Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Bashkia e re e Patosit kufizohet në veri dhe perëndim me bashkinë Fier, në jug me bashkinë Mallakastër dhe në lindje me bashkinë Roskovec. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Patosi.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 bashkia e re Patos ka një prej 22.959 banorësh ndërsa në regjistrin civil rezultojnë banues 42.738 banorë. Territori i bashkisë së re është vetëm 82.5 km2. Në bazë të të dhënave të regjistrit civil densiteti i popullsisë është 518 banorë për km2 ndërsa në bazë të censusit densiteti i popullsisë është 278.3 banorë për km2.
Kjo bashki përbëhet nga 3 njësi administrative, të cilat janë: Patos, Zharëz dhe Ruzhdie. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Fierit dhe qarkut Fier. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 18 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Qyteza e Patosit nisi të ndërtohej rreth vitit 1949 për të strehuar punëtorët dhe inxhinierët e naftës. Baseni naftëmbajtës i njohur si “Patos-Marinza” është historikisht zona më e pasur me naftë në Shqipëri dhe sot vijon të prodhojë shumicën dërrmuese të naftës bruto në vendin tonë. Por pavarësisht kësaj, numri i të punësuarve në industrinë e naftës nga kjo zonë është sot shumë herë më i ulët se sa ka qenë dikur.
Për shumë vite burimi kryesor ekonomik ka qenë sektori naftënxjerrës, por pasi kanë nisur operimin në tregun e naftës kompanitë e huaja niveli i të punësuarve në këtë sektor ka ndryshuar, duke sjellë një përqendrim gjithnjë e më të madh tek sektori i bujqësisë dhe agrikulturë. Sipas të dhënave tashmë, përveç ish komunës Zharrës, zonat e tjera si Patosi dhe Ruzhdia kanë si burim kryesor ekonomik kultivimin e ullirit dhe tregtimin e nënprodukteve të tij, të cilat favorizohen dhe nga vetë relievi kodrinor i kësaj zone.
Më tej është sektori privat i shërbimeve ai që siguron të ardhurat për zonën urbane dhe vitet e fundit kanë nisur aktivitetin në këtë njësi vendore edhe bizneset fasone. Për shkak të relievit malor, në këtë bashki ka zona të largëta me qendrën e bashkisë, popullsia e tyre është reduktuar ndjeshëm për shkak të zhvendosjes drejt qendrave urbane të vendit ose drejt vendeve fqinje. Vitet e fundit, infrastruktura rrugore e zonës urbane dhe fshatrave përreth është përmirësuar ndjeshëm, por sigurisht ka ende shumë punë për t’u bërë në mënyrë që të sigurohet transporti sa më i lehtë i zonave të largëta malore drejt qendrës së bashkisë së re.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Shtrirja gjeografike e Patosit dhe zgjerimi i kësaj njësie vendore sigurisht që i bën më të mëdha sfidat për bashkinë e re dhe për drejtuesin e saj, duke gërshetuar nevojën për përmbushjen e problematikave të qytetit të Ballshit dhe atyre të zonave rurale përreth tij.
Një nga problemet kryesore të identifikuara më shpesh nga banorët e kësaj zone lidhet me mbështetjen nga ana e bashkisë së kushteve për tregtimin e produkteve të tyre, kryesisht ullirit dhe vajit të ullirit. Promovimi i këtyre produkteve karakteristike për zonën, sigurisht që do të bënte që edhe sipërfaqet e mbjella të shtoheshin, por edhe ekonomia do të rritej.
Një ndër sfidat më të rëndësishme me të cilat do të përballet qeverisja e re vendore është dhe pastrimi dhe rehabilitimi i shumë nga zonave të braktisura naftënxjerrëse, si dhe marrja e masave për parandalimin e ndotjeve nga puset ekzistuese. Në këtë kuadër, banorët e kësaj bashkie identifikuan si sfidë dhe rolin më të mirë bashkërendues të marrëdhënieve mes pushtetit lokal dhe kompanisë koncesionare që shfrytëzon fushën naftëmbajtëse.
Gjithashtu, një sfidë tjetër me të cilën do të përballet bashkia e re është lëvrimi nga pushteti qendror dhe mirëadministrimi i rentës minerare nga nxjerrja e naftës në këtë zonë, nga të cilat bashkia mund të sigurojë të ardhura prej miliona eurosh. Transparenca dhe mirëmenaxhimi i këtyre të ardhurave mund të shërbejnë si një mekanizëm për përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve të bashkisë së re.
Një ndër sfidat e tjera të identifikuara nga komuniteti i kësaj zone lidhet me ngritjen dhe përmirësimin e infrastrukturës së godinave arsimore të zonës, kopshte dhe shkolla, të cilat do të ndihmonin në përmirësimin e cilësisë së arsimit në zonë.
Një aspekt tjetër që duhet të jetë në vëmendjen e pushtetit të ri lokal është dhe rritja e numrit të familjeve të pastreha gjatë viteve të fundit, në mbështetje të të cilave duhen parashikuar dhe ndërtuar banesa sociale.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Patosit kishin të drejtën e votës 33,906 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 15,706 votues, 46.32% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Znj. Rajmonda Balilaj të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 61.78% të votave. E intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetarja aktuale ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Patos (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
11734 |
77,62% |
17 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
3137 |
20,75% |
4 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
94 |
0,62% |
0 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut |
153 |
1,01% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Rajmonda Balilaj, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)