Të dhëna të përgjithshme:
Zona Gjeografike: Bashkia e re Fier kufizohet në veri me bashkinë Divjakë, në lindje me bashkitë Patos dhe Roskovec, ndërsa në jug me bashkinë Vlorë. Ajo shtrihet në Ultësirën Perëndimore, mes lumenjve Seman dhe Vlorë. Pjesa dërrmuese e bashkisë së re shtrihet në zonë fushore të ulët ndërsa komunat Cakran dhe Frakull kanë territor kodrinor. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Fierit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 në territorin e bashkisë së re banojnë 120.655 njerëz ndërsa në regjistrin civil rezultojnë banorë 196.324 njerëz. Sipërfaqja e bashkisë së re është 619.9 km2. Në bazë të censusit, densiteti i popullsisë është 194.6 banorë për kilometër katror ndërsa në bazë të regjistrit civil, densiteti është 316.70 banorë/km2.
Kjo bashki përbëhet nga dhjetë njësi administrative, të cilat janë: Fier, Cakran, Mbrostar Ura, Libofshë, Qendër, Dërmenas, Topojë, Levan, Frrakull dhe Portëz. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Fierit dhe qarkut Fier. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 85 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e re e Fierit përfshin zonat bujqësore më të rëndësishme të vendit, si dhe një pjesë të konsiderueshme të industrisë që lidhet me përpunimin e naftës.
Më shumë se 55 për qind e popullsisë së bashkisë së re jetojnë në zonat rurale, gjë që tregon rëndësinë e sektorit të bujqësisë në jetën ekonomike të bashkisë së re. Prodhimi bujqësor i kësaj zone është i shumëllojshëm nga drithi te zarzavatet, bostanoret, blegtoria dhe nënproduktet e saj.
Në territorin e bashkisë së re gjenden toka shumë pjellore, të cilat dikur kanë qenë këneta dhe që sot janë të rrezikuara vazhdimisht nga përmbytjet.
Bashkia e re do të ketë një vijë bregdetare të konsiderueshme që shtrihet nga grykëderdhja e lumit Vjosë deri në grykëderdhjen e lumit Seman në kufijtë e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta.
Si një zonë industriale e rëndësishme e kohës së komunizmit, Fieri vuan në veçanti nga papunësia e lartë e shkaktuar nga mbyllja e fabrikave, si dhe nga ndotja mjedisore e lënë pas nga industria tashmë e mbyllur. Përveç ndotjes së trashëguar, qyteti rrezikohet edhe nga ndotja që shkaktohet nga industria që ka mbijetuar. Pjesa më e madhe e ndotjes vjen nga industria e naftës dhe rafineritë e vajit ushqimor, të cilat ndosin ajrin sidomos gjatë periudhës së natës.
Bashkia e re ka një vijë bregdetare të konsiderueshme, si dhe pjesë e saj është dhe parku arkeologjik i Apollonisë, krahas objekteve të tjera të trashëgimisë kulturore.
Shfrytëzimi i bregdetit për turizëm është ende në fillesat e veta. Njësitë administrative Topojë dhe Dërmenas kanë një vijë bregdetare ranore prej 30 kilometrash, e gjitha shumë e përshtatshme për turizmin familjar. Vlerësohet se rreth 10 mijë vetë në vit sakaq zgjedhin këtë vijë bregdetare për pushime verore, kryesisht afatshkurtra.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Rehabilitimi i territorit të dëmtuar nga industria si dhe pastrimi i ujërave identifikohen si dy ndër sfidat kryesore të bashkisë së re, të cilat lidhen ngushtë dhe me zhvillimin e turizmit të qendrueshëm në këtë zonë. Ndalimi i ndotjes industriale apo të ujërave të lumenjve, veçanërisht Semanit, mund të ndihmojë në zhvillimin e një mjedisi të pastër dhe të përshtatshëm për turizmin.
Zgjerimi i funksioneve të bashkisë ekzistuese të qytetit të Fierit në një territor të gjerë pritet të përbëjë një tjetër sfidë, veçanërisht për shkak të nevojave shumë të ndryshme nga qyteti që kanë të 85 fshatrat që përfshihen në bashkinë e re. Në zonat rurale, mirëmbajtja e infrastrukturës së vaditjes dhe kullimit të cilat janë përgjegjësi e pushtetit vendor identifikohen nga komuniteti si shqetësimet kryesore.
Zona e bashkisë së re, përfshirë edhe vetë qytetin e Fierit, janë shumë të prekura nga përmbytjet e shpeshta, rrjedhimisht shtimi i investimeve në infrastrukturën mbrojtëse nëpër komunat përgjatë lumit Vjosë edhe mirëmbajtja e infrastrukturës ekzistuese, pastrimi i shtrateve të lumenjve dhe kontrolli i ndërtimeve pa leje përgjatë lumit Gjanicë identifikohen ndër sfidat kryesoreme të cilat pritet të përballet bashkia e re.
Bashkia e Fierit ka një sërë problemesh infrastrukturore. Rrugët e brendshme të qytetit janë tërësisht të amortizuara dhe investimet raportohen të mangëta. Rrugët lidhëse me shumë fshatra janë në gjendje të keqe. Krijimi i një shërbimi për transportin publik në shërbim të të 85 fshatrave mund të ndihmojë në zhvillimin e jetës komunitare brenda njësisë së re administrative, si dhe marrjen e shërbimeve më lehtë të aksesueshme.
Një ndër problematikat e tjera të rëndësishme për komunitetin e kësaj bashkie të re është dhe furnizimi me ujë të pishëm dhe kontrolli i cilësisë së tij.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Fierit kishin të drejtën e votës 154,652 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 67,644 votues, 43.74% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Armando Subashi të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 54.83% të votave.
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
45443 |
69,22% |
29 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
18760 |
28,57% |
12 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
1342 |
2,04% |
0 |
Partia Bashkimi për te Drejtat e njeriut |
108 |
0,16% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Armando Subashi, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)