Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Shijaku kufizohet në veri, perëndim dhe jug nga bashkia Durrës dhe në lindje nga bashkitë Vorë dhe Tiranë. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Shijakut.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011 numëron një popullsi prej 27,861 banorësh,ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron 44,103 banorë. Me sipërfaqe prej 92.19 km2, ajo ka densitet prej 302 banorë/km2 sipas censusit dhe 478banorë/km2 sipas regjistrit civil.
Bashkia e re përbëhet nga katër njësi administrative të cilat janë Shijaku, Maminasi, Xhafzotaj dhe Gjepalaj. Të gjitha janë pjesë e Rrethit Durrës të Qarkut Durrës. Bashkia e re ka një qytet dhe 25 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili Bashkisë
Bashkia e re Shijak shtrihet në një zonë fushore dhe kodrinore përgjatë lumit Erzen.
Shijaku është një qytet i pasur me burime ujore, ekonomia në vend është e orientuar kryesisht te tregtia, industria fasone dhe ajo përpunuese e prodhuese. Firmat private numërohen 263 subjekte nga të cilat 17 klasifikohen si biznes i madh dhe 246 si biznes i vogël.
Këto biznese operojnë kryesisht në fushën e shërbimeve, tregtisë dhe me pak në fushën e prodhimit dhe ndërtimit.
Shijaku është një zonë që ka patur rritje të popullsisë gjatë dekadave të fundit si pasojë e migrimit nga zonat veri-lindore të Shqipërisë.
Duke parë ndryshimin e madh midis popullsisë rezidente dhe asaj prezente në regjistrat civilë vihet re se, zona është e prekur ndjeshëm nga emigracioni. Remitancat e emigrantëve kanë luajtur një rol të madh në zhvillimin e zonës, kryesisht në Shijak dhe Xhafzotaj.
Rritja e popullsisë si dhe emigrimi kanë sjellë shumë ndërtime të reja përgjatë 25 viteve të fundit të cilat janë ndërtuar pa një plan të mirëfilltë zhvillimor. Bujqësia është orientuar drejt produkteve me vlerë të lartë të shtuar si kultivimi i perimeve dhe foragjereve, mbarështimi i bagëtive dhe pemëtarisë. Karakteristikë e komunitetit është kultivimi i perimeve e foragjereve dhe zgjerimi gjithnjë në rritje i sipërfaqes së vreshtave, pemëtoreve dhe ullishtave, dhe në zonat kodrinore kultivimi i barbunjës së hershme dhe i bostanoreve.
Por një pjesë e tokës bujqësore ka mbetur e papunuar ndërsa shumë toka janë të rrezikuara nga lumi Erzen, të cilit i janë marrë sakaq pjesa më e madhe zhavorrit duke hequr për rrjedhojë edhe barrierën natyrore të tokave në të dy krahët e lumit.
Legalizimi i banesave të ndërtuara pa leje është një shqetësim i vazhdueshëm i banorëve të qytetit siçështë edhe transporti i dobët publik drejt Durrësit, ku një pjesë e popullsisë udhëton për të punuar.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Hartimi i një plani zhvillimor për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të resurseve bujqësore si dhe për të lehtësuar pajisjen me infrastrukturë të qendrave të banuara është një sfidë imediate për bashkinë e re.
Ndalimi i gërryerjes së mëtejshme të shtratit të lumit Erzen si dhe mbrojtja e tokave sakaq të rrezikuara nga erozioni përmes ndërtimit të barrierave artificiale janë një sfidë tjetër.
Shijaku ka mundësi të mira për të zhvilluar bujqësinë dhe blegtorinë duke qenë pranë tregjeve të mëdha konsumatorë si Tirana dhe Durrësi por fermerët kërkojnë më shumë industri përpunuese, pika grumbullimi dhe shpërndarjeje, thertore apo shërbime frigoriferike për të maksimizuar të ardhurat nga bujqësia.
Furnizimi me ujë të pijshëm të komunitetit, duhet të jetë prioritet për qeverisjen e re vendore në Shijak. Furnizimin me ujë të pijshëm në disa fshatra bëhet me burime natyrore ,(kroje dhe puse ).Po kështu dhe kanalizimi i ujërave të zeza dhe të bardha është një tjetër sfidë për drejtuesit e pushtetit vendorë.
Mënyra më e përhapur për sistemimin e ujërave të zeza në fshatra është ajo me gropa septike individuale, mosfunksionimi i të cilave shpesh sjell rrjedhjen e tyre duke shkaktuar probleme me mjedisin. Po kështu, drejtuesit e rijë duhet të mendojnë për hartimin e projekteve për vaditjen e tokave bujqësore të fshatrave të zonës, ku thatësira shkatërron pjesën më të madhe të prodhimit të banorëve. Përpunimi i mbeturinave është një tjetër shqetësim që përballen banorët e zonës.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Shijakut kishin të drejtën e votës 33,667 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 16,675 votues, 49.53% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Ardian Kokomani të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 58.40% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Shijak (kliko këtu).
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
9026 |
57,24% |
12 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
6478 |
41,08% |
9 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
138 |
0,88% |
0 |
Aleanca Popullore |
126 |
0,80% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Ardian Kokomani, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)