Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Bashkia Kamëz kufizohet në veri, lindje dhe jug me bashkinë Tiranë, në veri-perëndim me bashkinë Krujë dhe në perëndim me bashkinë Vorë. Kamza përbëhet nga dy njësi administrative, Kamza dhe Paskuqani.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 Bashkia Kamëz ka një popullsi prej 104,190 banorësh, ndërsa sipas regjistrit civil numëron 125,632 banorë. Ajo ka një sipërfaqe prej 37.18 km2. Në bazë të censusit, densiteti i popullsisë është 2802 banorë për km2 ndërsa sipas regjistrit civil, densiteti është 3379.02 banorë/km2.
Kryeqendra e bashkisë së re është Kamza ndërsa ajo ka edhe 14 fshatra. Të dyja njësitë administrative janë pjesë e rrethit Tiranë, qarkut Tiranë. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i Bashkisë
Bashkia e re Kamëz është bashkia me sipërfaqen më të vogël dhe me densitetin më të lartë në Shqipëri, duke e bërë atë praktikisht bashkinë më urbane të Shqipërisë pavarësisht se përfshin nominalisht edhe 14 vendbanime që zyrtarisht janë fshatra.
Bashkia e re është ndërtuar gjatë 20 viteve të fundit ku rritja e popullsisë ka qenë në përmasa të jashtëzakonshme. Kamza si qendër e banuar numëronte më pak se 5 mijë banorë të përqendruar rreth ndërmarrjes bujqësore “Ylli i Kuq”, instituteve të teknologjisë bujqësore si dhe rreth minierës së qymyrit të Valiasit ndërsa popullsia u shtua me shpejtësi nga migrimi i brendshëm i popullsisë përgjatë 25 viteve të fundit. Kamza mori titullin e qytetit në vitin 1996 ndërsa Paskuqani, megjithëse zyrtarisht vijoi të klasifikohej si zonë rurale, u bë efektivisht zonë urbane me një densitet të lartë të ndërtesave dhe popullsisë.
Kamza ka një sipërfaqe të punueshme prej 2,364 hektarë, shifër kjo e papërfillshme në krahasim me popullsinë, ndërkohë që pjesa më e madhe e tokës bujqësore është zënë nga banesat për shkak të ndërtimeve informale.
Popullsia e zbritur më së shumti nga zonat veriore dhe verilindore e vendit dhe ndërtimi i banesave të nevojshme për të strehuar këtë popullsi solli zhvillimin e industrisë së ndërtimit ndërsa një numër fabrikash të manifakturës u hapën në zonë ose në periferi të saj për të përdorur krahun e lirë të punës, veçanërisht të grave dhe vajzave.
Pjesa më e madhe e punëtorëve të Kamzës udhëtojnë çdo ditë për të punuar për arsim apo për qëllime të tjera në qytetin e Tiranës, tendencë kjo që është më e theksuar për zonën e Paskuqanit.
Si një zonë e ndërtuar rishtas, Kamza dhe Paskuqani kanë probleme të shumta me ndërtimin e infrastrukturës publike urbane, përfshirë furnizimin me ujë, kanalizime, e rrugë ndërsa popullimi i shpejtë ka krijuar nevojën për ndërtimin e më shumë shkollave dhe qendrave shëndetësore.
Investimet publike për urbanizimin e zonës kanë qenë të konsiderueshme gjatë viteve të fundit, por këto investime kanë krijuar njëkohësisht disnivel të lartë brenda bashkisë, ku disa zona janë të pajisura mirë me infrastrukturë ndërsa një pjesë e madhe nuk ka ende kurrfarë infrastrukture.
Ndërtimi i shtëpive pa plan paraprak urban nënkupton gjithashtu mungesën e hapësirave të gjelbra publike apo të shesheve publike.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Si një zonë e re urbane dhe me densitet të lartë të popullsisë, zhvillimi i infrastrukturës së duhur për ujësjellës, kanalizime, rrugë, sheshe publike apo parqe si dhe ndërtimi i shkollave, kopshteve, çerdheve e qendrave shëndetësore janë sfidat kryesore të bashkisë së re.
Por një problem i konsiderueshëm i banorëve të zonës është edhe mungesa e lidhjeve të përshtatshme të transportit publik me bashkinë Tiranë si dhe lidhjet e dobëta infrastrukturore me kryeqytetin. Bashkia Kamëz ndahet nga Tirana nga lumi i Tiranës por mbi këtë lumë ka një numër shumë të vogël urash të ndryshme të cilat e shtyjnë të gjithë trafikun përmes Kthesës së Kamzës duke krijuar një distancë të konsiderueshme dhe të panevojshme me kryeqytetin.
Fakti që Bashkia Kamëz është ndarje administrative më vete bën që banorët e kësaj bashkie të mos përfshihen në sistemin e aboneve të shërbimit urban të qytetit të Tiranës gjë që ka krijuar kosto të dyfishtë për udhëtime nga Kamza në Tiranë.
Shtimi i lidhjeve rrugore me Tiranën përmes ndërtimit të urave të reja si dhe krijimi i një sistemi të përbashkët të transportit publik me Tiranën kërkon bashkëpunim me autoritetet e bashkisë së Tiranës.
Ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme për zonat e reja urbane kërkon patjetër ndihmën e qeverisë qëndrore për shkak se volumi i investimeve të kërkuara për këtë qëllim është shumë i madh në krahasim me të ardhurat e pritshme të bashkisë së re nga taksat dhe tarifat vendore.
Sistemimi i Lumit të Tiranës në të gjithë gjatësinë e tij, i cili ka filluar për një segment të shkurtër nga Bashkia Tiranë, ofron një mundësi të mirë për të zhvilluar këtë zonë dhe për të krijuar hapësira të gjelbra.
Kriza ekonomike e viteve të fundit, dobësimi i mundësisë për të emigruar në Greqi si dhe rënia e madhe e punësimit në sektorin e ndërtimit ka rritur varfërinë në këtë zonë duke e kthyer Kamzën në një nga xhepat me shkallë të lartë varfërie.
Një problem tjetër i rëndësishëm është fakti që një pjesë e banorëve nuk janë të regjistruar në gjendjen civile dhe rrjedhimisht kanë vështirësi në përfitimin e shërbimeve kryesore publike si arsim dhe shëndetësi. Mungesa e regjistrimit të një pjese të popullsisë si dhe në shumë raste, distanca e konsiderueshme nga shtëpitë te shkollat e pakta të zonës kanë sjellë braktisje të shkollave nga një pjesë e fëmijëve.
Bashkia e re numëron rreth 1200 biznese.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Kamzës kishin të drejtën e votës 89,679 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 47,516 votues, 52.98% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Xhelal Mziu i Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, me 52.94% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Kamëz (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
23317 |
50,38% |
22 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
20418 |
44,12% |
19 |
Partia Kristian Demokrate e Shqiperise |
916 |
1,98% |
0 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
833 |
1,80% |
0 |
Gjergj Preng Paluca |
485 |
1,05% |
0 |
Edmond Gjon Ndoj |
311 |
0,67% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Xhelal Mziu, Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)