Analize29 Jun 2015

Manovrat elektorale mes partive nxjerrin fitues burrat

Ndërsa partitë e mëdha shpërndanë votat e proporcionalit te aleatët e tyre të vegjël, kjo solli edhe mosrespektimin e objektivit ligjor për të pasur 50 për qind gra te këshillet vendore.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Një votuese në Vorë më 21 qershor 2015. Foto: LSA

Një votuese në Vorë më 21 qershor 2015. Foto: LSA

Shqipëria miratoi një ligj këtë vit që synonte të rriste përfaqësimin e grave në këshillet vendore në 50 për qind, një nismë e miratuar me mirëkuptim të gjerë në parlament nga udhëheqësit e partive parlamentare, një mirëkuptim ky që ndodh rrallë në politikën shqiptare. Por manovrat elektorale të dy partive të mëdha, Partisë Socialiste në të majtë dhe Partisë Demokratike në të djathtë, të cilat në zgjedhje vendore përgjithësisht i ndajnë votat e veta në një mori partish të vogla të cilat vështirë se ekzistojnë realisht, bëri që këshillet vendore të mbushen sërish me burra, duke manovruar kështu në masë të gjerë përpjekjet ligjore për të imponuar më shumë pjesëmarrje të grave në politikën shqiptare.

Tropoja, vetëm katër gra

Nga të 21 këshilltarët e bashkisë së re Tropojë, vetëm 4 do të jenë gra, dy nga PD, një nga PS dhe një nga LSI. Në këtë bashki kanë fituar poste në këshillet bashkiake 16 parti, ku partia më e madhe, PD, ka marrë katër poste këshilltarësh, rrjedhimisht dy gra. PS dhe LSI kanë marrë nga dy këshilltarë, rrjedhimisht nga një grua secila. Pjesa tjetër janë të gjithë burra. Nga e majta, gjashtë parti të vogla kanë marrë nga një këshilltar, të gjithë burra ndërsa nga e djathta janë pesë parti të vogla.

Has, vetëm një grua

Ndërsa në Tropojë ligji i ri garantoi zgjedhjen e 4 grave nga së paku dhjetë që duhej të zgjidheshin, në Has kjo gjë ndodhi vetëm me një rast. Vetëm një nga të 21 anëtarët e këshillit bashkiak të Hasit do të jetë grua, Nazlie Laçi nga Partia Demokratike. Të gjithë të tjerët, të zgjedhur majtas apo djathas, do të jenë burra. Edhe partitë, krerët e të cilëve u mburrën me rritjen e pranive të grave, si PS dhe LSI, këtu kanë nxjerrë këshilltarë burra.

Kukës, vetëm 6

Këshilli bashkiak i Kukësit do të ketë 31 anëtarë, por nga këto, vetëm 6 do të jenë gra për shkak se nga 25 parti që kanë fituar vota mjaftueshëm për këshilltarë, 21 prej tyre kanë fituar vetëm një këshilltar dhe që të gjitha kanë pasur një mashkull në krye të listës. Pjesëmarrja e grave në këtë bashki do të jetë vetëm 19 për qind.

Këlcyrë, vetëm dy

Bashkia e Këlcyrës në jug është ekstremi tjetër i pjesëmarrjes së ulët të grave. Nga 22 këshilltarë që do të ketë bashkia e re, vetë 2 prej tyre janë gra. Katër parti të djathta kanë marrë nga një këshilltar në këtë bashki, që të gjithë meshkuj. Edhe tetë parti të majta kanë marrë nga një këshilltar ndërsa vetëm një parti e majtë, LSI ka marrë tre këshilltarë, nga të cilët, dy janë gra. Në përfundim, megjithëse ligji synonte të rriste pjesëmarrjen e grave në 50 për qind, në këtë bashki është vetëm 9 për qind.

Më mirë në bashkitë e mëdha

Bashkitë e mëdha si Tirana, Durrësi, Shkodra apo Fieri, ku ndarja e votave brenda koalicioneve nuk ka qenë aq e fortë si në disa bashki të vogla. Në këto bashki, partitë e mëdha kanë fituar një numër të lartë këshilltarësh, gjë që nënkupton edhe zgjedhjen edhe të shumë grave në listat shumëemërore të mbyllura të këtyre partive.

Në Tiranë, gratë qenë më të avantazhuara se sa në pjesën tjetër të Shqipërisë për shkak se partitë kryesore si PS, PD, LSI e FRD, vunë emër të parë në listat e tyre gra, gjë që rriti pjesëmarrjen e grave në këshill. Por këto parti nuk e panë të arsyeshme të bënin të njëjtën gjë në pjesën tjetër të vendit, ku burrat triumfuan.

Thjeshtë manovër, jo parti

Partitë e vogla që arritën të marrin këshilltarë në këshillet vendore në këto zgjedhje në shumë raste nuk janë me të vërtetë parti politike. Më së shumti ato përdoren për të kandiduar njerëzit e partive të mëdha në emër të partive më të vogla, thjeshtë për të maksimizuar numrin e kandidatëve fitues në llogaritjet aritmetikore të ndarjes së mandateve.

Në shumë raste, politikanët vendorë të partive të mëdha, kur e gjejnë veten në fund të listës së partive të veta, vendosin të garojnë në emër të një partie tjetër për të siguruar postin e këshilltarit.

Ndarja e votave mes partive të ndryshme për të nxjerrë fitues politikanë meshkuj është thjeshtë hileja e rradhës kundër grave në politikën shqiptare.

Kuotat gjinore u vendosën për herë të parë në Shqipëri në ndryshimet në kodin zgjedhor të vitit 2008, të vlefshme për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Por partitë politike arritën të anashkalojnë me sukses këtë detyrim ligjor duke marrë vetëm dënime minimale. Megjithëse kodi zgjedhor kërkoi një kuotë 30 për qind për gratë në listat e kandidatëve për zgjedhje në çdo qark, partitë politike përfituan nga fakti që listat e deputetëve janë të mbyllura dhe rrjedhimisht i kandiduan gratë në fund të listës, ku shanset e tyre për t’u zgjedhur qenë minimale. Në disa raste, partitë politike kandiduan më shumë kandidatë se sa numri i deputetëve teorikë që mund të fitonin për të pasur 30 për qind gra në lista, pavarësisht se këto gra nuk kishin as edhe një shans matematikor për t’u zgjedhur.

Për rrjedhojë, në parlamentin 2009-2013, vetëm 16 për qind e deputeteve qenë gra. Në zgjedhjet e vitit 2013, partitë politike injoruan hapur kuotat gjinore të imponuara nga ligji dhe për këtë u dënuan të gjitha sëbashku me 22 milionë lekë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në shtator 2013. Parlamenti aktual ka vetëm 19 deputete gra ose vetëm 13 për qind. Pas dorëheqjes së pjesës më të madhe të kabinetit qeveritar nga posti i deputetit, numri i grave në parlament u rrit në 29 ose rreth 21 për qind.