Profile17 Oct 2015

Profili i bashkisë Divjakë

Me parkun kombëtar Divjakë-Karavasta dhe fushat rurale pjellore, bashkia e re e Divjakës ofron një perspektivë të mirë zhvillimi për bujqësinë dhe ekoturizmin.

Autor: BIRN BIRN Divjakë
Printo

Harta e re territoriale e bashkisë Divjakë

Harta e re territoraile e bashkisë Divjakë

Të dhëna të përgjithshme:

Zona Gjeografike: Bashkia e re Divjakë kufizohet në veri me bashkinë Rrogozhinë, në lindje me bashkinë Lushnjë, në jug me bashkinë Fier dhe në perëndim me Detin Adriatik. Kryeqendra e bashkisë së re do të jetë qyteti i Divjakës, i shpallur qytet me vendim qeverie në vitin 1996.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e Divjakës numëron një popullsi prej 34.254 banorësh ndërkohë që në regjistrin civil rezulton një popullsi 53.372 vetë. Territori i bashkisë së re është 309.58 kilometra katrore. Në bazë të censusit, densiteti i popullsisë është 110 banorë për kilometër katror ndërsa në bazë të regjistrit civil densiteti është 172.40 banorë/km2.

Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Divjakë, Tërbuf, Grabjan, Gradisht dhe Remas. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Lushnjes dhe qarkut Fier. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 36 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i bashkisë

Bashkia e Divjakës është nga të paktat bashki të krijuara nga reforma administrative dhe territoriale e cila përbëhet pothuajse tërësisht nga zona rurale. Bashkia e re ka një shtrirje veri-jug ndërkohë që rrugët janë më së shumti në drejtimin lindje-perëndim dhe lidhja rrugore mes qytetit të Divjakës dhe komunave Gradishtë e Rremas është e dobët.

Bashkia e re ndodhet në një zonë tërësisht rurale dhe pjellore, ndërkohë që pjesë e territorit të kësaj bashkie është edhe parku kombëtar Divjakë-Karavasta, si dhe plazhi i Divjakës.

Bashkia e re ka aktivitet kryesor ekonomik bujqësinë dhe në një masë më të vogël peshkimin në lagunën e Karavastasë. Prodhimi kryesor bujqësor janë bostanoret, të cilat shiten në tregun e brendshëm si dhe eksportohen në shumë vende të Europës qendrore dhe lindore.

Divjaka ka perspektivë të mirë për zhvillimin e turizmit detar si dhe ekoturizmit. Gjatë viteve të fundit këtu është shfaqur turizmi i vrojtimit të zogjve për shkak të pranisë së një kolonie të vogël pelikanësh në zhdukje në lagunën e Karavastasë.

Turizmi është zhvilluar më së shumti për turistët ditorë dhe kulinaria është e përqendruar te prodhimet e peshkut, për të cilat zona është e famshme në të gjithë vendin.

Gjithashtu, Divjaka ka një jetë artistike dhe kulturore që shumë qytete do ia kishin zili. Këtu funksionon më së miri grupi artistik i qytetit, me djem dhe vajza valltarë, të cilët përfaqësojnë Divjakën në aktivitete të ndryshme kulturore.  Po ashtu edhe sporti është në nivele mjaft të mira, ku duhet të përmendim që ekipi i volejbollit për femra është mjaft mirë i përfaqësuar në aktivitete brenda dhe jashtë vendit.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Ofrimi i shërbimeve komunale në të gjithë territorin e bashkisë së re pritet të jetë sfida kryesore e Divjakës, veçanërisht për shkak të mungesës së lidhjeve të forta infrastrukturore mes qytetit dhe komunave jugore.

Gjetja e balancës së duhur mes zhvillimit të turizmit dhe mbrojtjes së mjedisit identifikohet si një sfidë për shkak të karakteristikave të plazhit të Divjakës, i cili gjendet në brendësi të rezervatit natyror të mbrojtur dhe në distancë prej rreth 3 kilometrash nga vetë qyteti i Divjakës.

Për zonat rurale, shërbimet e infrastrukturës bujqësore janë të domosdoshme për mirëqënien, siç janë edhe mirëmbajtja e shkollave dhe qendrave shëndetësore.

Bashkia e re do të duhet të jetë e kujdesshme që t’i kushtojë të njëjtën vëmendje mirëmbajtjes së objekteve publike dhe shërbimeve komunale në të gjitha komunat përbërëse, gjë që është aktualisht sfidë për bashkinë e Divjakës për shkak të largësisë fizike mes komunave.

Për prodhuesit e zonës, krijimi i një pike grumbullimi dhe tregtimi është thelbësore, pasi një pjesë e produkteve të tyre dëmtohen për shkak të mungesës së tregut. Sipas banorëve, nëse do të krijohej një treg i madh edhe interesi i banorëve do të rritej për të shtuar sasinë e produktit të mbjellë.

Gjthashtu përmirësimi i infrastrukturës ndërlidhëse me fshatrat përreth, si dhe investimi në kopshte, shkolla dhe qendra shëndetësore do të përmirësonte cilësinë e jetesës.

Administrata vendore e bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Divjakës kishin të drejtën e votës 40,571 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 21,034  votues, 51.84% e zgjedhësve.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Fredi Kokoneshi të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 66.79% të votave.

Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:

Subjekti zgjedhor Vota Përqind Mandate
Aleanca për Shqipërinë Europiane 13527 66,79% 21
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet 6626 32,71% 10
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë 101 0,50% 0

 

Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:

Kryetar Bashkie: Fredi Kokoneshi, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)