Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Mat?
Bashkia Mat përbëhet nga tetë njësi administrative (ish bashkia Burrel dhe 7 komuna). Në momentin e konstituimit të Bashkisë Mat u trashëguan tetë struktura administrative që e kishin të vështirë koordinimin e punës midis tyre, nuk e njihnin problematikën e njësive të tjera, shërbime të paplanifikuara dhe të pa mbuluara me fonde për 6 – mujorin e dytë sidomos në ish-komunat. Në këto kushte detyrat kryesore për 6 – mujorin e dytë të vitit 2015 ishin planifikimi dhe ofrimi i shërbimeve bazë për qytetarët, strukturimi dhe njësimi i administratës, zbatimi i detyrimeve të vendimit të qeverisë për riorganizimin territorial, si dhe hartimi dhe miratimi i buxhetit të vitit 2016 detyra të cilat mendoj që i realizuam në nivel të pranueshëm.
Tre arritjet kryesore për vitin e parë mendoj që janë: Arritja e marrëveshjes së bashkëfinancimit me Programi për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (dldp) për realizimin e projektit të krijimit të zyrave të shërbimit me një ndalesë në të tetë njësitë administrative të Bashkisë Mat e cila do të bëjë të mundur ofrimin e shërbimeve me cilësore dhe në një kohë me të shpejtë për qytetarët, aktualisht jemi në fazën e prokurimit të realizimit të projektit.
Hartimi dhe miratimi i Programit Buxhetor Afatmesëm të Bashkisë Mat i cili mbështetet në katër objektiva strategjike të cilat janë: Qeverisja e mirë vendore, transparente dhe gjithëpërfshirëse; zhvillimi territorial dhe ekonomik të qëndrueshëm; mbrojtja e mjedisit; zbutja e pabarazive sociale, integrimi dhe kultura; fillimi i nismës për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor për Bashkinë Mat.
Çfarë ka bërë bashkia për sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Një nga objektivat strategjike të Bashkisë Mat është qeverisja e mirë vendore, transparente dhe gjithëpërfshirëse. Në zbatim të këtij objektivi vetëm për hartimin e projekt buxhetit të vitit 2016 janë kryer mbi dymbëdhjetë takime publike në të gjitha njësitë administrative, janë kryer disa takime publike për hartimin e projekt buxhetit afatmesëm si dhe një takim për fillimin e nismës hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor.
Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Infastruktura e pa zhvilluar, zhvillimi ekonomik, papunësia. Kryesisht këtyre tre sfidave u adresohet Plani Buxhetor Afatmesëm dhe hartimi i Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Mat.
Keni premtuar që në vitin e parë të mandatit tuaj në krye të bashkisë të lidhni me rrugë fshatrat; Batërr e Madhe, Rremull, Shoshaj dhe Stojan, si dhe përmirësimin e cilësisë së furnizimit me ujë të pijshëm ne fshatrat Gërman, Lis e Baz si dhe disa ndërhyrje në furnizimin me ujë vaditës. Sa nga këto premtime tashmë rezultojnë të realizuara?
Në fshatin Batërr e Madhe kemi ndërhyrë në hyrje të rrugës për ta bërë të aksesueshme me një fond të vogël që në fund të vitit 2015 dhe aktualisht jemi në proces të prokurimit të rehabilitimit të rrugës me një fond të bashkisë prej 13 milion lekësh, për fshatin Rremull kemi hartuar projektin e ndërtimit dhe asfaltimit të rrugës Derjan – Rremull – Rukaj – Urakë rreth 9 km e gjatë e cila do të bëjë të mundur lidhjen e tre njësive administrative ( Macukull, Derjan dhe Rukaj) me rrugën nacionale Rrëshen – Klos, megjithatë me mjetet e bashkisë kemi realizuar ndërhyrje të vogla për përmirësimin e aksesit në rrugë të dy lagjeve. Për rrugën e fshatit Stojan kemi planifikuar fondin në buxhetin e vitit 2016 për ndërtimin e bazamenteve të urës dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes për të bërë të mundur ndërtimin e një ure tip bel, ku kemi hartuar projektin dhe jemi në fazën e prokurimit të ndërtimit të bazamenteve e më pas me mjetet e mekanizuara të bashkisë do të bëjmë të mundur rehabilitimin e gjithë rrugës. Në drejtim të përmirësimit të sistemit të vaditjes jemi në përfundim të rehabilitimit të kanalit të Sekës me gjatësi 4.2 km i cili bën të mundur aksesin në ujë vaditës të fshatrave Rukaj e Rremull. Po kështu jemi në përfundim të rehabilitimit të kanalit vaditës në fshatin Baz. Projekte këta të financuara nga Ministria e Bujqësisë ndërsa me transfertën specifike buxhetore prej 1.5 milionë lekësh të destinuara për veprat vaditëse duke u konsultuar edhe me komunitetin realizuam blerjen e rreth 1000 m tubacione të dimensioneve të ndryshme dhe me kontributin në punë fizike të komunitetit është bërë e mundur vendosja në funksion e disa veprave vaditëse në njësitë administrative Komsi, Baz, Rukaj e të tjera.
Sa shkolla në bashkinë tuaj nuk kanë tualete dhe në sa prej tyre do ketë ndërhyrje aktualisht për zgjidhjen e këtij problemi?
Kemi planifikuar fondet dhe aktualisht jemi në proces prokurimi për përmirësimin e hidroizolimit në 6 –shkolla dhe do të ketë ndërhyrje për përmirësimin e nyjeve hidrosanitare në 5 – 6 shkolla në njësitë administrative Lis, Komsi, Rukaj.
A ka bashkia një strategji për mbështetjen sociale të grupeve vulnerabël?
Kemi miratuar në strukturën e Bashkisë një zyrë e cila do të merret me hartimin e një database për gjendjen ekonomike, kushtet e jetesës dhe të punësimit për të gjitha shtresat në nevojë dhe grupet vulnerabël me qëllim njohjen e gjendjes dhe planifikimin e masave përkatëse. Kemi një qendër të trajtimit ditor të moshës së tretë, kemi në zbatim një projekt strehimi për komunitetin rom në bashkëpunim me IDSA.
Keni projekte për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe gjelbërimin e ambienteve publike?
Bashkia Mat ka një vend-depozitim të mbetjeve të njësisë administrative Burrel dhe një të njësisë administrative Ulëz, vend-depozitime të cilat nuk plotësojnë standardet e kërkuara. Për vitin 2016 bashkia Mat ka planifikuar 2 milion lekë për përmirësimin e vend-depozitimit të njësisë administrative Burrel dhe një milion lekë për blerje kontenierësh me qëllim realizimin e tërheqjes së mbeturinave në njësitë administrative Komsi, Lis, Baz dhe Rukaj, aty ku është e aksesueshme me rrugë të asfaltuar ndërsa në njësitë e tjera për momentin po caktohen vend depozitime të përkohshme dhe pastaj do të tërhiqen në mënyrë periodike me mjetet e bashkisë për në vend-depozitimin e njësisë administrative Burrel. Bashkia ka një njësi të shërbimit të gjelbërimit, ku për vitin 2016 janë planifikuar 2.5 milionë lekë për investime në gjelbërim.
Çfarë hapash keni ndërmarrë për mbrojtjen e pyjeve nga prerjet e paligjshme, mbrojtjen e liqeneve nga peshkimi i paligjshëm me dinamit, burimeve ujore dhe për zhvillimin e turizmit?
Bashkia Mat ka trashëguar nga ish-komunat pyjet komunale dhe aktualisht jemi në procedura me Ministrinë e Mjedisit për kalimin në pronësi edhe të pyjeve të larta. Bashkia ka krijuar në strukturën e saj të vartësisë një agjenci për pyjet dhe bujqësinë, është marrë në punë personeli i nevojshëm për ruajtjen dhe menaxhimin e pyjeve, kemi hartuar dhe miratuar planin operacional të menaxhimit për vitin 2016. Theksojmë se në transfertën specifike për vitin 2016 na janë akorduar fondi pagave vetëm për 4 – punonjës nga 16 punonjës që duhen sipas normativave ligjore. Për sa i përket peshkimit të paligjshëm theksojmë se nga ana e administratorëve, shoqatave të peshkimit, policisë bashkiake dhe inspektoratit të mbrojtjes së territorit mendoj se është bërë një punë e mirë në parandalimin e këtij fenomeni.