Lajm5 Jun 2017

Pas 7 skulpturave “Veliera” largon pa destinacion edhe monumentin e Mujo Ulqinakut

Monumenti i Mujo Ulqinakut, vepër e skulptorit Kristaq Rama, u hoq sot (5 qershor) nga qendra e Durrësit ndërsa autoritetet nuk sqarojnë se ku kanë ndër mend ta çojnë këtë monument.

Autor: Gëzim Kabashi BIRN Durrës
Printo

Monumenti i Mujo Ulqinakut në Durrës. Foto: Gëzim Kabashi/BIRN

Monumenti i Mujo Ulqinakut në Durrës. Foto: Gëzim Kabashi/BIRN

Punimet për projektin “Veliera” në Durrës nuk kanë kursyer as monumentin e Mujo Ulqinakut, shumë pranë Torrës mesjetare të qytetit bregdetar. Sot paradite kanë nisur punimet për zhvendosjen e kompleksit përkujtimor të ngritur në nderim të heroit të rezistencës antifashiste, ndërsa nuk dihet ende destinacioni i veprës së punuar në fund të viteve 1970 nga Skulptori I Popullit, Kristaq Rama.

Kjo është vepra e tetë që largohet brenda disa muajsh nga sheshi, ku nisën punimet për rikualifikimin e sipërfaqes para godinave të portit detar.

Në gjashtë muajt e fundit nga territori ku po zbatohet projekti me vlerë 6 milion USD janë larguar edhe një sërë veprash të tjera, të njohura si skulptura parku. Bustet e Ismail Qemalit dhe Dom Nikoll Kaçorrit, kryetari dhe nënkryetari I parë I qeverisë së Pavarësisë u sakrifikuan të parët dhe u dërguan në ruajtje në një nga magazinat e qytetit. Në të njëjtën kohë me to u largua nga lulishtja pranë Torrës edhe busti i kolonelit holandez Lodewijk Thomson.

Më pas u spostuan edhe katër vepra të tjera monumentale, të instaluara vetëm në 6-7 vjetët e fundit në sheshet përballë hyrjes së portit të Durrësit.

Skulpturat e derdhura në bronz nga po aq skulptorë shqiptarë, dhe që i bëjnë jehonë artit modern botëror me figurat e John Lennon, Bob Dylan, Tina Turner dhe Mick Jagger e zbukuruan për pak vite lulishten përballë Torrës veneciane. Veprat ishin inventarizuar vetëm pak kohë më parë dhe transferimi I tyre nuk ka pasur asnjë adresë të re. Tashmë ato ruhen në oborrin e ndërmarrjes së Pastrim Gjelbërimit në Durrës, por askush nuk di të thotë se a ka një plan për zhvendosjen e tyre drejt një hapësire të re.

Ansambli monumental trekëndor ku ndodhet edhe për disa orë monumenti i Mujo Ulqinakut është një nga më të vjetrit në Durrës. Bashkia e Durrësit në vitet 1920 ia kushtoi atë kolonelit holandez, Thomson. Ushtaraku 45-vjeçar, që kishte mbërritur në Shqipëri për të organizuar xhandarmërinë vendase ra në krye të detyrës më 15 qershor të vitit 1914. Vepra u ndërtua me nismën e kryebashkiakut Kostë Paftali. Një obelisk i lartë me një shqiponjë të derdhur në bronz u vendos në qendër të tre topave luftarakë, që vazhdojnë të hijeshojnë edhe sot kompleksin trekëndor, shumë pranë Torrës veneciane. Siç u mësua nga zbulimet arkeologjike të këtij fillim viti pranë kompleksit “Veliera” të tre topat pranë monumentit trekëndor ipërkasin një grupi artilerie bregdetare, të instaluar 200 vjet më parë në fortifikimin osman pranë hyrjes së portit.

Që nga mesi i viteve 1970 ky kompleks i kushtohet figurës së heroit të rezistencës antifashiste Mujo Ulqinaku, busti i të cilit punuar nga babai i kryeministrit Rama, nuk dihet se ku do të transferohet.