Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Gramsh?
Konsolidimi i financave të bashkisë. Në gusht 2015 filloi funksionimin bashkia e re sipas Reformës Administrativo-Territoriale. Që në fillim bëmë ekspertizën e financave aktuale të bashkisë dhe për administratën e re mbetej detyrë emergjente dalja nga kjo situatë e vështirë. Për këtë, ulëm ndjeshëm shpenzimet që nuk ndikonin në shërbimin ndaj qytetarëve, ndërtuam një administratë fleksibël të aftë për përballimin e detyrave që ligji na ngarkon, vumë në lëvizje administratën për realizimin e taksave dhe tatimeve, dhe për herë të parë planifikuam një buxhet prej 26 milionë lekë të reja për shlyerjen e faturave të prapambetura. Ne kemi detyrime nga vitet e kaluara, por gjatë periudhës gati një-vjeçare nuk është shkaktuar asnjë lekë borxh për shërbimet e kryera nga bashkia. Situata financiare shpresojmë të përmirësohet në të ardhmen.
Investimet publike. Vëmendja jonë është përqendruar në kryerjen e punëve që kanë interes të madh publik. Drejtoritë përkatëse janë vënë në lëvizje për të krijuar sa më shumë të ardhura për bashkinë dhe po punojnë për zbatimin e projekteve që janë fituar gjatë aplikimit, ose të planifikuara nga vetë ky institucion. Bashkia ka disa projekte për të realizuar, si sistemimi i lagjes “Sporti 2” nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, KUZ në fshatrat Mashan dhe Trashovicë me fondet e bashkisë, rikonstruksioni i kanalit vaditës në fshatin Posnovisht, pedonaleja e qytetit, Ura e fshatit Grazhdan me fondet e bashkisë, ura e Kukurit dhe ajo Gribes me fondet e emergjencave civile.
Shërbimi ndaj qytetareve. Këtë e kemi parë ne tre aspekte: realizimi i detyrave që kanë të bëjnë me rritjen e cilësisë së shërbimeve: pastrim, gjelbërim, ndriçim, lulishte, kënde shlodhës etj; me pritjen korrekte të qytetarëve në institucionin e bashkisë dhe me përgjigjen në kohë ndaj çdo kërkese-ankese të tyre. Deri sot nuk ka pasur asnjë ankesë për zvarritje, apo sorollatje të qytetarëve.
Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Gjatë këtij viti, për të gjitha çështjet e rëndësishme që janë futur për diskutim në Këshillin e bashkisë janë organizuar dëgjesa publike, përmes të cilave është tërhequr mendimi qytetar, në mënyrë që vendimmarrjet të jenë në përputhje me interesin e publikut. Gjithashtu vendimet e këshillit të bashkisë janë hedhur në sistemin online dhe qytetaret e interesuar gjejnë aty çdo vendim që merret prej tij. Herë pas here janë organizuar dhe do të organizohen takime të tjera me grupe, apo përfaqësues të veçantë për të diskutuar bashkarisht rreth projekteve që do të zhvillohen në të ardhmen. E gjithë veprimtaria e bashkisë është në vëmendjen e publikut dhe transparente për të gjithë.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Bashkia ndodhet përballë sfidave vërtet të vështira, për shkak të borxheve të krijuara në vite, të buxhetit të pamjaftueshëm dhe të terrenit shumë të vështirë ku ndodhen fshatrat dhe njësitë e saj administrative. Kështu që sfida kryesore është rikonstruksioni i rrugëve që lidhin qytetin me nëntë njësitë administrative dhe riparimi i rrugëve të fshatrave të veçantë. Aktualisht vetëm njëra nga njësitë administrative, ajo e Kodovjatit, është e lidhur me rrugë të asfaltuar ndërsa rrjeti rrugor i fshatrave është në gjendje jashtëzakonisht e vështirë. Sfida e dytë është zbatimi i ligjshmërisë për pyjet dhe kullotat, administrimi dhe menaxhimi korrekt i tyre, plotësimi i kushteve në objektet arsimore, pajisja me bazën e duhur materiale si dhe rritja e cilësisë së punës së punonjësve të arsimit dhe të shëndetësisë në qytet e fshat. Bashkia gjatë këtij viti nuk e ka parë dhe nuk e shikon të shkëputur punën e saj nga veprimtaria në këta sektorë të rëndësishëm.
Sfida e tretë është vendosja në baza të shëndosha pune të punonjësve të njësive administrative. Ne nuk kemi lejuar deri tani që banorëve në fshat t’u krijohen mangësi shërbimi, por po përpiqemi që ata shumë shpejt të kuptojnë se me largimin e komunave, shërbimi ndaj tyre do të jetë ndoshta më cilësor, më i shpejtë dhe më korrekt se më parë. Për ketë po mendojmë vazhdimisht dhe kam bindjen se do ta realizojmë.
Çfarë ndërhyrjesh janë bërë sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm të fshatrave dhe vënien në funksion të depos së ujit të qytetit?
Situata e furnizimit me ujë në rrethin tonë është normale, pavarësisht kërkesave dhe prioriteteve që fshatra të veçantë kanë paraqitur në bashki për riparime, shërbime dhe ndërtim ujësjellësash të rinj. Kemi aplikuar pranë FSHZH për ndërtimin e pesë ujësjellësave në fshatra me numër të madh banorësh, jemi në proces të inventarizimit të ujësjellësave të fshatrave. Depoja e re, që tashmë është vjetruar, kërkon kontroll sigurie për ta vënë në punë, pasi ka vite që është ndërtuar dhe nuk është vënë asnjëherë në punë. Sidoqoftë depoja ekzistuese nuk ka sjellë pengesa për furnizimin me ujë të qytetarëve.
Cilat kanë qenë ndërhyrjet e bashkisë për të përballuar situatat që krijohen gjatë dimrit, që sjell izolimin e shumë fshatrave?
Bashkia dhe situata në dimër: fundviti i kaluar dhe periudha janar-mars 2016 ka pasur probleme në infrastrukturën rrugore. Bashkia, veçanërisht në muajin janar dhe shkurt, investoi shumë duke vënë në përdorim të gjitha mjetet e saj, në mënyrë që qarkullimi i mjeteve dhe i njerëzve të mos pengohej për asnjë çast. Situata që e renduar, por ajo u përballua me sukses. Problemet me të mprehta në fshat, u bënë pjesë e projekteve ne bashki dhe u arrit qe ura e Grazhdanit, ura e Lirasit dhe ato ne Gribe e Kukur te bëhen realitet. Kjo ndodhi edhe në fshatra të tjerë. Me drejtorinë e rrugëve në bashki ka filluar puna në gjithë segmentin që lidh qytetin dhe qendrat e njësive administrative.
Çfarë është bërë në drejtim të uljes së numrit të përdoruesve të drogës në bashkëpunim me shkollat, strukturat shëndetësore dhe policisë?
Gramshi nuk është qendër e përdorimit të drogave. Fatkeqësisht, media dhe ndonjë shoqatë që kërkon të përfitoje fonde, e fusin Gramshin në zonën e kuqe të përdoruesve te saj. Probleme ka, por në raport me rastet e denoncuara, klima nuk është ajo për të cilën flitet dhe shkruhet. Bashkia, në bashkëpunim me institucionet arsimore, shëndetësore dhe ato të policisë së rendit kanë sensibilizuar opinionin dhe kanë mundur të ngrenë barriera ndaj këtij fenomeni. Kjo është realizuar me të gjitha mjetet e propogandës. Mendojmë se puna e nisur ka dhënë efektin e duhur…
Çfarë hapash keni ndërmarrë për rritjen e kapaciteteve të turizmit kulturor dhe natyror në zonën e Gramshit?
Zona e Gramshit ka resurse të rralla turistike dhe kulturore. Ne duhet të krenohemi me këto pasuri të veçanta, por eksperienca në reklamimin e tyre ka pasur mangësi të mëdha dhe këtë vit na është dashur që gjithçka ta fillojmë nga e para duke sensibilizuar nëpërmjet medias, po përpunojmë një strategji të veçantë për zhvillimin e turizmit me ndihmën e CO-PLANIT, kemi përgatitur një guidë-turistike për vlerat e Gramshit dhe po përgatisim një film-dokumentar, ku do të pasqyrohen të gjitha zonat turistike të rrethit. Ky film dokumentar do të pasqyrohet në ambientet e bashkisë, në muzeun e qytetit dhe do të shpërndahet nëpërmjet rrjeteve të ndryshme sociale. Po bashkëpunojmë edhe me operatorë të ndryshëm, në mënyrë që Gramshi dhe vlerat e tij turistike të behën të aksesueshëm për turistët vendas dhe të huaj.