Të dhëna të përgjithshme:
Zona Gjeografike: Bashkia e re e Delvinës kufizohet në veri me bashkitë Himarë e Gjirokastër, në jug me bashkitë Sarandë dhe Finiq, ndërsa në lindje me bashkinë Dropull. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Delvinës.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re numëron 7,598 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil kjo bashki ka një popullsi prej 18,078 personash. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 182.9 km2. Densiteti i popullsisë sipas censusit është 45.5 banorë/ km2, ndërsa sipas regjistrit civil është 99 banorë/ km2.
Kjo bashki përbëhet nga 2 njësi administrative, të cilat janë: Delvinë dhe Vergo. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Delvinës dhe qarkut Vlorë. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 17 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e re përbëhet nga qyteti historik i Delvinës dhe komuna Vergo, pjesë e rrethit Delvinë. Qyteti i Delvinës ka kultivuar një histori të pasur të bashkëjetesës fetare mes myslimanëve, kristianëve dhe hebrenjve në të shkuarën. Qyteti ka traditë në artizanat si dhe objekte të trashëgimisë kulturore, të cilat nuk përdoren aktualisht për turizëm.
Bashkia e Delvinës ka në territorin e saj edhe një vendburim gazi, i cili aktualisht shfrytëzohet nga një kompani koncesionare private.
Banorët e qytetit kanë shqetësime për cilësinë e ujit të pijshëm në qytet. Bashkia e re e Delvinës u krijua si një bashki me popullsi të konsiderueshme të minoritetit grek.
Ndryshe nga qyteti i Delvinës, komuna Vergo është një zonë e gjerë rurale me densitet të ulët të popullsisë.
Bujqësia, blegtoria dhe vreshtaria, krahas institucioneve publike janë burimet kryesore ekonomike të zonës. Papunësia është shumë e lartë dhe një pjesë e madhe e popullsisë punon në Sarandë.
Largimi i popullsisë së re dhe të arsimuar ka krijuar vështirësi në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë.
Nga ana tjetër, prania e shumë kulturave në qytet ofron mundësi për zhvillim, ndërsa afërsia e bashkisë së re me qytetin turistik të Sarandës ofron potencial të lartë për zhvillimin e bujqësisë.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Ndërtimi i një ujësjellësi të ri në qytetin e Delvinës dhe ndërtimi i infrastrukturës rugore për fshatrat e komunës Vergo janë dy sfidat kryesore, të cilat bashkia e re do ta ketë të vështirë t’i kryejë me burimet e veta të pakta ekonomike.
Prioritet do të kenë ujësjellësit në fshatrat Stjare, Bamatat, Varfaj.
Mirëmbajtja e shkollave apo qendrave shëndetësore do të kërkojë që bashkia e re të ketë burimet e nevojshme njerëzore për të aplikuar me sukses në skemën e granteve të qeverisë qendrore për pushtetin vendor.
Qyteti ka edhe një pjesë të popullsisë që i përket komunitetit rom dhe rrjedhimisht ka nevojë të adresojë problemet e këtij komuniteti dhe të ofrojë mbështetje financiare për të.
Zhvillimi i bujqësisë dhe i blegtorisë në bashkinë e re të Delvinës kërkon një strategji të qartë dhe projekte subvencionuese nga administrata e re. Afërsia me Sarandën krijon një treg të sigurtë për fermerët e Delvinës, por mungesa e infrastrukturës rrugore dhe zhvendosja e popullsisë së aftë për punë nga zona rurale krijon vështirësi të shumta në këtë drejtim.
Kryebashkiaku i ri i Delvinës do të duhet gjithashtu të hartojë projekte për rivitalizimin e trashëgimisë kulturore dhe nxitjen e atizanatit, ç’ka do ta bënte zonën më tërheqëse për vizitorët shqiptarë dhe të huaj.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Delvinës kishin të drejtën e votës 14,789 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 6,735 votues, 45.55% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Rigels Balili të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 72.80% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Delvinë (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor | Vota | Përqind | Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane | 4506 | 67,53% | 11 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet | 1801 | 26,99% | 4 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë | 8 | 0,12% | 0 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut | 167 | 2,50% | 0 |
Aleanca Popullore | 191 | 2,86% | 0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Rigels Balili, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)