Të dhëna të përgjithshme:
Zona Gjeografike: Bashkia e re Roskovec kufizohet në veri dhe perëndim me bashkinë Lushnjë, në jug me bashkinë Mallakastër, në lindje me bashkinë Ura Vajgurore, ndërsa në perëndim me bashkinë Patos. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Roskovecit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re Roskovec ka 21.742 banorë ndërsa në Regjistrin Civil popullsia e regjistruar figuron 31.548 banorë. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 118.01 km2. Në bazë të popullsisë së numëruar nga censusi, densiteti i popullsisë së bashkisë së re është 184 banorë për kilometër katror ndërsa në bazë të regjistrit civil densiteti rezulton 263.33 banorë/ km2.
Kjo bashki përbëhet nga 4 njësi administrative, të cilat janë: Roskovec, Kuman, Kurjan dhe Strum. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Fierit dhe qarkut Fier. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 14 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e re e Roskovecit shtrihet pjesërisht mbi zonën naftëmbajtëse Patos-Marinzë, e cila njihet si burimi më i madh i naftës në Europën kontinentale. Pjesë e bashkisë së re do të jetë komuna Kurjan, e cila përfshin edhe fshatin Marinzë, që njihet veçanërisht si zonë naftëmbajtëse. Në këto kushte edhe të ardhurat kryesore të banorëve vijnë nga ky sektor, në të cilin janë punësuar shumë prej banorëve të zonës. Gjithashtu, njësitë e tregtimit dhe shërbimeve janë një tjetër sektor ku janë punësuar shumë prej banorëve të qytetit të Roskovecit. Sa i takon zonave rurale, të ardhurat fitohen kryesisht nga prodhimet bujqësore dhe agrumet.
Pavarësisht burimeve ekonomike, përgjatë dekadave të fundit zona ka pasur një fluks të ndjeshëm largimi të popullsisë. Mund të përmendim këtu zonën e fshatit Ngjeqar, në të cilin sot kanë mbetur një numër shumë i vogël banorësh.
Qyteti i Roskovecit ka përfituar disa projekte publike të financuara nga qeveria qendrore gjatë viteve të fundit për zhvillimin e infrastrukturës rrugore brenda qytetit, si dhe për ndërtimin e shkollave dhe qendrave shëndetësore. Ndër më kryesoret ndër to mund të përmendet ndërtimi i unazës së qytetit dhe ai i bulevardit kryesor. Gjithsesi, rruga lidhëse Fier – Berat e cila kalon në këtë bashki është ende në proces rikonstruksioni dhe në gjendje shumë të keqe, duke vështirësuar në këtë mënyrë lëvizjen e banorëve drejt këtyre dy qendrave të rëndësishme urbane në afërsi të saj.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Bashkia e re e Roskovecit do të përfshijë një territor të larmishëm me interesa shumë të ndryshme ekonomike. Komuna Kuman dhe banorët e saj i kanë interesat kryesore të lidhura me sektorin e naftës ndërkohë që komunat Strum dhe Kurjan janë të përqendruara te bujqësia. Balancimi i nevojave të ndryshme të këtyre banorëve dhe i financimeve që do të parshikohen në buxhetin e bashkisë së re do të përbëjë një nga sfidat kryesore të pushtetit të ri vendor. Për këtë arsye, gjithëpërfshirja e banorëve të zonave të ndryshme në vendimmarrjen e kësaj bashkie, si dhe sigurimi i transparecës përbën një sfidë për kryebashkiakun e ri.
Një tjetër sfidë e kësaj bashkie lidhet me rehabilitimin dhe kontrollin e ndotjes mjedisore që vjen si pasojë e industrisë naftënxjerrëse, por dhe mirëmenaxhimi i të ardhurave nga renta minerare që përfitohet përmes qeverisë qendrore nga kjo industri.
Një ndër problematikat kryesore të ngritura nga komuniteti i kësaj zone, e përbërë kryesisht nga popullsi rurale, është dhe nevoja për krijimin e një tregu për shitblerjen e mallrave bujqësorë dhe blegtorialë të zonës, e cila aktualisht kryhet në këtë zonë çdo të shtunë drejtpërsëdrejti në rrugët e qytetit.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Roskovecit kishin të drejtën e votës 24,097 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 13,872 votues, 57.57% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Znj. Majlinda Bufi të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 52.45% të votave.
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
8497 |
62,80% |
14 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
4641 |
34,30% |
7 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
283 |
2,09% |
0 |
Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut |
109 |
0,81% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Majlinda Bufi, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)