor përcakton 15 marsin si datën fundore për nisma ligjore për referendume, bashkë me aspektet proceduriale. Nëse kapërcehet ky afat, ligji përcakton shtyrjen e referendumit për vitin e ardhshëm.
Gjithashtu, ligji parashikon ndalimin e referendumeve gjashtë muaj para dhe gjashtë muaj pas zgjedhjeve.
“Të gjitha këta janë ato marifetet që ka përdorur politika për ta bërë të pamundur zhvillimin e referendumit në Shqipëri,” argumenton Meçaj.
Nevoja për ndryshime ligjore
Në gjykimin e ekspertëve, Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor janë veçanërisht armiqësorë me referendumet. Nga vitet ’90 e deri më sot, asnjë referendum vendor nuk është realizuar.
Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor i vitit 2003 i ka komplikuar rrugët për organizimin e një referendumi aq shumë, sa në Shqipëri ka pasur vetëm një përpjekje të suksesshme për zhvillim referendumi: ai i Aleancës Kundër Importit të Plehrave. Megjithatë, edhe ky referendum nuk u zhvillua, pasi qeveria shfuqizoi ligjin me të ardhur në pushtet në vitin 2013.
Premto Goga, përfaqësues i Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë thotë se është e domosdoshme që ndryshimet që po bëhen në Kodin Zgjedhor, të prekin dhe atë pjesë që i referohet referendumeve.
“Ne si Koalicion kemi ndërmarrë disa hapa konkrete në këtë drejtim por është shumë e rëndësishmë që këto ndryshime të mos bëhen brenda një muaji, po të diskutohen gjerësisht ndërmjet grupeve të interesit,”thotë ai.
Edhe për ish-kreun e KQZ, Çlirim Gjata është absurd fakti që sa herë dikutohet çështja e organizimit të një referendumi, duhet t’i drejtohemi një ligji që nuk është prekur që në vitin 2003.
“Për referendumin vendor duhet parë Kodi i vjetër Zgjedhor i vitit 2003, sepse kapitulli mbi referendumet tek ai Kod nuk është shfuqizuar ende. Ngjan pak absurde, por kështu është,” thotë Gjata.
Vjollca Meçaj i tha BIRN se pengesat ligjore në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor për referendumet kanë qenë shqetësime të ngritura në raportet vjetore të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Sipas saj, ndryshimet ligjore në këtë drejtim janë të domosdoshme.
“Referendumi është një instrument i demokracisë, ku populli shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë për çështje të caktuara, që nuk bie dakot me qeverinë. Realisht, kjo e drejtë sot nuk ekziston për shkak të pengesave apo marifeteve ligjore, që politikanët kanë vendosur për këtë çështje,” përfundon Meçaj.