Cilat janë tri arritjet, premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme, gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Selenicë?
-Rritja dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të institucionit të bashkisë Selenicë ndaj qytetarëve.
-Kontrolli dhe menaxhimi i territorit të bashkisë nga ana e strukturave të saj, e gjendur përballë problematikave të mbartuara.
-Përmirësimi i infrastrukturës rrugore, si dhe investimet e shumta në sektorin e bujqësisë.
Çfarë ka bërë Bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike) dhe transparencën gjatë këtij viti?
-Kemi kryer takime, bashkëbisedime të hapura, konsulta të drejtpërdrejta me banorë të fshatrave të bashkisë, ku është dëgjuar zëri i tyre për të gjitha problematikat e ditës dhe të perspektivës.
– Me mediat kemi pasur komunikime të vazhdueshme, duke i informuar për gjithë problematikat dhe dinamikën e zhvillimeve në gjithë territorin e bashkisë.
Cilat janë tri sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re, dhe si mendoni ti adresoni ato?
-Sfida kryesore mbetet ngritja e një ujësjellësi që mund të furnizojë mbi 80% të komunitetit të kësaj bashkie.
-Përmirësimi i infrastrukturës rrugore, që ndodhet në një gjendje të keqe!
-Përmirësimi i infrastrukturës në sektorin e bujqësisë.
-Janë bërë projekte për të realizuar këto synime, të cilat janë adresuar instancave shtetërore për financim.
Një prej problemeve më madhorë në Selenicë është çështja e ujit të pijshëm, i cili është i ndotur si pasojë e përmbytjes së pompave. A ka arritur të marrë një zgjidhje kjo situatë?
Kjo ishte dhe është një situatë emergjente. Sapo kemi marrë drejtimin e bashkisë, ne kemi hartuar projektin për ujësjellësin e Selenicës, të cilin e kemi paraqitur edhe në organet përkatëse shtetërore për financim.
Deri më tani nuk kemi marrë përgjigje për zgjidhje. Nga ana e bashkisë është i pa mundur realizimi i këtij projekti, për mungesë financash.
Çfarë është bërë për bujqësinë gjatë këtij viti?
Ajo që është bërë për bujqësinë gjatë këtij viti, nuk është realizuar përgjatë këtyre 25 viteve. Bashkia ka investuar mbi 40 milion lekë të reja në këtë sektor: Si në përmirësimin e sistemit të vaditjes, kullimit, si dhe në ngritjen e argjinaturave mbrojtëse ndaj përmbytjeve.
Çfarë është bërë për infrastrukturën përgjatë vitit të parë të mandatit tuaj?
Për përmirësimin e infrastrukturës rrugore bashkia ka investuar rreth 35 milion lekë të reja, investime të cilat konsistojnë në riparimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve në fshatra të ndryshëm, si dhe në ndërtimin e disa urave të vogla.
A keni gjetur mbështetje për projektet tuaja?
Gjatë kësaj periudhe kemi mundur të realizojmë një numër të konsiderueshëm projektesh cilësore, të cilat konsistojnë në restaurime shkollash, ujësjellësish, projekte rrugësh, projekte për rehabilitimin e qendrave të banuara, të cilat i janë paraqitur qeverisë.
Deri më tani asnjë projekt nuk është financuar.
Selenica ka në territorin e saj edhe zona turistike siç është Amantia e lashtë. A ka marrë masa bashkia për ta rehabilituar dhe promovuar atë?
Parku arkeologjik i “Amantias” është në territorin e kësaj bashkie, por në vartësi të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës Vlorë. Në bashkëpunim me këtë institucion dhe shoqatën e fshatit Ploçë, si dhe me shkollat e fshatrave kemi kryer aktivitete të ndryshme kulturore-artistike-sportive. Këto aktivitete thithin një numër të lartë vizitorësh nga e gjithë krahina dhe jo vetëm, duke promovuar vlerat historike të këtij qyteti të lashtë.
Sa janë të ardhurat e Bashkisë Selenicë nga renta minerare e minierave të Bitumit dhe zonës së Naftës, dhe si janë përdorur këto të ardhura?
Në raport me dëmin që i sjellin komunitetit si: Dëmtimin e infrastrukturës rrugore nga mjetet e rënda që kalojnë në rrugë, si dhe ndotja mjedisore e shkaktuar, të ardhurat që përfiton pushteti lokal nga këto pasuri nëntokësore janë fare minimale, deri në 5 milion lekë të reja.
Këto të ardhura janë administruar dhe përdorur në shërbim të komunitetit si n përmirësimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore, etj.