Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Përmet dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?
Problematikat që na shoqërojnë në këtë bashki janë të panumërta dhe ajo që unë kam vënë re në këtë vit të parë të mandatit është që plaga më e madhe e këtij qyteti është papunësia. I njoh dhe i jetoj përditë hallet e tyre, duke dëgjuar dhe biseduar me familjarët që janë të papunë, që kanë vështirësi për shkollimin e fëmijëve, për kurimin e të afërmve të tyre, për pagesat e energjisë elektrike apo të taksave lokale, për plotësimin e nevojave të përditshme, për sigurimin e ushqimeve të muajit dhe ndihem keq sepse shumë herë e kam të pamundur për të siguruar një vend pune. Në Përmet, papunësia te qytetarët dhe sidomos te të rinjtë është dyfishi i statistikave zyrtare. Asnjë bashki në Shqipëri dhe për më tepër Bashkia Përmet që është bashki e vogël, s`mund të japë zgjidhje përfundimtare dhe të plotë të punësimit. Në këtë kuadër ne kemi miratuar në paketën fiskale 2016 që të gjitha bizneset e reja që hapin një numër të caktuar vende pune do të paguajnë 0 taksa lokale në Bashki. Kemi negociuar me disa kompani vendase dhe të huaja dhe i kemi sjellë për vizitë dhe në Përmet, por interesi akoma është i ulët për shkak të largësisë së madhe nga Tirana dhe Durrësi, si dhe prej mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar.
Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godina arsimore apo shëndetësore në bashkinë e Përmet?
Ashtu si pata premtuar kam bashkëpunuar me Kryeministrin dhe qeverinë duke marrë pjesë në çdo takim që është organizuar. Kam paraqitur projekte dhe kërkuar financime për zbatimin e tyre. Pikërisht me financim nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve kam mundur të realizoj projektin: Rikualifikim urban i bllokut të lagjes Partizani. Ky projekt përfshin sistemim/asfaltim rrugësh, trotuar, ndriçim, gjelbërim, rrjet të kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza, rrjet të ujësjellësit duke realizuar një projekt me standardet më të larta dhe duke parashikuar zhvillimet perspektive të zonës.
Në seanca të hapura konsultimi me grupet e interesit dhe debatit mes specialisteve nga më të mirët, por edhe me vendimmarrje të Këshillit të Bashkisë, në bashkëpunim me një nga studiot me prestigjioze të projektimit në vend, ripunuam projektin e qendrës së qytetit duke shmangur zbatimin e një projekti që bënte kalldrëmizimin e qendrës së qytetit (si trotuaret).
Me përfundimin e këtij projekti, së bashku me projektin që është paraqitur për financim për hyrjen e qytetit e lulishten deri tek Guri i Qytetit, do të kemi një Përmet me pamje e identitetet të ri që do të pëlqehet për t’u vizituar nga turistë vendas e të huaj. Brenda pak kohesh do të fillojë zbatimi i projektit për rifreskimin e pemëve dekorative të qytetit. Gjithashtu, pjesë e këtij projekti është edhe mbjellja e së paku 1000 trëndafilave të rinj. Lidhur me investimet në ujësjellës me fonde vetëm nga buxheti i bashkisë dhe fondacione (pa ndihmën e buxhetit të shtetit) është realizuar:
Sistemim i rrjetit të brendshëm të fshatrave: Zhepe, Stermbec, Biovizhde dhe Vllahopsillotere dhe brenda vitit do të investojmë në vendosjen e sahateve dhe ndërtimin e rrjetit të fshatrave të tjerë Çarshovë, Pëllumbar duke bërë të mundur ujë 24 orë për të gjithë banoret e njësisë administrative Çarshovë brenda vitit.
Po kështu është bërë kompletim i rrjetit të brendshëm të furnizimit me ujë në fshatin Kosinë, vendosja e një pompe të re duke garantuar furnizim me ujë për 24 orë për banorët e këtij fshati.
Janë kryer rikonstruksione dhe ndërhyrje në rrjetin e brendshëm të amortizuar të lagjeve të qytetit Përmet dhe konkretisht:
-Rikonstruksion i rrjetit të lagjeve ish-Parku dhe ndërhyrje të ish SMT
-Është garantuar furnizim nga burime me vetërrjedhje dhe ujë 24 orë për lagjen e Skutaraqit.
-Është garantuar cilësia e ujit të furnizuar duke shmangur turbullirat që krijoheshin gjatë stinës së dimrit.
Kam këmbëngulur pranë qeverisë, si dhe shumë donatorëve të tjerë për financim me disa faza të projektit për rikonstruksion të plotë të furnizimit me ujë të qytetit.
Në infrastrukturë me fonde të buxhetit të bashkisë janë realizuar:
-Asfaltim i segmentit rrugor nga ura e qytetit deri tek gjimnazi.
-Ndërhyrje për sistemim të përroit të lagjes Sede duke shmangur përmbytjet që bëheshin çdo vit në këtë lagje (pavarësisht që ajo ka nevojë për një investim tepër të madh të papërballueshëm nga bashkia.
-Rikthim të sistemit që mungonte prej disa vitesh të ngrohjes në shkollat e kopshtet e qytetit duke krijuar kushte më të mira të zhvillimit të mësimit në këto institucione.
-Zgjidhjen e problematikës së zgjerimit të varrezave të qytetit, një problem i mbartur së paku prej 10–15 vitesh.
-Ndërtim të urave tip pasarellë në fshatin Kaludh dhe Kutal.
-Ndërtim të një ure betoni në fshatin Bënjë.
Si e vlerësoni gjendjen financiare të Bashkisë?
Në muajt e parë të mandatit kam qenë i detyruar si kryebashkiak të mbush gropat financiare e të nis shlyerjen e borxheve të mëdha të trashëguara të cilat rrezikonin të falimentonin punën e institucionit të bashkisë. Borxhet e mbartura kanë qenë shumë më të mëdha se sa parashikoheshin. Duke u bërë pengesë për vijimin normal të punës së bashkisë për plotësimin e detyrave funksionale që parashikon ligji. Për transparencë ndaj publikut dua të them se borxhet e mbartuara në bashkinë e re të Përmetit për energjinë elektrike,vendime gjykatash, kontrata të pashlyera dhe blerje mallrash janë 250 milionë lekë. Në ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve Përmet borxhet e gjetura për energjinë elektrike dhe pagesa të tjera arrijnë në 100 milionë lekë. Në total borxhet arrijnë në shifrën 350 milionë lekë dhe sot jemi duke shlyer borxhe dhe në procese gjyqësore me zyra përmbarimore dhe individë e kompani private.
Granti që qeveria akordoi për vitin 2016 për Bashkinë Përmet për pagat e punonjësve, shërbime, investime dhe të gjitha nevojat e bashkisë ishte 850 milionë lekë (të vjetra) . Po e përmend punën e borxheve të trashëguara, jo për justifikim e transparencë, por edhe për të dëshmuar se këto kanë qenë kushtet e mundësitë reale financiare mbi të cilat na është dashur të punojmë dhe të realizojmë premtimet.
A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë Përmet dhe cilat janë ato?
Kriteret që përcakton ligji dhe përvoja menaxhuese e administratorëve kanë udhëhequr vendimmarrjet për përzgjedhjen e tyre. Jemi mbështetur dhe në reputacionin që ata kanë në zonat që administrojnë tek qytetarët në raport me trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve që ndeshen.
Cilët mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të siguroni pjesëmarrjen dhe konsultimin me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë? (Për hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj…)?
Si fillim dua të them se është kthyer dimensioni njerëzor institucionit të Kryetarit të Bashkisë duke u paraqitur si njëri prej qytetarëve që mund të takohet, bisedohet e debatohet për çdo hall e shqetësim individual, familjar apo të lagjes e njësisë ku banon. Dera e kryetarit të Bashkisë ka qenë e do të mbetet e hapur. Po kështu është krijuar bashkëpunim korrekt e konstruktiv me këshillin e bashkisë pavarësisht ngjyrës së mazhorancës së tij duke iu shmangur përplasjeve politike dhe duke kaluar shumicën e vendimeve madje edhe buxhetin e bashkisë me konsesus.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë vitit të parë të mandatit tuaj për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore?
Bashkia edhe për këtë periudhë ka vijuar traditën e mirë për të mbështetur aktivitetet që promovojnë vlerat kulturore, artistike të trevës së Përmetit, si Festivali Multikulturor Rin Fest, ditët e Naimit etj. Në bashkëpunim me institucionet e trashëgimisë kulturore kemi mbajtur në monitorim gjendjen e mjaft monumenteve kulturore dhe natyrore që ndodhen në territorin e bashkisë duke nxitur edhe mirëmbajtjen e qëndrueshme të tyre dhe një vizitueshmëri më të lartë. Kemi ringjallur kontaktet me bashkitë në Larisë e Konicë; kemi hartuar projekte të përbashkëta në kuadër të programeve ndërkufitare që financohen nga BE dhe jemi në kontakte për të vendosur bashkëpunimin me bashki të ngjashme në Itali dhe Austri. Kemi bashkëpunuar me përfaqësi, ambasada, fondacione, institute, shoqata vendase dhe të huaja për aktivitete të ndryshme si Fondacioni Konrad Adenauer, USAID, Këshilli i Europës, Instituti për Studime Publike dhe Ligjore, Ambasada zvicerane, Cesvi, Gjysmëhëna e kuqe, Shoqata Zemër nëne, Lëviz Albania dhe shoqata të tjera.
Veçoj bashkëpunimin e frytshëm me Cesvin për mbështetjen që na kanë dhënë dhe do të na japin për realizim të disa investimeve komunitare dhe sidomos në sektorin e turizmit dhe promovimit të vlerave të trashëgimisë kulturore. Jam i ndërgjegjshëm që ka nevojë edhe për shumë punë për të realizuar ç’ka kemi premtuar. Unë do të vijoj t’i mbetem atyre që kam premtuar dhe do të jem konseguent për t’i bërë realitet jo me shkop magjik, por me punë e bashkëpunim.