Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Malësia e Madhe kufizohet në veri me Malin e Zi dhe në jug me Bashkinë Shkodër. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Koplikut.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, popullsia e Malësisë së Madhe është 30,823 banorë. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki ka 53,918 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 951.01 km2 me një densitet prej 56.69 banorë/km2 sipas Regjistrit Civil dhe 32.41 banorë/km2 sipas Censusit 2011.
Kjo bashki përbëhet nga 6 njësi administrative, të cilat janë: Kopliku, Gruemira, Kastrati, Kelmendi, Qendra dhe Shkreli. Bashkia e re ka nën administrimin e saj dy qytete (Koplik dhe Bajzë) dhe 56 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i Bashkisë
Malësia e Madhe përmban bukuri të shumta natyrore, siç janë Liqeni i Shkodrës dhe pikat turistike malore të Vermoshit, Razmës dhe Bogës. Turizmi, blegtoria dhe bujqësia janë burimet kryesore ekonomike për banorët e kësaj zone.
Prej vitesh ka pasur përpjekje për krijimin e një zone industriale përgjatë hekurudhës së vetme ndërkombëtare të Shqipërisë pranë qytetit të Bajzës, por këto projekte kanë mbetur deri tani në letër.
Zhvillimi i turizmit ka hasur në pengesa të shumta për shkak të mungesës së infrastrukturës. Një nga akset më të rëndësishme, ai Hani i Hotit- Tamarë- Vermosh- Plavë Guci, e njohur ndryshe si rruga e Alpeve do të përmirësonte jetesën e banorëve të këtyre zonave dhe do të ndikonte në zhvillimin e turizmit malor.
Bashkia e Malësisë së Madhe zgjerohet me 5 zona rurale, të cilat merren kryesisht me bujqësi, kultivimin e bimëve medicinale dhe blegtori. Një pjesë e vogël e banorëve merren me peshkim.
Qyteti i Koplikut ka nivel të lartë papunësie, ndërsa pjesa më e madhe e të ardhurave në këtë zonë sigurohen nga emigracioni. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ka emigruar ndër vite drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Anglisë. Ky fenomen vazhdon në ritme të larta, veçanërisht tek popullsia e re në moshë.
Bashkia e Malësisë së Madhe zotëron sipërfaqe të mëdha pyjore, ndërsa mirëmenaxhimi i pyjeve mund t’u sigurojë të ardhura të konsiderueshme banorëve të zonës në të ardhmen.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Krijimi i një zone industrialo-tregtare në Koplik është një premtim i hershëm, por i parealizuar për Malësinë e Madhe. Një zonë e tillë do të rigjallëronte aktivitetet ekonomike në territorin e bashkisë si dhe do të rriste punësimin.
Shfrytëzimi i potencialeve natyrore ekzistuese për aktivitete ekonomike të qëndrueshme si: turizmi natyror përgjatë bregut të liqenit të Shkodrës, kultivimi i peshkut dhe peshkimi duhet të zhvillohen paralelisht me tregtinë e kulturave bujqësore të traditës si duhani dhe bimët medicinale në Malësinë e Madhe.
Sfidë për bashkinë e re të Malësisë së Madhe konsiderohet subvencionimi i fermerëve dhe krijimi i një qendre të posaçme për grumbullimin dhe shitjen e duhanit dhe bimëve medicinale.
Përmirësimi i rrugëve ndërlidhëse me zonat rurale mbetet një detyrë e rëndësishme për kryebashkiakun e ardhshëm, së bashku me pastrimin e zonës nga mbetjet e depozituara pranë shtratit të lumit Përroi i Thatë.
Brenda kësaj bashkie përfshihet edhe Stacioni Hekurudhor ndërkombëtar i Bajzës, i cili është i vetmi në Shqipëri që shërben për transportin ndërkombëtar të mallrave. Sipas ekspertëve, përmes këtij stacioni realizohet rreth 60 përqind e trafikut të transportit shqiptar të mallrave, ndonëse ky stacion është në gjendje të mjerueshme.
Mungesa e ujit të pijshëm është një nga problemet kryesore që shtohet për zgjidhje përballë drejtuesit të ri të Bashkisë së Malësisë së Madhe. Problem mbetet edhe gjendja e qendrave shëndetësore si dhe e institucioneve arsimore, kryesisht në zonat e thella malore, ku pjesa më e madhe janë të amortizuara apo jo-funksionale.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Malësisë së Madhe kishin të drejtën e votës 42,426 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 19,282 votues, 45.45% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Tonin Marinaj të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 54.57% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Malësi e Madhe (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
9964 |
51,80% |
17 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
7473 |
38,85% |
12 |
Partia Kristian Demokrate e Shqiperise |
631 |
3,28% |
1 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
504 |
2,62% |
0 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut |
23 |
0,12% |
0 |
Levizja Demokratike per Vlera Mireqenie Progres |
642 |
3,34% |
1 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Tonin Marinaj, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)