Analize5 Nov 2015

Reforma e pushtetit vendor në Shqipëri, “kaotike”

Mbajtja e zgjedhjeve vendore në Shqipëri përpara kalimit të ligjit që i jep bashkive fuqitë për të vepruar do të shkaktojë probleme për vitet e ardhshme, paralajmëron eksperti.

Autor: Fatjona Mejdini BIRN Tiranë
Printo

Një djalosh vizaton hartën e Shqipërisë me ndarjen e re territoriale në një mur. Foto: Ivana Dervishi/BIRN.

Një djalosh vizaton hartën e Shqipërisë me ndarjen e re territoriale në një mur. Foto: Ivana Dervishi/BIRN.

Kur reshjet e dendura të shiut prekën Shqipërinë jugore për tre ditë resht javën e shkuar duke shkaktuar përmbytje të përhapura, shumë kryebashkiakë të sapozgjedhur kuptuan se ishin të papërgatitur për t’u përballur me këtë lloj krize dhe jo në gjendje t’i përgjigjen shqetësimeve të votuesve.

Bashkia e Fierit u godit më së shumti nga përmbytjet, teksa lumi Gjanicë që rrjedh përgjatë qytetit të Fierit doli nga shtrati, duke përmbytur shtëpi dhe dyqane. Kryebashkiaku i ri, Armando Subashi, thotë se përmbytjet tregojnë për vështirësitë e mundshme me të cilat ai do të përballet.

“Bashkive ende i mungojnë disa funksione të rëndësishme si shërbimet e emergjencës dhe shpëtimit dhe administrimi i sistemeve ujore të drenimit. Këto funksione janë menaxhuar nga qeveria, por tani ata do të na i kthejnë neve”, thotë ai.

Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, me zv. kryeministrin në takim me banorët pas  përmbytjes. Foto: Facebook.

Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, me zv. kryeministrin në takim me banorët pas  përmbytjes. Foto: Facebook.

Subashi është vetëm një nga disa kryebashkiakët që i kanë bërë thirrje qeverisë të kalojë urgjentisht legjislacionin që do t’i jepte mundësinë të krijojnë shërbime dhe staf të ri që do të administrohet nga 61 bashkitë e sapoformuara.

Shqipëria sapo ka riorganizuar strukturat e saj të qeverisjes vendore, duke krijuar 61 bashki pas bashkimit të 373 komunave të vogla. Synimi është të decentralizohet pushteti dhe të rritet llogaridhënia. Problemi është se riorganizimi ndodhi përpara se të kalohej legjislacioni që do të rregullonte pushtetin e kryebashkiakëve të ri dhe përgjegjësitë e tyre.

61 bashkiakë morën detyrën për mandat 4-vjeçar në korrik pas zgjedhjeve të qershorit, por Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Vendor nuk do të hyjë në fuqi deri përpara janarit të vitit të ardhshëm.

Ligji i ri do të japë formalisht përgjegjësitë për disa shërbime publike bazë, përfshirë emërimet për zjarrin dhe shpëtimin, shkollat, kopshtet dhe shëndetin, mirëmbajtjen e rrugëve dhe drenimin, si dhe menaxhimin e tokës bujqësore.

Kryebashkiaku i ri i Kukësit, Bashkim Shehu, tha për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, se vendimi për të riorganizuar qeverinë lokale së pari dhe për ta kaluar legjislacionin e nevojshëm më vonë ka lënë të pafuqishëm kryebashkiakët për të mbajtur premtimet elektorale.

Llogaridhënia “në pritje”

Me publikun që nuk është në gjendje t’i kërkojë llogari kryebashkiakëve për shërbimet e emergjencës dhe ato publike, Shehu thotë se autoriteti i liderëve të ri komunalë është penguar.

“Ne po veprojmë si koordinatorë të territorit dhe jo si kryebashkiakë sepse ne nuk kemi shumë funksione. Qytetarët vijnë dhe na kërkojnë për zgjidhje, por ne nuk mund t’i ndihmojmë në të gjitha rastet sepse ne ende nuk kemi marrë funksionet e premtuara nga qeveria qëndrore,” tha ai.

“Nuk mund t’i them njerëzve të shkojnë dhe t’i gjejnë zgjidhjet te agjencitë e ministrive rajonale sepse ata tani po i transferojnë disa nga funksionet e tyre te ne,” tha ai, duke shtuar se kjo situatë është shumë e ngatërrueshme si për zyrtarët vendas edhe për votuesit.

Kryebashkiaku i Përmetit, Niko Shupuli, në takim me elektoratin gjatë zgjedhjeve vendore 2015. Foto: Facebook.

Kryebashkiaku i Përmetit, Niko Shupuli, në takim me elektoratin gjatë zgjedhjeve vendore 2015. Foto: Facebook.

Niko Shupuli, Kryebashkiak i Përmetit, e përshkruan situatën si “kaotike” dhe thotë se nëse qytetarët i vizitojnë bashkitë për të kërkuar zgjidhje, kryebashkiakët janë të pafuqishëm për të vepruar. Ai thotë se ai mundet vetëm t’i përgjigjet ankesave duke thënë se do ta ketë pushtetin të veprojë në janarin e ardhshëm.

Shumë nuk janë jo vetëm të shqetësuar që llogaridhënia përpara votuesve është në pritje, por thonë se ata nuk janë në gjendje të fillojnë të punojnë seriozisht në krijimin e ofruesve të rinj të shërbimet lokale dhe –ç’është më e rëndësishmja – në buxhetin për stafin dhe pajisjet.

Shupuli, që gjithashtu i bën thirrje qeverisë që ta kalojë ligjin e ri sa më shpejt që të jetë e mundur, thotë se duart e tij janë të lidhura nga mungesa e një legjislacioni për qeverinë vendore.

“Ne sapo morrëm një manual nga kryeministri që na thotë se duhet të krijojmë struktura të reja në bashkinë tonë. Ky nuk është as një vendim i Këshillit të Ministrave,” thotë ai.

“Ligji bazë për funksionet tona nuk është ende gati. Ne nuk e kemi të qartë si të veprojmë në situata të ndryshme dhe kemi frikë se si do të përballemi me një situatë emergjence”.

Vendimi i Tiranës për të riorganizuar bashkitë përpara se të hyjë në fuqi legjilsacioni ka tërhequr kritika të ashpra nga ekspertët e qeverisjes vendore.

Problemet ‘për vitet e ardhshme’

Agron Haxhimali, ish-drejtor Lidhjes Shqiptare të Komunave (tani joekzistente), gjithashtu e përshkruan situatën si kaotike dhe thotë se qeveria e ka keqmenaxhuar procesin e decentralizimit, duke i thënë BIRN se legjislacioni duhej të hynte në fuqi përpara se të krijoheshin njësitë e reja territoriale.

“Decentralizimi i pasuar nga funksione të qarta për kryebashkiakët e rinj duhej të ishte faza e parë e reformës administrative dhe territoriale, jo e fundit,” tha ai.

Kryebashkiaku i Kukësit, Bashkim Shehu, takim me elektoratin gjatë fushatës zgjedhore 2015. Foto: Facebook.

Kryebashkiaku i Kukësit, Bashkim Shehu, takim me elektoratin gjatë fushatës zgjedhore 2015. Foto: Facebook.

Haxhimali gjithashtu thekson se kryebashkiakët e rinj do ta kenë të vështirë të krijojnë buxhete për shkak se një tjetër ligj që rregullon financat dhe të ardhurat e vendorëve duhet të hartohet dhe nuk pritet të shkojë në parlament deri vitin e ardhshëm.

Enea Hoti, këshilltar i ministrit të qeverisjes vendore, Bledi Çuçi, ka refuzuar se ka një vakum ligjor pasi qeveria po operon me legjislacionin aktual dhe se, sipas tij, nuk ka hendek në ofrimin e shërbimeve.

“Ligji do të hyjë në fuqi në janar 2016,” konfirmoi ai, duke shtuar se ana financiare do të qartësohet sapo ligji i financës të kalohet.

Por Haxhimali beson se kryebashkiakët nuk do t’i marrin rolet e tyre të reja në të ardhmen e afërt, edhe kur ligji i parashikuar të hyjë në fuqi. Përveç ligjit të pahartuar të financave, ai thotë se duhen miratuar edhe 23 ligje të tjera përpara se 61 kryebashkiakët të funksionojnë siç duhet.

Ai thotë se kryebashkiakët duhet të menaxhojnë zona më komplekse rurale dhe lagje urbane si dhe të mbikëqyrin buxhete më të mëdha – diçka që është jashtëzakonisht sfiduese në një vend që po lufton me një ekonomi të dobët.

Mbi të gjitha, ai mbetet skeptik rreth afatit kohor të qeverisë për dhënien e fuqive të reja te 61 kryebashkiakët në formën e legjislacionit të miratuar.

“Mund të duhen më shumë se dy vjet. Kjo do të thotë se qeveria vendore do të përballet me vështirësi në vitet e ardhshme po ashtu”, paralajmëron ai.