BIRN i paraqiti kryetarëve të bashkive një seri me pyetje të paraqitura si shqetësime nga qytetarët në të gjithë Shqipërinë, me synimin e vënies para përgjegjësisë të kryebashkiakëve të rinj një vit pas marrjes së pushtetit. Pesëdhjetë e katër kryebashkiakë iu përgjigjën pyetjeve, të cilat varionin nga shqetësimet se si menaxhohen mbetjet urbane te mungesa e shërbimeve dhe investimeve te zonat rurale të bashkive të reja. Dy kryebashkiakë nuk u intervistuan dot për shkak se Elvis Rroshi i Kavajës qe nën masën e sigurisë arrest shtëpiak ndërsa Shukri Xhelili i Dibrës qe i arrestuar.
Por pesë kryebashkiakë, Vangjush Dako i Durrësit, Qazim Sejdini i Elbasanit, Ndrec Dedaj i Mirditës, Erion Veliaj i Tiranës dhe Dritan Leli i Vlorës refuzuan të intervistoheshin.
Për këtë arsye, ne po paraqesim këtu pyetjet që qytetarët e këtyre bashkive i ngritën para kryebashkiakëve, pyetje që mbetën pa përgjigje.
Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako refuzoi t’i përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve për ruajtjen e trashëgimisë arkeologjike të qytetit, aktualisht e rrezikuar nga një projekt për ndërtimin e një Pallati të Drejtësisë, shqetësimit për mosrehabilitimin e zonës së ndotur të Kepit të Rodonit apo ngërçit të krijuar me mungesën e hipotekimit të qindra apartamenteve në këtë qytet.
Kryebashkiaku i Elbasanit Qazim Sejdini për shqetësimin e banorëve për ndotjen industriale, për mungesën e transportit të nxënësve në shkollat e fshatrave të largët malorë të kësaj bashkie apo për projektet sociale në ndihmë të shtresave në nevojë.
Ndrec Dedaj i Mirditës nuk iu përgjigj shqetësimeve për nevojën për rehabilitimin dhe zhvillimin e infrastrukturës së vaditjes së tokave bujqësore, kërkesave për projekte të zhvillimit të turizmit kulturor apo shqetësimeve të krijuara nga projektet e ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël.
Erion Veliaj nuk iu përgjigj pyetjeve mbi mungesën e transparencës së bashkisë së drejtuar prej tij, për kioskat pa leje të vendosura nëpër Tiranë nën logon EcoParking, për mungesën e shërbimeve publike në fshatrat përbërëse të Bashkisë së Tiranës apo për vonesat në shfrytëzimin e banesave sociale, të ndërtuara mbi pesë vjet më parë dhe që vijojnë të mbeten pjesërisht të papërdorura.
Dritan Leli i Vlorës nuk iu përgjigj shqetësimeve të qytetarëve për koncesionin e parkingjeve publike, për zvarritjen e gjatë të punimeve mbi projektin e Lungomares, për mungesën e ujit të pijshëm në qytet dhe për gjendjen e keqe të rrugëve të brendshme të lagjeve të qytetit.
Intervistat e 54 kryebashkiakëve të cilët u përgjigjën gjenden të publikuara këtu.
Pyetjet pa përgjigje për kryetarin e Bashkisë Durrës Vangjush Dako
- Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Durrës?
- Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
- Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
- Pas viteve 1990 harta e frekuentimit turistik të vendit ka ndryshuar. Ndërsa ndarja e re territoriale ka krijuar shanse te reja me 62 km bregdet për bashkinë e Durrësit, nga Shkëmbi i Kavajës në Kepin e Rodonit. Në këto kushte a ka një strategji afatshkurtër dhe afatmesme për turizmin?
- Durrësi dhe Tirana kanë tashmë zyrtarizuar bashkëpunimin ekonomik në Planin qeveritar që njihet me emrin Durana. A mund të ketë një bashkëpunim për vijën bregdetare me Kavajën, bashki me të cilën ka qenë e lidhur përgjatë gjithë shekullit të 20-të?
- Hekurudha shqiptare ka humbur efikasitetin e saj gjatë dy dekadave të fundit. Sa është e interesuar bashkia e Durrësit për të ardhmen e HSH, si vend gjenerimi i punësimit dhe plotësues i transportit rrugor dhe detar?
- Durrësi nuk ka arritur të bëhet një qytet me shumë qendra, megjithëse popullsia e tij është trefishuar brenda 25 vjetëve. Tani që kufijtë e tij përfshijnë edhe një ish-bashki dhe 4 ish-komuna a do të ndryshojë vizioni i bashkisë për “qytetin e vogël” monocentrik?
- Qindra apartamente të ndërtuara në qytetin e Durrësit vazhdojnë të jenë të pahipotekuara. Deri kur?
- Aktualisht ekziston një plan për të ndërtuar një Pallat të Drejtësisë në një lulishte brenda zonës arkeologjike të Durrësit. A mendoni se kjo është zgjidhja më e mirë apo Pallati i Drejtësisë mund të ndërtohet gjetkë për të ruajtur lulishten dhe pasuritë e mundshme arkeologjike?
- Zona e Kepit të Rodonit është aktualisht pjesë e Bashkisë Durrës, por vijon të jetë vazhdimisht e ndotur me mbetjet urbane të sjella nga lumenjtë. A keni ndonjë ide se si mund të sigurohet pastërtia përgjatë të gjithë vijës bregdetare të bashkisë së re?
Pyetjet pa përgjigje për kryetarin e Bashkisë Elbasan Qazim Sejdini
- Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Elbasan?
- Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
- Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
- Çfarë është bërë për sigurimin e shërbimeve edhe për fshatin më të largët të bashkisë së re Elbasan?
- Çfarë hapash keni ndërmarrë konkretisht për rehabilitimin e zonës industriale dhe për pastrimin e lumit Shkumbin nga mbetjet e rrezikshme që përfundojnë aty?
- Çfarë është bërë për shtrirjen e shërbimeve sociale edhe në zonat rurale? Cilat janë projektet konkrete që keni finalizuar për të moshuarit dhe njerëzit në nevojë?
- Në çfarë faze është plani rregullues i Bashkisë Elbasan dhe cilat do të jenë përfitimet e qytetarëve me miratimin e tij?
- Çfarë është bërë për arsimin, strehimin dhe përfitimit të ndihmës ekonomike për familjet e komunitetit rom dhe egjiptian?
- Ju keni deklaruar sigurimin e transportit të fëmijëve në shkolla në 100 ditët e para. Si e keni zgjidhur këtë çështje?
- Cilat janë ndërhyrjet sa i përket vaditjes dhe kullimit në zonat rurale. A ka zona që kanë probleme me vaditjen dhe cila është zgjidhja me shoqatat e ujit apo menaxhimin e vaditjes në fshatra?
Pyetjet pa përgjigje për kryetarin e Bashkisë Mirditë Ndrec Dedaj
- Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Mirditë?
- Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
- Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
- Bashkia e re e Mirditës ka tashmë një numër shumë të madh fshatrash dhe territor shumë të gjerë kodrinor e malor. Mungesa e rrugëve të përshtatshme apo mungesa e mirëmbajtjes së rrugëve rurale është shqetësimi kryesor i përditshëm i banorëve. Çfarë plani keni për të ofruar përmirësime në rrjetin rrugor të bashkisë?
- Gjatë viteve të fundit, banorët e shumë fshatrave në Mirditë janë përplasur me ndërtuesit e hidrocentraleve ndërkohë që hidrocentralet i shpërfillin faturat e taksave të bashkisë. Çfarë keni ndër mend të bëni për të zgjidhur konfliktet për ujin mes hidrocentraleve dhe banorëve si dhe për të mbledhur taksat vendore të këtyre hidrocentraleve?
- Është bërë një investim miliona eurosh për ujësjellësin e ri në Rrëshen, i cili është inauguruar pak muaj më parë. Si është e mundur që Mirdita vuan sërish mungesën e ujit të pijshëm?
- Çfarë planesh keni për zhvillimin e turizmit në një kohë që në të gjitha zonat etnokulturore të Mirditës, Fani, Oroshi, Selita, Kaçinari dhe Oroshi nuk ka asnjë hotel, asnjë kullë pritëse?
- Janë me mijëra hektarë tokë bujqësore që nuk do të mund të vaditen këtë vit, pasi janë dëmtuar digat e dy rezervuarëve që ka Mirdita. Cila është zgjidhja që do të bëni?
- Keni premtuar se do te jeni në mbështetje të banorëve, të cilët pretendojnë se iu është marrë prona për ndërtimin e hidrocentraleve. Çfarë keni bërë në këtë drejtim?
- Godinat arsimore dhe ambulancat vijojnë të jenë të shkatërruara kryesisht në fshatra. A i keni evidentuar ato dhe a ka ndonjë plan për ndërhyrje?
Pyetjet pa përgjigje për kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj
- Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Tiranë?
- Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
- Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
- Si probleme madhor keni konsideruar: 89 çerdhet, kopshtet dhe shkollat që nuk ofrojnë as kushtet më minimale për fëmijët e tyre, për të moshuarit 376 hapësirat publike që ose janë uzurpuar ose kanë degraduar, 871 gropat në rrugë, 133 vendet ku mbeturinat kanë mbytur lagjen. Pas një viti që jeni në krye të bashkisë së Tiranës, si është gjendja e tyre?
- Megjithëse keni premtuar transparencë dhe gjithëpërfshirje të komunitetit në vendimet tuaja, në shkurt të këtij viti, banorët e Tiranës u përballën me një rrethim dhe kantier ndërtimi në Liqenin Artificial të Tiranës, projekt për të cilin askush nuk dinte asgjë? A keni ndonjë provë që të vërtetoni se projekti i këndit të lojërave i qe nënshtruar konsultimit paraprak me qytetarët? A vini re një dallim mes premtimit dhe faktit në këtë rast?
- Qytetarët kanë vënë re gjatë muajve të fundit ngritjen dhe fillimin e punës të një morie kioskash në parqet dhe trotuaret e Tiranës nën logon EcoParking. Çfarë marrëdhënieje ligjore ka bashkia me kompaninë që po shfrytëzon këto hapësira publike? A mund të na thoni mbi çfarë ligjesh dhe çfarë vendimesh është bazuar ndërtimi i këtyre kioskave?
- Përse nuk është ngritur ende shërbim online për buxhetimin, ku thuhej se do ti mundësonte qytetarëve të paraqesin prioritetet e tyre për investimet publike të bashkisë?
- Banorët e ish-komunave në periferi të Tiranës ankohen se në shumë raste, shërbimet mimimale publike, përfshirë pastrimi dhe ndriçimi, nuk ekzistojnë. Në zona të tilla si Shën Gjergji apo Zall Bastari nuk duket se ka shërbim të heqjes së mbeturinave, të cilat, në masë hidhen brigjeve të lumenjve. Në çfarë mase territori aktual i Bashkisë Tiranë mbulohet me shërbim pastrimi?
- Për çfarë arsyeje, mbledhjet e këshillit bashkiak bëhen kaq rrallë? Pse nuk ka publikim paraprak të projektvendimeve në diskutim në Këshillin Bashkiak?
- A mund të na rendisni se sa projektesh investimi keni aktualisht në ish-komunat në krahasim me projektet e investimeve në qytetin e Tiranës?
- Banesat sociale të Bashkisë së Tiranës përfunduan së ndërtuari pesë vjet më parë dhe mbetën të pashfrytëzuara për shumë vite. Edhe sot, një numër i konsiderueshëm apartamentesh në këto ndërtesa janë të pazëna, siç janë edhe hapësira të konsiderueshme në katet e para të konceptuara si “dyqane”. Kur parashikoni që këto apartamente, të ndërtuara me paratë e taksapaguesve, do të jenë 100 për qind në përdorim të shtresave në nevojë?
Pyetjet pa përgjigje për kryetarin e Bashkisë Vlorë Dritan Leli
- Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Vlorë?
- Çfarë ka bërë bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
- Cilat janë tre sfidat kryesore me të cilat përballet bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
- Cilat janë ndryshimet që ka pësuar Vlora përgjatë këtij viti?
- Projekti i Lungomares po shtyhet në vijimësi. A mund të na thoni se çfarë po ndodh dhe kur ky projekt do të përfundojë?
- Çfarë avantazhesh do të sjell ndërtimi i Lungomares ?A do të devijohen kanalizimet në përfundim të saj? A pritet të ketë shembje të tjera objektesh ky projekt?
- Cilat janë ndryshimet që e presin qytetin bregdetar për tre vitet e tjera të mandatit tuaj?
- Qytetarët e Vlorës aktualisht ankohen për mungesë të vazhdueshme të furnizimit me ujë. Si është gjendja në këtë drejtim?
- Çfarë është bërë për institucionet Arsimore dhe ato shëndetësore përgjatë këtij viti?
- Vlora aktualisht ka një kontratë për koncesion parkingjesh të shumëkritikuar nga qytetarët për shkak të përqindjes shumë të ulët nga xhiroja e koncesionit që do të shkojë për buxhetin e bashkisë së Vlorës. Ju çfarë mendimi keni për këtë?