Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Ura Vajgurore kufizohet në veri- perëndim me bashkinë Lushnjë, në veri-lindje me bashkinë Kuçovë, në jug-lindje me bashkinë Berat dhe në jug-perëndim me bashkinë e Roskovecit. Kryeqendra e bashkisë është qyteti i Urës Vajgurore.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, kjo bashki numëron 27,295 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 39,551 banorë. Me një sipërfaqe prej 156.56 km2, ajo ka densitet prej 174 banorë/km2 sipas censusit dhe densitet prej 226 banorë/km2 sipas regjistrit civil.
Kjo bashki përbëhet nga 4 njësi administrative, të cilat janë: Ura-Vajgurore, Poshnje, Kutalli dhe Cukalat. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit Berat dhe pjesë e po këtij qarku. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 34 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e re shtrihet në një zonë të pasur me toka bujqësore shumë pjellore si dhe me burime të rëndësishme guri. Burimet kryesore të të ardhurave për banorët e kësaj zone bazohen te shfrytëzimi i resurseve natyrore, sidomos atyre të përpunimit të inerteve të gurit dhe të lumenjve, i fermave private, përpunimit agro-industrial, plantacioneve me ullinj, dru frutorë dhe vreshta, perimeve, blegtorisë, si dhe përpunimit të produkteve të qumështit dhe mishit.
Kjo zonë është e njohur herët për minierat sipërfaqësore të gurit, ndërsa kohët e fundit edhe për përpunimin e gurit në granil dhe gëlqere, duke u njohur edhe si “gurorja” e Shqipërisë për shkak të numrit të madh të shoqërive private që kryejnë aktivitet në këtë fushë.
Me ndarjen e re administrative kjo njësi vendore do të marrë një profil të rëndësishëm bujqësor, të orientuar sidomos në frutikulturë me prodhimin e ullirit, por nuk mbetet pas dhe blegtoria, drithërat dhe perimet, si dhe shumë foragjere. Veçanërisht Komuna Kutalli është e njohur në rang kombëtar për kultivimin dhe hershmërinë e perimeve në serat pa ngrohje. Këtë mundësi ia jep terreni dhe pozicioni shumë i favorshëm gjeografik që i favorizon fermerët të kultivojnë perime, fruta dhe vreshta. Në fshatrat e komunës, mbi çdo copë toke, janë ndërtuar sera dhe çdo vit nga serat e Kutallisë prodhohen mbi 25 mijë ton perime, ku 80 për qind e tyre eksportohen.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Duhet theksuar se reforma e re territoriale e ka vendosur këtë qytet si një zonë pilot të projektit STAR, teksa pritet që bashkimi me komunat e reja të krijojë një njësi funksionale shumë më efektive sesa më parë. Ekspertë të njohur të KPMG po bashkëpunojnë intensivisht me stafet lokale të ish-komunave dhe bashkisë për inventarizimin e aseteve, pronave dhe konsolidimin e financave të njësisë së re vendore.
Ndonëse projekti pritet të krijojë kushtet për administrim të efektshëm të bashkisë së re, sfidat janë të mëdha për të. Në qytetin e Urës Vajgurore, përgjatë 20 viteve të fundit është krijuar një lagje e re pa planifikim urban, e vila vuan mungesën e infrastrukturës dhe që përmbytet herë pas here nga lumi Osum. Kjo nënkupton nevojën që bashkisë së re të ndërmarrë punime të rëndësishme për të parandaluar përmbytjet, si dhe të hartojë një plan urbanistik zhvillimor për të shmangur ndërtimet e mëtejshme të pakontrolluara.
Zona e Urës Vajgurore është e njohur për produkte bujqësore të rëndësishme si ullinjtë e Beratit apo vreshtat e shumta për prodhimin e verës. Bashkia e re do të ketë mundësi të nxisë më tej zhvillimin e bujqësisë në këtë zonë përmes sistemeve të certifikimit të cilësisë apo të promovimit të bujqësisë dhe agroturizmit.
Ndërkohë, rezervat shumë të mëdha të gurit të cilat shfrytëzohen nga qindra familje, një pjesë e të cilave janë jashtë sistemit ligjor ka krijuar shqetësime të mëdha për ndotjen si dhe për dëmtimin e pyjeve që gjenden mbi gurore. Shumë banorë ankohen për sëmundje në rrugët e frymëmarrjes, të cilat mund të përkeqësohen nga niveli shumë i lartë i pluhurit të krijuar nga shfrytëzimi i gurit. Kontrolli i nivelit të ndotjes si dhe lufta kundër guroreve ilegale shoqëruar me disiplinimin e arkëtimeve nga renta minerare nga ana e qeverisjes qendrore mund të krijojnë burime të sigurta të ardhurash për bashkinë e re. Ndalimi i përdorimit të furrave artizanale të gëlqeres mund të ndihmojë në ruajtjen e mjedisit dhe shëndetin e banorëve.
Gjithashtu, bashkisë së re do i duhet të përballet me problemet e përmbytjeve duke qenë se edhe këtë dimër në zonën e Urës Vajgurore situata ka qenë shumë problematike dhe janë përmbytur rreth 100 familje, çka ka kërkuar ndërhyrjen e forcave të ushtrisë. Edhe sipërfaqet e tokës së përmbytur janë shumë të mëdha duke dëmtuar rëndë prodhimet bujqësore dhe blegtorale.
Në zonat rurale ka nevojë për përmirësimin e godinave të shërbimit shëndetësor dhe arsimor, rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm, por dhe rritjen e transparencës në lidhje me qeverisjen në kuadër të përmirësimit të shërbimeve që i ofrohen qytetarëve.
Administrata vendore e bashkisë
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Urës Vajgurore kishin të drejtën e votës 29,469 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 15,838 votues, 53.74% e zgjedhësve.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nxorrën fitues në garën për kryetar bashkie Znj. Juliana Memaj të Aleancës për Shqipërinë Europiane, me 58.28% të votave.
Rezultatet për subjektet zgjedhore për anëtarë të këshillit bashkiak ishin si më poshtë:
Subjekti zgjedhor |
Vota |
Përqind |
Mandate |
Aleanca për Shqipërinë Europiane |
10484 |
67,79% |
15 |
Aleanca Popullore Për Punë dhe Dinjitet |
4602 |
29,76% |
6 |
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë |
252 |
1,63% |
0 |
Partia Fronti i Majtë |
127 |
0,82% |
0 |
Bazuar në rezultatet e mësipërme, administrata e re lokale e kësaj bashkie është si më poshtë:
Kryetar Bashkie: Juliana Memaj, Aleanca për Shqipërinë Europiane (Kliko këtu për të lexuar CV-në)
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Bashkiak (kliko këtu)