Pesë kryebashkiakë shqiptarë kanë pranuar problemet e tyre me drejtësinë në të shkuarën, përmes formularëve të vetëdeklarimit që kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Sipas formularëve të publikuar të premten nga KQZ, tre kryetarë bashkie, të zgjedhur nga Partia Socialiste dhe dy të tjerë të Partisë Demokratike kanë qenë të paktën njëherë të arrestuar, të proceduar ose të dënuar nga gjykata, brenda ose jashtë vendit.
Të dhënat e dorëzuara në KQZ nga vetë zyrtarët tregojnë se tre të zgjedhur nga Partia Socialiste me probleme në të shkuarën janë Elvis Rroshi i Kavajës, Artur Bushi i Krujës dhe Adriatik Zotkaj i Poliçanit. Nga Partia Demokratike, kryebashkiakët që bien ndesh me ligjin e dekriminalizimit janë Agron Kapllanaj i Ballshit dhe Xhelal Mziu i bashkisë së Kamzës.
Nga pesë kryebashkiakët që kanë vetëdeklaruar problemet me drejtësinë, dy janë dënuar nga gjykatat shqiptare të shkallës së parë, ndërsa tre të tjerët janë hetuar nga policitë e vendeve të Bashkimit Europian. Adriatik Zotkaj i PS dhe Xhelal Mziu i PD rezultojnë të dënuar nga drejtësia shqiptare, ndërsa Rroshi, Bushi dhe Agron Kapllanaj janë ndaluar nga policitë italiane dhe gjermane, për vepra penale të trafikimit.
Kryebashkiaku jetëgjatë i Poliçanit, Adriatik Zotkaj ka deklaruar se është dënuar tre herë me vendim të shkallës së parë. Sipas vetëdeklarimit të tij, Zotkaj është dënuar me 3 vjet burgim për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, 10 muaj burg për kundërshtim të forcave të policisë dhe 1 vit burgim për shkelje që lidhen me detyrën e tij. I dënuar tre herë nga gjykatat e shkallës së parë, Zotkaj nuk deklaron megjithatë asnjë dënim të formës së prerë.
Ndërsa kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu ka shënuar dënimin e tij të Gjykatës së rrethit Tiranë me dy vjet burg për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. Pak javë më parë, Mziu fitoi pafajësinë në Gjykatën e Apelit.
Një dënim nga drejtësia shqiptare e ka vetëdeklaruar edhe Elvis Rroshi. Kryebashkiaku i Kavajës, i lakuar për të shkuarën e tij të errët jashtë vendit ka pohuar në formularin e vetëdeklarimit se është dënuar nga Gjykata e Kavajës në vitin 2000 për kundravajtje penale.
Përveç dënimit nga drejtësia shqiptare, Rroshi i është përgjigjur pozitivisht pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë nën hetim apo gjykim nga një autoritet i huaj. Sipas tij, ai ka qenë nën hetim në Mynih të Gjermanisë para vitit 2002, për arsye që “nuk i kujtohen”. Rroshi deklaron gjithashtu se ka jetuar në Foxhia të Italisë në vitin 1991, në Campobasso të të njëjtit vend nga 1991-1993 dhe më pas është zhvendosur në Chiasso të Zvicrës gjatë periudhës 1993-1994.
Njësoj si Rroshi, edhe kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi ka pranuar në formularin e dorëzuar në KQZ se ka qenë dy herë i arrestuar dhe i hetuar në Itali. Sipas Bushit, ai ka qenë i hetuar në vitin 1996 nga Prokuroria e Casertës në Itali për “arsye që nuk i kujtohen” dhe sërish në hetim në vitin 2010 nga Prokuroria e Busto Arsizios, i dyshuar për trafik të lëndëve narkotike.
Sipas Bushit, në vitin 1996, gjykata italiane ka vendosur “lirimin e menjëhershëm” për të, ndërsa në 2010 është liruar pasi ka qëndruar 1 muaj në qeli. Gjithsesi, Bushi deklaron se nuk është dënuar asnjëherë me vendim të ndonjë gjykate.
Agron Kapllanaj, i zgjedhur i Partisë Demokratike në bashkinë e Ballshit rezulton gjithashtu me një dënim jashtë vendit. Sipas vetëdeklarimit të tij, të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Kapllanaj është dënuar me një vendim të formës së prerë në prill të vitit 2003 në Itali për një ngjarje të ndodhur në vitin 1995. Ai ka vetëdeklaruar se është dënuar me 2 vjet burg dhe një gjobë 200 euro për shkelje të artikullit 624 të kodit penal italian. Ky nen i kodit penal italian i referohet krimit të vjedhjes.
Ligji i dekriminalizimit parashikon që pas vetëdeklarimit të subjekteve, një komision i Prokurorisë së Përgjithshme do të verifikojë skedën penale të secilit prej tyre, para se të merret një vendim për zyrtarët që rrezikojnë të humbin mandatet. Aktualisht, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikim vetëm për kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi.