Lajm20 Nov 2016

Mbyllen kutitë e votimit në Kolonjë, pjesëmarrja e votuesve gati 50 %

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, deklaroi të dielën së pas mbylljes së kutive të votimit në orën 18:00, pjesëmarrja në zgjedhjet për kryetar bashkie në Kolonjë ka arritur në 49.6 %.

Autor: BIRN BIRN Korçë
Printo

Bashkia e Kolonjës | Foto nga : LSA

Bashkia e Kolonjës | Foto nga : LSA

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson se procesi i votimi ka qenë i qetë dhe se në asnjë nga 36 qendrat e votimit nuk ka munguar asnjë nga elementët që parashikon Kodi Zgjedhor si bazë materiale zgjedhore,” tha KQZ në njoftim për shtyp.

“Aktualisht,  komisionerët e Qendrave të Votimit po dorëzojnë materialet zgjedhore nga QV-të në Komisionin e Zonës së Administrimit Zgjedhor nr. 73, ku ndodhet edhe Vendi i Numërimit të Votave,” duke nënvizuar që procesi i numërimit të votave duhet të vazhdojë menjëherë.

Pjesëmarrja më e lartë e votuesve është regjistruar në njësinë administrative Novoselë me 63 %, ndërsa pjesëmarrja më e ulët është regjistruar në Mollas me 32.8 % të votuesve. Sipas KQZ-zë 44 % e votuesve kanë qenë femra.

Në Kolonjë po mbahen zgjedhje të parakohshme pas vdekjes nga një atak kardiak e ish kryetarit të bashkisë Arben Malo.  Votimet ka vendosur përballë njëri-tjetrit Ilia Stefon nga Aleanca e Për një Shqipëri Europiane dhe Dritan Hajron nga Partia Agrare Ambientaliste.

Stefo është një mjek kirurg nga Erseka, i cili ka shërbyer si nëndrejtor i spitalit të Korçës dhe aktualisht shërben si shef i departamentit të kirurgjisë. [kliko këto për CV-në].

Ndryshe Harjo, i cili është i diplomuar si jurist, ka një të kaluar në Policinë e Shtetit dhe si sipërmarrës me aktivitet privat. [kliko këtu për CV-në]

Në një intervistë pë BIRN, Hajro ka premtuar se nëse zgjidhet kryetar bashkie, do të zhvillojë bujqësinë dhe turizmin si dhe do të hapë 450 vende pune në Ersekë dhe Leskovik. [kliko këtu për intervistën e plotë]

Rivali i tij i majtë Stefo ka premtuar gjithashtu mbështetje për bujqësinë nëpërmjet investimeve në rrjetin e kanaleve ujitëse, ndërkohë që ka shtuar se do të mbylle fushën aktuale të mbetjeve urbane pas investimit të pikës së transferimit në Mollas. [Kliko këtu për intervistën e plotë]

Bashkia Kolonjë është një zonë administrative e orientuar nga bujqësia, blegtoria dhe vreshtaria; megjithatë, emigracioni dhe largimi i popullsisë drejt qendrave urbane ka sjellë shpopullimin e shume fshatrave.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re numëron 11.070 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron një popullsi prej 19.919 vetësh në një sipërfaqe prej 864.06 km2.

Kjo bashki përbëhet nga 8 njësi administrative, të cilat janë: Ersekë, Qendër Ersekë, Leksovik, Qendër Leksovik, Novoselë, Barmash, Mollas dhe Çlirim. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Kolonjës dhe qarkut të Korçës. Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Ersekë dhe Leskovik) dhe 76 fshatra. [ Kliko këtu për një profil të plotë të bashkisë Kolonjë]