Profile11 Oct 2015

Profili i bashkisë Tiranë

Tirana kthehet në bashkinë më komplekse për t’u menaxhuar; urbanizimi i pjesshëm i komunave përreth dhe shtrirja e shërbimeve në 135 fshatra shtron sfida të shumta për kryebashkiakun e ri.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Harta e re territoraile e bashkisë Tiranë

Harta e re territoraile e bashkisë Tiranë

Të dhëna të përgjithshme

Zona Gjeografike: Bashkia e re e Tiranës kufizohet në veri me bashkitë Vorë, Kamëz dhe Krujë, në verilindje me bashkinë Klos, në lindje me bashkitë Bulqizë dhe Librazhd, në jug me bashkitë Elbasan dhe Peqin dhe në perëndim me bashkitë Rrogozhinë, Kavajë, Durrës dhe Shijak.

Popullsia: Sipas censusit të vitit 2011, në territorin e bashkisë së re Tiranë banojnë 557,422 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil banojnë 757,361 banorë. Me një sipërfaqe prej 1,110.03 kilometrash katrorë, densiteti i popullsisë sipas të dhënave të Censusit është 502 banorë/ km2 ndërsa sipas Regjistrit Civil, densiteti është 682 banorë km2.

Kjo bashki përbëhet nga 25 njësi administrative, të cilat janë: 11 lagjet e qytetit të Tiranës, Petrela, Farka, Dajti, Zall-Bastari, Bërzhita, Krraba, Baldushku, Shëngjergji, Vaqarri, Kashari, Peza, Ndroqi dhe Zall Herri. Të gjitha njësitë e bashkisë së re Tiranë janë pjesë e rrethit Tiranë dhe qarkut Tiranë, me përjashtim të qytetit të Tiranës, i cili historikisht ka qenë rreth më vete. Në territorin e kësaj bashkie ka dy qytete dhe 135 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu

Profili i Bashkisë

Tirana do të jetë bashkia më e madhe në vend si për nga popullsia, ashtu edhe nga territori. Ajo shtrihet në tri zona gjeografike të veçanta; zona bujqësore në veri, perëndim dhe jug, zona urbane e Tiranës dhe e katër komunave rrethuese, pjesërisht të urbanizuara si dhe zona e thyer malore në lindje.

Tirana është një zonë e pasur me burime ujore, pasi përshkohet nga lumenjtë Erzen, Lumi i Tiranës dhe Lumi Tërkuzë. Në territorin e saj ndodhen edhe një numër i konsiderueshëm liqenesh artificiale, të ndërtuara si në zonat malore, ashtu edhe në ultësirë. Në territorin e bashkisë së re gjendet edhe Parku Kombëtar i Dajtit.

Qyteti i Tiranës është zemra ekonomike e Shqipërisë, me përqendrimin e numrit më të madh të bizneseve në shkallë vendi si dhe me zhvillimin e industrisë së lehtë. Fuqia ekonomike e Tiranës dallohet te sasia shumë më e lartë e kursimeve dhe e kreditit në rang kombëtar, te të ardhurat tatimore, të cilat në masë dërrmuese realizohen në Tiranë si dhe te zhvillimi i sektorit të ndërtimit.

Komuna e Kasharit, e cila përfshihet në territorin e bashkisë së re konsiderohet zona më e industrializuar e vendit, si pasojë e përqendrimit të bizneseve dhe industrisë përgjatë autostradës Tiranë-Durrës.

Tirana rezulton bashkia me normën më të lartë të urbanizimit për kilometër katror, pas bashkisë së Durrësit.

Zonat bujqësore të Tiranës janë përqendruar në shkallë të gjerë te blegtoria dhe prodhimet e qumështit, por edhe tek agroturizmi. Zonat kodrinore rreth Tiranës kanë gjithashtu traditë ullirin dhe drurët frutorë.

Të territorin e Tiranës gjenden disa vendburime qymyrguri të pashfrytëzuara, ndërsa aktiviteti më i përhapur sa i përket shfrytëzimit të burimeve natyrore është përpunimi i gurit për ndërtim dhe atij dekorativ.

Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re

Bashkia e re e Tiranës konsiderohet më kompleksja për t’u administruar, pasi kryebashkiakut të ri do t’i duhet të adresojë shqetësimet e bashkësive shumë të ndryshme, të cilat jetojnë në mbi 135 vendbanime të njohura ligjërisht. Ai do të duhet të emërojë nën përgjegjësinë e vet politike 25 administratorë.

Komunat që rrethojnë Tiranën; Dajti, Farka, Vaqarri apo Kashari kanë dalë përtej klasifikimit “qendër e banuar rurale” për shkak të ndërtimeve të shumta. Urbanizimi i këtyre zonave dhe integrimi me planet rregulluese të Tiranës përbëjnë një sfidë të rëndësishme për kryebashkiakun e ri dhe të ardhmen e kryeqytetit.

Plotësimi i nevojave të zonave të reja urbane me kanalizime dhe ujë të pijshëm kërkon investime të konsiderueshme dhe një strategji të qartë.

Një pjesë e fshatrave përreth Tiranës janë lidhur me infrastrukturë rrugore me qytetin, ndërkohë që disa zona të thella kodrinore apo malore janë të distancuara për shkak të rrugëve të këqija. Ndërtimi i rrugëve drejt fshatrave të thellë si dhe mirëmbajtja e rrjetit rrugor ekzistues është një domosdoshmëri për zhvillimin e qëndrueshëm.

Sistemi i taksimit për bashkinë e re të Tiranës duhet të marrë parasysh disnivelin ekonomik mes qytetit dhe zonave rurale, ndërkohë që shërbimi i pastrimit duhet të shtrihet në të gjithë territorin.

Si një zonë thellësisht urbane, por me detyrimin për të ofruar shërbime në sasinë dhe cilësinë e duhur për të 135 fshatrat përbërëse të bashkisë së re, Tirana rrezikon që investimet t’i shpërndajë në përputhje me interesin politik. Kjo gjë rrezikon margjinalizimin e mëtejshëm të zonave me densitet më të ulët të popullsisë.

Shpërndarja e drejtë e fondeve konsiderohet sfidë jo vetëm për bashkinë e re, por edhe për shoqërinë civile, që tashmë do t’i duhet të monitorojë gjendjen e shërbimeve publike në zonat e thella të Tiranës.

Me zgjerimin e territorit dhe zhvendosjet e shumta nga qyteti në fshat dhe anasjelltas, përballë bashkisë së re të Tiranës shtrohet nevoja e gjetjes së zgjidhjeve të reja për transportin publik. Zhvillimi i një sistemi efikas për transportin publik që lidh Tiranën me fshatrat do t’u shërbente si banorëve ruralë që vijnë në kryeqytet për të punuar, ashtu edhe atyre urbanë, të cilët kanë shfaqur prej vitesh tendencën e jetesës në periferi.

Mbrojtja e mjedisit dhe kufizimi i ndotjes nga gazrat e makinave konsiderohet një problem emergjent për Tiranën, në kushtet kur qyteti ka kostot më të larta të transportit me taksi apo ka hapësira shumë të pakta për qarkullimin me biçikleta.

Një mendësi e re në shpërndarjen e lejeve të ndërtimit konsiderohet emergjente për Tiranën, e cila vuan nga betonizimi dhe reduktimi drastik i hapësirave të gjelbra. Zgjerimi i qytetit drejt  komunave përreth krijon mundësi për të shfryrë presionin për leje ndërtimi ndërtim përmes zhvillimit të hapësirave të reja urbane. Megjithatë, kjo mundësi do të bëhet realitet vetëm në rast se bashkia e re arrin me sukses të zhvillojë politikat e duhura të zhvillimit urban si dhe arrin të shtrijë infrastrukturën e nevojshme drejt zonave të reja urbane.

Hartimi i planeve urbanistike tërësore në përputhje me kuadrin ligjor aktual të konsultimit publik si dhe transparenca e planeve urbanistike mund të ndihmojë në mbrojtjen e qytetit nga ndërtimet abuzive me apo pa leje.

Shmangia e krijimit të lagjeve ku dominon varfëria dhe segregimi është një sfidë që kërkon para së gjithash trajtimin e duhur të problemeve që kanë grupet vulnerabël të shoqërisë.

Zhvillimi i politikave të duhura dhe transparente të strehimit social në shërbim të familjeve në nevojë është e domosdoshme, siç është edhe menaxhimi me efikasitet i stokut të banesave nën pronësi publike të bashkisë së Tiranës, që sakaq janë përfunduar.

Gjatë dekadës së fundit, Tirana ka pasur vështirësi për të siguruar hapësirat e nevojshme të tokës për varreza publike. Zgjidhja e këtij problemi konsiderohet emergjente për kandidatin që do të dalë fitues në zgjedhjet e 21 qershorit.

Administrata vendore e bashkisë

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Tiranës kishin të drejtën e votës 608,886 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 305,440 votues, 50.16% e zgjedhësve.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Z. Erion Veliaj të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 53.58% të votave. I intervistuar gjatë fushatës elektorale, kryetari aktual ka dhënë këto premtime lidhur me këtë mandat në krye të bashkisë Tiranë (kliko këtu).

Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:

Subjekti zgjedhor

Vota

Përqind

Mandate

Aleanca për Shqipërinë Europiane

196163

66,65%

42

Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet

89654

30,46%

19

Partia Kristian Demokrate e Shqiperise

1207

0,41%

0

Partia Socialdemokrate e Shqipërisë

2659

0,90%

0

Aleanca Europiane Ekologjike

1674

0,57%

0

Partia Bashkimi per te Drejtat e njeriut

1257

0,43%

0

Lëvizja Demokratike për Vlera Mirëqënie Progres

961

0,33%

0

Aleanca Popullore

729

0,25%

0

 

Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:

Kryetar Bashkie: Erion Veliaj, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)

Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)