Të dhëna të përgjithshme:
Zona Gjeografike: Bashkia e re Lushnjë kufizohet në veri me bashkitë Rrogozhinë dhe Peqin, në lindje me bashkinë Divjakë, në jug me bashkitë Fier dhe Roskovec, ndërsa në perëndim me bashkinë Belsh. Kryeqendra e bashkisë së re është qyteti i Lushnjes.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 bashkia e re Lushnjë numëron një popullsi banuese prej 83.659 vetë, ndërsa në Regjistrin Civil rezulton një popullsi prej 127.438 vetë. Sipërfaqja e bashkisë së re është 372.72 km2. Në bazë të censusit, densiteti i popullsisë është 244.7 banorë për km2 ndërsa në bazë të regjistrit civil densiteti është 341.91 banorë për km2.
Kjo bashki përbëhet nga 11 njësi administrative, të cilat janë: Lushnjë, Allkaj, Bubullimë, Hysgjokaj, Golem, Dushk, Karbunarë, Ballagat, Fier Shegan, Kolonjë dhe Krutje. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Lushnjës dhe qarkut Fier. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 85 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e re ka nën administrimin e saj një zonë përgjithësisht rurale, ku 63 për qind e popullsisë jeton në 85 fshatra që janë pjesë e saj. Lushnja është edhe zona bujqësore më e rëndësishme e Shqipërisë me prodhime të bimëve të arave, zarzavateve, bostanoreve dhe prodhimeve blegtorale në zonat e ulëta, si dhe me ullinj e vreshta në zonat kodrinore.
Toka e Lushnjës mbillen zakonisht dy herë në vit dhe në raste të veçanta edhe tre herë në vit. Tipar tjetër është afërsia e kësaj zone bujqësore me tregjet kryesore konsumatore të vendit si Tirana, Durrësi dhe Vlora. Gjatë dekadave të fundit, fermerët e zonës janë përqendruar në përdorimin e teknikave që realizojnë prodhim të hershëm të fushës, si dhe në prodhimin e zarzavateve në sera për të realizuar furnizimin e tregut në periudhat e dimrit. Gjithashtu, mbjellja e drithërave është një tjetër burim ekonomik i të ardhurave të banorëve.
Tregtimi i prodhimeve bujqësore kryhet përgjithësisht në tregun pranë qytetit të Lushnjës nga ku nisen edhe një pjesë e madhe e eksporteve bujqësore të Shqipërisë për tregjet në brendësi të Ballkanit apo në Europën qendrore e lindore.
Gjithashtu në zonat rurale ka banorë të cilët e ushtrojnë aktivitetin e tyre në mbareshtrimi i bagëtive të imta si lopët dhe delet, si dhe në prodhimin e nënprodukteve të qumështit. Në këto zona operojnë disa kompani të përpunimit të qumështit, të cilat kanë krijuar një rrjet të grumbullimit të qumështit shtëpi më shtëpi duke krijuar kushtet për profilizimin e një pjese të fermerëve drejt mbarështimit të lopëve.
Sa i takon zonës urbane, njësitë e shërbimit, tregtimit dhe subjektet e ndryshme private janë të vetmet burime të ardhurash për banorët e kësaj zone, të ardhura këto që duket se nuk mjaftojnë për të mbajtur një qytet që në censusin e vitit 2011 numëronte 31 mijë banorë. Në kohën e komunizmit një pjesë e popullsisë së qytetit qe punësuar në industrinë e prodhimit të plastmasit, e cila ndërkohë është mbyllur. Infrastruktura ndërlidhëse me fshatrat kryesore të zonës është përmirësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit, por mirëmbajtja e investimeve të kryera është një problem i vazhdueshëm.
Pjesë e bashkisë së re do të jetë edhe pika turistike e Manastirit të Ardenicës, e cila gjendet në njësinë administrative Kolonjë.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Mirëmbajtja e infrastrukturës bujqësore, veçanërisht garantimi i furnizimit me ujë për vaditje pritet të jenë ndër sfidat kryesore të bashkisë së re. Krijimi dhe zhvillimi i institucioneve në shërbim dhe mbështetje të sektorit bujqësor në bashkinë e re është një proces shumë i rëndësishëm për këtë zonë për shkak të përqindjes së lartë të popullatës që jeton në zonat rurale.
Gjithashtu, bashkia e re kërkohet që të ketë një strategji të qartë në përmirësimin e aksesit të fshatarëve në treg, si dhe profilizimin e mëtejshëm të bujqësisë për të shmangur mbiprodhimin dhe çmimet e ulëta. Një sfidë tjetër e identifikuar që duhet të ofrohet nga bashkia në këtë drejtim është dhe mbështetja e industrisë agro-përpunuese.
Një sfidë tjetër me të cilën pritet që të përballet bashkia e re është nxitja dhe forcimi i marrëdhënieve më të forta mes fshatrave dhe qytetit, çka do të garantonte një nivel më të lartë të demokracisë vendore dhe gjetjen e balancës së duhur në destinacionin e investimeve të bashkisë mes zonës urbane dhe zonave rurale. Në këtë drejtim, mbledhja dhe mirëadministrimi i taksave mbi tokën bujqësore identifikohet si një mekanizëm që mund të ndihmojë në krijimin e një marrëdhënieje me përfitim reciprok mes bashkisë dhe banorëve.
Mirëmbajtja në nivelet e duhura dhe në mënyrë të barabartë të qendrave shëndetësore dhe institucioneve arsimore në të gjithë territorin e bashkisë së re, si dhe krijimi i mekanizmave të komunikimit me të gjitha qendrat e banuara u identifikuan si aspekte të domosdoshme që duhet të orientojnë punën e kryebashkiakut të ri.
Një ndër problematikat e identifikuara është dhe investimi në infrastrukturën rrugore në lagjen e banuar kryesisht nga komuniteti rom, e cila nuk ka marrë asnjë investim gjatë viteve të fundit.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Lushnjes kishin të drejtën e votës 99,894 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 49,214 votues, 49.27% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Fatos Tushe të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 52.27% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Lushnje (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
32970 |
68,61% |
28 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
13676 |
28,46% |
12 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
1273 |
2,65% |
1 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut |
136 |
0,28% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Fatos Tushe, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)