Profile17 Oct 2015

Profili i bashkisë Dropull

Bashkia e pakicës etnike greke në Shqipëri, e braktisur prej vitesh nga të rinjtë po përballet me sfidën e ruajtjes dhe trashegimisë së pasurisë së vet të rrallë etno-kulturore.

Autor: BIRN BIRN Dropull
Printo

Të dhëna të përgjithshme

Harta e re territoriale e bashkisë Dropull

Harta e re territoriale e bashkisë Dropull

Zona Gjeografike: Dropulli kufizohet në veri me bashkinë Libohovë. Kryeqendra e Bashkisë është Jorgucati.

Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 ka një popullsi prej 3.503 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki numëron 23.131 banorë. Bashkia Dropull shtrihet në një sipërfaqe prej 466.67 km2 me një densitet prej 49.56 banorë/km2.

Kjo bashki përbëhet nga 3 njësi administrative, të cilat janë: Dropull i Poshtëm, Dropull i Sipërm dhe Pogoni. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit Gjirokastër dhe e qarkut Gjirokastër. Bashkia e re ka nën administrimin e saj 41 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i bashkisë

Bashkia e Dropullit përbëhet nga pjesëtarë të pakicës etnike greke në Shqipëri. Derviciani njihen nga vendasit si  kryeqendra e zonës, pasi në të zhvillohen pothuajse të gjitha aktivitetet e rëndësishme politike, kulturore dhe fetare të minoritetit. Megjithatë, qendra e komunës do të jetë në Jorgucati, një pikë e ndërmjetme mes dy komunave që ishin më parë.

Zonat e minoritetit kanë njohur  viteve të   fundit përmirësim  të  infrastrukturës  rrugore në brendësi të fshatrave të vegjël që shtrihen mes kodrave, përgjatë rrugës që lidh Gjirokastrën me Kakavijën.

Falë granteve qeveritare, por edhe ndihmave financiare nga Greqia, shumë fshatra kanë zgjidhur edhe problemet e ujit të pijshëm.  Por në këto 25 vite të tranzicionit, zonës së Dropullit i është rikthyer plaga e vjetër e emigracionit, vala e parë e së cilës nisi në vitit ’20-’30. Në fshatrat e Dropullit mungojnë moshat e reja, shumë shtëpi janë mbyllur me vite  dhe shumë toka kanë mbetur djerrë. Krahina e Dropullit ruan një pasuri të rrallë etno-kulturore. Zona ka ruajtur dhe transmetuar vallen e bukur të krahinës, kostumet e pasura dhe motivet epirote të klarinetës.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes se re

Riintegrimi i emigrantëve që kthehen nga Greqia e prekur prej krizës ekonomike dhe financiare është një nga sfidat e bashkisë së re. Drejtuesit e rinj vendorë duhet të përballen me problemet që kanë disa fshatra më në thellësi, duke rritur presionin tek strukturat qeveritare për më shumë siguri nga vjedhjet dhe dëmtimet e pronës. Bashkia e Dropullit duhet të lobojë për financime të reja  për ndërtimin e ujësjellësve  dhe rikonstruksionin e  rrugëve si dhe për mbështetjen e shtresave në nevojë në disa fshatra.

Një sfidë tjetër konsiderohet mbrojtja e territorit, sidomos nga aktivitetet e guroreve apo shfrytëzimit të pyjeve pa kriter.

Bashkia ka shumë përgjegjësi në përmirësimin e sektorit arsimor dhe sidomos qendrave shëndetësore, duke qenë se zonat banohen nga mosha të thyera që kanë nevojë për asistencë mjekësore.

Bashkia e re duhet të hartojë programe të posaçme për sektorin bujqësor, sidomos për shfrytëzimin e Fushës së Dropullit.

Në mjaft prej zonave, sipërfaqet e tokës nuk punohen prej vitesh dhe ka shumë probleme si gjatë përmbytjeve në dimër (kullimin e tokave) edhe me mungesën e vaditjes në verë.

Ka nisma të reja  për ferma të vogla bujqësore dhe është detyrë e njësisë së re të hartojë politika për mbështetjen e tyre.

Administrata vendore e bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Dropullit kishin të drejtën e votës 19,969 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 6,191  votues, 31.00% e zgjedhësve.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Ahilea Deçka i Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, me 46.58% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Dropull (kliko këtu).

Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:

Subjekti zgjedhor

Vota

Përqind

Mandate

Aleanca për Shqipërinë Europiane

3617

58,92%

14

Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet

932

15,18%

3

Minoriteti Etnik Grek per te Ardhmen

403

6,56%

1

Partia Socialdemokrate e Shqipërisë

162

2,64%

0

Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut

1025

16,70%

3

 

Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:

Kryetar Bashkie: Ahilea Deçka, Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)