Pas një ore rrugë më këmbë, Lavdie Qershori dhe bashkëshorti i saj janë të kënaqur që më në fund lanë pas smogun e Tiranës për të argëtuar mes gjelbërimit djalin e tyre të 6-vjeçar. Kjo është hera e dytë që familja Qershori e viziton këndin polemik të lodrave që u inaugurua në Ditën e Fëmijëve, më 1 qershor.
“Më pëlqen që më në fund djali ynë mund të luajë në një park në natyrë, pa pasur nevojë ta çojmë në lokalet e Tiranës duke paguar”, tha Lavdie Qershori për BIRN, e cila banon në zonën e Selitës.
“Ne nuk kemi park në lagje, por djali ka nevojë të luajë që të shijojë fëmijërinë,” shtoi ajo.
Disa metra më tutje Silvana Hoxha, nënë e tre fëmijëve po kujdeset në distancë për dy fëmijët e saj dhe dy të fqinjes që i ka sjellë të luajnë në park.
“Ka shumë fëmijë dhe duhet të tregohem vazhdimisht e kujdesshme që t’i mbaj përpara syve,” tha ajo për BIRN. “Do të ishte më e lehtë për ne si prindër nëse do të kishte nga një park në çdo lagje, por edhe ky park është një projekt pozitiv”, shtoi ajo.
Selami Despoti, 65 vjeç ka sjellë nipin e tij 7-vjeçar për të dytën ditë radhazi në park dhe planifikon ta bëjë këtë gjë të paktën pesë herë në javë.
“Ofrimi i mundësive të lodrave për fëmijë në këtë përmasë në Shqipëri është diçka jashtëzakonisht e mirë, pasi si vogëlushët edhe ne gjyshërit i largohemi pluhurit të Tiranës,” tha ai për BIRN, duke shtuar se për të ardhur nga Njësia Bashkiake 4 do të merrte dy urbane në ardhje dhe kthim.
“Ne jemi mësuar me moszbatimin e ligjit dhe me politikanët që luajnë me fatet tona. Me ekonominë në gjendje të keqe, korrupsionin e gjithëpranishëm dhe papunësinë e thellë, por ky park nuk i bën dëm askujt,” përfundoi Despoti.
Të intervistuari edhe pse të kënaqur me rezultatin u shprehën se nuk kishin dijeni për koston e parkut të lodrave apo për mbajtjen e konsultimeve publike për ndërtimin e tij.
Në zonën e pagëzuar si Ulliri i Qëndresës, ku po qëndrojnë prej 78 ditësh një grup aktivistësh mjedisorë të cilët e kundërshtuan me forcë projektin e bashkisë së Tiranës, Saimir Muji, aktivist i lëvizjes Qytetarët për Parkun vazhdon rezistencën e tij – edhe pse i zhgënjyer nga reagimi i publikut.
“Parku nuk është një dhuratë nga pushtetarët për njerëzit dhe publiku nuk e di se sa dëme i janë shkaktuar parkut nga betonizimi i tij prej Bashkisë,” tha Muji për BIRN.
“Ne do të ndjekim deri në fund të gjitha rrugët gjyqësore derisa për parkun të vihet drejtësia, të rehabilitohet zona e betonizuar dhe përgjegjësit për shkatërrimin e tij të përgjigjen përpara ligjit,” shtoi ai.
Në shkurt të këtij viti Bashkia e Tiranës befasoi publikun kur rrethoi pa paralajmërim disa mijëra metra të Parkut të Liqenit dhe lajmëroi planet për të ndërtuar një park lodrash për fëmijë. Qindra pjesëtarë të shoqërisë civile dhe organizata mjedisore kërkuan transparencë paraprake të projektit dhe konsultime me publikun.
11 organizata mjedisore joqeveritare argumentuan përmes një letre publike se Bashkia Tiranë ka shkelur Nenet 23, 48 dhe 56 te Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; Ligjin nr. 10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”; Ligjin nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”; Ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”; Ligjin nr. 8672, datë 26.10.2000 “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit” dhe Ligjin nr.10 440, datë 7.7. 2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”.
Protestat përshkallëzuan disa herë në dhunë ndaj aktivistëve, të cilët akuzuan se Bashkia e Tiranës ka ndërhyrë në mënyrë shkatërrimtare në park duke depozituar 180 betoniere dhe kërkuan diskutime për ndërtimin e një parku ekologjik.