Partia Demokratike në opozitë deklaroi sot (6 shtator) se ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurori në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, duke e akuzuar atë mes të tjerash, për shpërdorim detyre, shkelje e barazisë në tenderë e punësim të paligjshëm, pasi vdekja e një minoreni 17 vjeçar muajin e kaluar, zbuloi një skemë abuzive përfitimi nga procesi i riciklimit të mbetjeve urbane të Tiranës përmes përdorimit të aseteve të bashkisë së Tiranës nga një kompani private, e cila rezulton gjithashtu se punësoi njerëz pa sigurime shoqërore në këtë proces.
“Partia Demokratike ka depozituar sot një kallëzim penal ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj për një numër të madh shkeljesh ligjore, që sollën si rezultat humbjen e jetës së 17 vjecarit Ardit Gjoklaj, në landfillin e Sharrës, një muaj më parë”, thuhet në një deklaratë të PD-së. Sipas saj, Veliaj është përgjegjës për shkeljen e ligjit në procesin e krijimit të kompanisë Eco Tirana sh.a, duke përzgjedhur një aksioner privat në këtë kompani pa procedurë prokurimi dhe duke i dhënë kompanisë Eco Tirana një shumë parash nga fondet publike pa garë, në shkelje të ligjit për Prokurimet Publike dhe ligjit Për Koncesionet.
Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për komente mbi akuzat e PD-së.
Skandali i menaxhimit të mbetjeve shpërtheu në 7 gusht, kur policia njoftoi se po hetonte vdekjen aksidentale të Ardit Gjoklajt, 17 vjeç, në landfillin e Sharrës. Dy ditë më vonë, policia njoftoi se kishte ndaluar disa punonjës dhe kishte shpallur në kërkim shtetasin Edurim Teqja, administrator i kompanisë private 3R. BIRN investigoi marrëdhëniet e Bashkisë së Tiranës me kompaninë 3R dhe zbuloi se një fushatë e shpallur nga kryebashkiaku Erion Veliaj kundër mbledhjes së mbetjeve urbane të riciklueshme nga shqiptarët e varfër, më së shumti anëtarë të komunitetit rom, fshihte interesat e një kompanie private, e cila përfitonte mbetjet e riciklueshme nga landfilli i Tiranës në marrëdhënie të paqartë juridike me Bashkinë e Tiranës, e cila zyrtarisht është pronare e mbetjeve me vlerë për riciklim.
Prokuroria është aktualisht duke e hetuar ngjarjen në landfillin e Sharrës.
Paralelisht me menaxhimin e riciklimit të mbetjeve në landfill nga kompania 3R, Bashkia e Tiranës njoftoi nismën për krijimin e një kompanie aksionere në bashkëpronësi të saj dhe të një kompanie italiane të quajtur AGSM. Kompania e re quhet Eco Tirana dhe në të, Bashkia e Tiranës ka 51 për qind të aksioneve. Bashkia ka ndër mend t’i japë kësaj kompanie 2.5 milionë euro në vit për grumbullimin e mbetjeve të Tiranës, ndërsa ajo do t’i depozitojë mbetjet në landfillin e Tiranës para se një kompani private të marrë prej tyre mbetjet me vlerë për riciklim.
“Fillimisht shoqëria do të përdorë impiante të të tretëve për seleksionimin dhe do të synojë që sa më shpejtë të jetë e mundur të krijojë impiant seleksionimi me partnerë lokalë,” shkruhet në vendimin e Këshillit Bashkiak Tiranë për themelimin e kompanisë.
Në kallëzimin e saj kundër Veliajt, Partia Demokratike thotë se procesi i përzgjedhjes së parnerit italian AGSM nga Bashkia e Tiranës dhe vendimi për dhënien e shërbimit të mbledhjes së mbeturinave te kompania e përbashkët Eco Tirana, përbën sakaq shkelje ligjore, pasi bashkëaksioneri është zgjedhur pa garë dhe shërbimi i pastrimit të qytetit po i jepet pa garë një kompanie ku bashkia nuk është pronare me të drejta të plota. (kliko këtu për të parë kallëzimin).